“‘Zgjedhje’ plus kërcënim”
Rikujtojmë “zgjedhjet” grabitqare të tetëvjeçarit dështak
I ndieri Bardhyl Vuçiterna, afërsisht nëntë vite më parë, banonte familjarisht në Leçe të Italisë. Ishte nga të parët që kishte marrë soxhornon , në statusin e të përndjekurit politik. Por nuk i rrihej përtej Adriatikut, sa herë zhvilloheshin zgjedhjet në vendin tonë. Ishte një veprimtar i papërtuar i PD-së. Kishte dy adhurime të mëdha: për Kosovën dhe për Dr. Sali Berishën. Babai i tij, kol. Sulejman Vuçiterna, ishte një kosovar i përkushtuar, që tërë jetën ia kishte kushtuar vendit të tij, nën skllavërinë e sllavëve të jugut. 1990-a i kishte dhënë flatra dhe vinte në Kosovë nga Leçja, për të gjitha ngjarjet e rëndësishme që ndodhnin atje. Kishte takuar disa herë Dr. Ibrahim Rugovën, të cilin e quante një politikan të përkushtuar dhe me nuhatje të mprehtë politike. I jepej për të shkruar dhe kishte shkruar dy libra për veprimtarinë patriotike të martirit të demokracisë (me firmë të Berishës), që kishte vdekur nga keqtrajtimet e torturat në kampin mizor të Vloçishtit, siç quhej Këneta e Maliqit. Nuk ia harronte presidentit që i qëndroi për drekë, me rastin e rivarrimit të eshtrave të babait, Sulejmanit.
E kisha shumë mik Bardhylin, këtë demokrat të paqortueshëm për nga karakteri. Dhe ia plotësoja dëshirën për t’ia redaktuar librat e tij.
Gruaja ime ishte aktivizuar kurdoherë si kryetare e komisionit zgjedhor të lagjes sonë. Ajo Bashkëpunonte me Bardhylin, që kishte një apartament të vogël fare pranë nesh, ku ai banonte në raste të tilla zgjedhjesh. Nëntë vjet më parë ime shoqe do të operohej për një fibromiomë dhe iu lutëm Bardhylit që ta zëvendësonte në komisionin zgjedhor. Ndonëse vuante nga një insuficiencë kardiake, ai pranoi pa asnjë luhatje të bënte punën e saj. Madje e mori me kaq zell këtë detyrë, që u miratua nga PD-ja e rrethit, sa – gjatë fushatës – i ngjiste vetë posterat, madje u mor edhe me listat zgjedhore, të cilat e dëshpëruan shumë; sepse mjaft nga ata që njiheshin si demokratë, mungonin në këto lista. Nga ana tjetër, shumë nga ata që mund të votonin dy herë, që diheshin se ishin për PS-në, figuronin nga dy herë, me të njëjtin mbiemër, por me emra të përafërt. Këto lista të parregullta zgjuan kundërveprime në anëtarët e PD-së dhe jo vetëm në lagjen tonë. Për të qetësuar njerëzit, u vendos që të rishikoheshin. U bënë shumë qortime dhe rregullime nga aktivistët e PD-së. Por Bardhyli e nuhaste se nuk do të merreshin parasysh. Ashtu ndodhi. Listat u shpallën me vonesë dhe nuk pasqyruan korrektimet.
Bardhyli, i përkushtuar siç ishte, u ngarkua edhe si inspektor në qendrën elektorale të Politeknikumit. Atje kishte mbajtur shënime për parregullsi të dukshme që dëshmonin natyrën hileqare të këtyre zgjedhjeve. Erdhi i revoltuar në shtëpinë time dhe m’u lut të bënim një artikull, së bashku. Iu vumë punës, në kompjuterin tim. Por ndërprerja e energjisë elektrike, katër herë a më shumë rresht, na e prishi shkrimin. Kështu artikulli na u duk se nuk do të pasqyrohej dot në disketë (Atëherë nuk kishin dalë fleshet, domethënë USB-të). Megjithatë, e kishim një variant, në disketë. Disketën e gjeta rastësisht kohët e fundit. Si duket e kishim përdorur vazhdimisht ruajtjen, dhe kishin humbur vetëm disa fraza.
