E Diel, 1 Nëntor 2026

Toka e shtetit, privatizim me çmimin e tregut ose taksë 10 për qind për përdoruesit

Çmimi i tokës do të përcaktohet nga çmimi i tregut, taksat mblidhen nga tatimet


Të gjithë ata persona që kanë ndërtuar mbi tokë shtetërore dhe kanë marrë pronësinë e ndërtesës por jo të tokës, mund ta privatizojnë këtë të fundit me kushte lehtësuese ose në të kundërt do të paguajnë një taksë prej 10% të vlerës së tokës në vit. Personat që kanë ndërtuar në tokë shtetërore dhe që kanë regjistruar pronësinë e ndërtesës, por jo të tokës,

kanë mundësinë ta privatizojnë tokën me kushte lehtësuese. Dje është miratuar në komisionin parlamentar të Ekonomisë projektligji për taksën e përdorimit të truallit. Projektligji vendos një taksë prej 10% të vlerës së tokës në vit për ata që nuk e privatizojnë atë. Deri më stani, kjo kategori, që përfshin rreth 13 mijë individë, nuk ka paguar asnjë qira apo detyrim tjetër për tokën mbi të cilën ka ndërtuar. Ndaj synimi i projektligjit është që këta persona të vendosin ta privatizojnë tokën ose të paguajnë një taksë vjetore. Personat që aplikojnë për privatizim brenda 6 muajsh mund të paguajnë deri në 20% të vlerës me Bono Thesari.


Skema
Në plan të parë duket se qeveria kërkon të vendosë taksë mbi trojet shtetërore në përdorim, por që në fakt qëllimi është privatizimi i tyre. Të gjitha ata që kanë truall në përdorim, do të detyrohen që të paguajnë rentën në nivelin 10 për qind. Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, është detyrim vjetor. Niveli i rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10 për qind e vlerës së tokës. Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. Pagesa e rentës bëhet brenda 15 shkurtit të vitit tjetër. 20 për qind e vlerës, shkon për bashkinë apo komunën ku është vendosur prona në përdorim dhe 80 për qind për buxhetin e shtetit, thuhet në projektligj.


Projektligji
Objekt i këtij ligji, është rregullimi dhe sigurimi i mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet vendosjes se rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim të individëve, që kanë përfituar nga procesi i privatizimit të ndërtimeve mbi truallin shtetëror, saktëson neni 1 i projektligjit. Renta mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, është detyrim vjetor, kurse niveli i rentës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10% e vlerës së truallit shtetëror në përdorim. Për llogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme, do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronës. Për vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, ngarkohen drejtoritë rajonale tatimore.


Ministria
Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe ministria e linjës, që përfshin objektin që do të privatizohet do të vendosin për mënyrën e kalimit të ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri private. Secila nga ministritë ka një të tretën e votës për të vendosur në lidhje me procedurat dhe vlerën financiare të privatizimit. Projektligji u miratua dje pasi Komisioni për Ekonominë dhe Financat mori dje në shqyrtim projektligjin Për një ndryshim në ligjin Nr. 7926, datë 20.4.1995 Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, si dhe projektligjin Për përdorimin dhe shfrytëzimin e tokave bujqësore të pakultivuara. Projektligji Për një ndryshim në ligjin nr. 7926, datë 20.4.1995 Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare, për të cilin Komisioni i Ekonomisë është përgjegjës, synon të sigurojë mirëmenaxhimin e të ardhurave të shoqërive aksionere me kapital shtetëror, duke pasur parasysh se Ministria e Financave ka një rol të rëndësishëm në politikat e zhvillimit ekonomik. Përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, sqaroi se qëllimi i këtij projektligji është monitorimi nga kjo Ministri e mirëmenaxhimit të shoqërive tregtare, si informimin e shpejtë dhe të saktë nga ana e tyre. Deputetët vlerësuan projektligjin e paraqitur, që pritet të shënojë një hap pozitiv në mirëadministrimin e këtyre shoqërive.

Ornela Manjani

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›