Kur mendoj se sot po varin turinjtë edhe për pasaportat biometrike dhe për kartat e elektronike të identitetit, gjë që e bën thuajse të pamundur manipulimin si në atë kohë, më mbushet mendja (dhe jo vetëm mua), se socialistët kërkojnë të kontestojnë zgjedhjet, duke parashikuar humbjen e tyre. Ata pranojnë vetëm zgjedhjet që “i fitojnë” në mënyra si ato që do të shohim në këtë shkrim.
K.X.
“Do të të tërheqim zvarrë!”
Kjo kronikë përgatitet për një incident në regjistrimet që mund të bëheshin në një sallë që ndodhet në Politeknikumin “7 Nëntori”, në Tiranë. Gënjështra elektorale një person një votë, u duk që në „regjistrimet“, që grumbulluan një mori njerëzish në oborrin e Politeknikumit, për ditë të tëra. Personat me kupon duhej të merrnin atje kartën e identitetit që të mund të votonin më 1 tetor. Por personi me emrin Valentina, një militante e PS-së, që „55“-a e dha me mbiemrin përkatës, u bë pengesë jo vetëm në dhënien e kartave të identitetit, por edhe në regjistrimin formal, në sajë të të cilit do të plotësoheshin listat, për shkak të „gabimeve“ në fletët e kompjuterizuara në KQZ (Këtu ishin sakatuar listat votuese të komisionit tripalësh, duke vënë burrin, por jo gruan apo anasjellas, madje duke hequr nga listat persona që kishin abstenuar për Referendumin etj). Përkundrejt arsyetimit gjakftohtë të anëtarit të komisionit, (përfaqësuesit të PD-së), z. Ferdinand Rusi, ajo shoqja „e përkushtuar“ pati kriza histerie gjer në skandal : theu, në nervozizëm aparatin e prerjes së fotografive dhe puna e komisionit u ndërpre fare. Si pasojë sherri u mbyll me heqjen e Valentinës si përfaqësuese të PS-së. Por të tjerët nuk ishin më pak fanatikë se ajo!
Kështu vazhdoi regjistrimi, duke ia mbajtur vath në vesh Ferdinand Rusit, që ishte kundërvënë, për të respektuar kriteret.
Konflikti me Ferdinandin vazhdoi në qendrën e votimit N° 258/1. F. Rusi ishte vëzhgues i P. Demokratike. Ai iu kundërvu sërishmi komisionit, sepse në këtë qendër u lanë pa votuar 54 veta, pë paragjykuar si pëdëistë ndonëse, sipas kritereve, mund të votonin me pasaportë.
Sipas njoftimeve për regjistrimin në fazën e dytë, në qendrat me nr. 252,253, 254....gjer në 273, të rreth 500 vetave, këta u lanë pa votuar në këto qendra sepse kishin marrë kuponin, por nuk u ishte dhënë karta e identitetit, meqë emri nuk u figuronte edhe në listat e reja! Kështu që komisioni zonal mashtroi, kur u shpreh se do të votonin me letërnjoftim. Rezultoi se grumbullimet ditë pas dite në oborrin e Politeknikumit për të bërë në sallë listat plotësuese për rastet përjashtuese të qëllimshme të KQZ-së, u shndërruan në një farsë, për të qenë „në rregull“ me premtimet që kishin marrë monitoruesit e huaj se askush nuk duhej të mbetej jashtë votimeve (!). Në fakt, siç e thamë, mbetën pa votuar rreth 500 veta, për shkak të kësaj dyfaqësie e të këtij manovrimi të paramenduar. Ata bënë të tyren, duke iu kundërvënë Ferdinand Rusit e disa të tjerëve, që këmbëngulën në komision për të mos lejuar një parregullsì të tillë. Madjè Ferdinandi pati një kërcënim të tillë, në komisionin zonal të njësisë N° 9, nga një korçar: „Sa të mbarojnë zgjedhjet, pa do të shohësh si do të të tërheqim zvarrë!“.
Persekutimet nuk mbaruan me Enverin/Duket se socialistëve nuk u mjafton kjo lloj „fitoreje“. Mirë e tha një analist se tani jemi në disidencë, jo në pluralizëm, ku opozita (PD-ja, K.X.) duhej të kishte të drejtat e saj demokratike.
Persekutimi në demokraci filloi për familjen e Ferdinand Rusit, me gruan e tij, Elida. Kjo kishte disa llogari me komunistët, si e bija e Xhevat Kutrollit. Gjyshi i Elidës ishte pushkatuar në vitet e para të ardhjes në fuqi të pushtetit komunist. Familja ishte shpallur kulake dhe kjo ishte e mjaftueshme që njerëzit e familjes të quheshin armiq. Xhaxhai, Garip Kutrolli, 28 vjeç, u pushkatua edhe ai, për „tentativë për të përmbysur pushtetin“.
Kësisoj i ati i Elida Rusit, Xhevati, u internua me gjithë familjen. Familja tani ka statusin e të të përndjekurit politik.
Si vajzë e re (e datëlindjes 1962, lindur në Kapshticë), proceset demokratike të ‘90-s i priti me entuziazëm rinor (ishte, atëherë 28 vjeçe). Në Devoll (Korçë) ishte njëra ndër aktivistet e para të PD-së. Së bashku me të vëllanë ishin në radhët e para të manifestimeve. I vëllai ishte njëri nga ata që përmbysën statujën e Enver Hoxhës në Korçë.
Familja e Ferdinand Rusit u largua nga Korça, sepse komunistët atje nuk mund t’ia falnin të vëllait të Elidës shfronësimin e mermertë të diktatorit E. Hoxha. Por edhe këtu, në Tiranë, kërcënimet ishin të njëpasnjëshme. Komunistët janë ustallarë për të bërë „biografi“, me anën e së cilës programojnë dhe realizojnë hakmarrjen. Kuptohet se vëllai i Elidës, rrëzuesi i Enverit, e kishte të pamundur qëndrimin në Shqipëri dhe në vitin 1993 iku në Amerikë, pasi komunistët i kishin djegur shtëpinë, për hakmarrje. Tani kërcënimi i mbeti së motrës, Elidës, por edhe të të shoqit, Ferdinandit... Puna e parë që bënë ishte largimi i fëmijëve të vegjël nga shtëpia dhe dërgimi i tyre në disa fshatra të Korçës, të mbrojtur nga njerëz të devotshëm të PD-së.
Megjithatë, pas dy shtatorit gjendja u bë e padurueshme për familjen, e reduktuar në burrë e grua. Elida kishte një informacion se në listën e rrëzuesve të diktatorit, pranë emrit të të vëllait, ishte edhe emri i saj. Kuptohet se këto mund të quhen lista të zeza. Elida iku nga Shqipëria, disa ditë pas dy shtatorit. Tani ka mbetur Ferdinandi vetëm, me fjalët që i gumëzhijnë në vësh :”do të të të tërheqim zvarrë“.
Ja, si veprohet me opozitarët, në këtë vend të grabitjes së votës, vend në të cilin përkushtimi për të zbatuar me korrektesë procesin zgjedhor, ndëshkohet egërsisht.
(Shkrimi kishte, nga sa mbaj mend, edhe shumë argumente të tjera. Por kaq gjetëm. Sidoqoftë, është një dëshmi e luftës së klasave, ne vijim! Një panoramë që s’duhet të harrohet. Se po kërkohet të na vijnë, sërish, ditët e zymta të tetëvjeçarit.)