E Diel, 1 Nëntor 2026

Tokat në bregdet, Kuvendi miraton ligjin

Ligji i miratuar dje ligjëron trojet dhe vilat e deputetëve dhe ministrave në bregdet.


Me 73 vota pro dhe asnjë kundër, mazhoranca e djathtë ka votuar dje ligjin për tokat në bregdet

TIRANË- Kuvendi ka miratuar mbrëmë me unanimitet ligjin, që i bën të mundur së pari vet deputetëve dhe ministrave, që të blejnë për të ligjëruar trojet dhe vilat e tyre në bregdet.


Bëhet fjalë për ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", ose thënë ndryshe ligji, që do legalizojë nëpërmjet një procesi të posaçëm të gjitha ndërtimet e ligjshme dhe të paligjshme të bëra në fshatrat turistik deri në dhjetor të vitit 2008, një pjesë e të cilave siç edhe rezulton në të dhënat e deklaruara në ILDKP, janë pronë e një numri të konsiderueshëm deputetësh dhe ministrash.


Ligji


Me 73 vota pro dhe asnjë kundër, mazhoranca e djathtë ka votuar dje ligjin "Për rregullimin e pronësisë mbi truallin shtetëror në zonat me përparësi turizmin", i cili vjen si një nismë ligjore e qeverisë për të zgjidhur problemin e pronësisë në rreth 20 fshatrat turistikë, që janë licencuar në vendin tonë, objekt i të cilit do të jenë të gjitha ndërtimet e kryera para 31 dhjetorit 2008.


Ligjin në fjalë, ashtu si edhe në Komisionin e Ligjeve, e relatoi ish-Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili solli edhe një herë në vëmendje të deputetëve zgjidhjet, që i jepen çështjes së pronave, që ekzistojnë në zonat turistike, ose thënë ndryshe në ato prona shtetërore të cilat vite më parë janë dhënë me qira nga shteti për ndërtimin e fshatrave turistik dhe që gjatë viteve të tranzicionit ashtu si edhe shumë zona të tjera të vendit u mbi populluan me ndërtime të tjera të paligjshme.


Nisur nga një qëllim i tillë, ligji përcakton që të gjitha ndërtimet e kryera në këto zona para 31 Dhjetorit 2009 do të përfshihen në proces legalizimi, ku ndërtuesit apo poseduesit e këtyre ndërtimeve do të kenë mundësi, që t'i bëjnë ato përfundimisht prona të tyre, kundrejt blerjes që do t'i bëjnë tokës së përdorur si truall sipas çmimeve të tregut.


Por në ligj sanksionohet se poseduesi i ndërtesës do të mund të blejë fillimisht vetëm truallin mbi të cilin është ndërtuar objekti, ndërsa oborri dhe çdo pjesë tjetër si lulishte, rrugët e fshatit turistik do të kalojnë në bashkëpronësi. Çmimi i truallit që i shitet subjektit të interesuar ose personit të stimuluar do të jetë në proporcion me sipërfaqen e tij në funksion të njësisë së ndërtimit, që ai gëzon.


Kur trualli i shitet subjektit të interesuar çmimi paguhet në masën 80 për qind të vlerës prej subjektit dhe 20 për qind nga personi i stimuluar. Çmimi i truallit që do të paguajnë subjektet e mësipërme mund të reduktohet në masën 10 për qind nëse paguhet brenda 3 muajve nga data e njoftimit me shkrim dhe 20 për qind nëse paguhet brenda një muaji.


Ndërkohë, që vetëm pas blerjes së truallit sipas çmimeve të tregut, poseduesi mund të regjistrojë ndërtesën në ZRPP. I gjithë procesi i legalizimit të këtyre pronave në bregdet do të zgjasë vetëm 6 muaj, nga dita që ALUIZNI do të bëjë njoftimin publik për çmimin e truallit. Pas këtij afati ligji parashikon shkatërrimin e ndërtesave dhe kthimin truallit në fondin e kompensimit të ish-pronarëve.


Halimi

Por duket se ligji në fjalë nuk ka bindur të gjithë deputetët në zgjidhjet që i jep një sërë problemeve që lidhen me këtë proces. Kështu, para se të miratohej, njëri prej tyre, deputeti demokrat Eduart Halimi, i cili duke e njohur mirë përmbajtjen e këtij ligji ka konstatuar disa probleme, që krijohen nga zbatimi i tij.


"Mendoj se kemi dy probleme në ligj, së pari çështja e bashkëpronësisë mbi truallin në të cilin ndodhen banesat dhe çështja e dytë ajo e sanksionit se çfarë ndodh në rast se këta persona brenda afatit 6 mujor që përcakton ligji nuk bëjnë pagesën?", - u shpreh Halimi, duke bërë të ditur njëkohësisht dhe vështirësitë që krijoheshin në këto raste.


Sipas tij, ligji parashikon kalimin në pronësi individuale të banesës, pra të mureve të një pallati, dhe kalimin në bashkëpronësi të truallit, oborrit dhe pjesëve të tjera. Kjo zgjidhje për Halimin nuk është e drejtë pasi poseduesit e këtyre banesave i bie që të paguajnë dy herë për të njëjtën ndërtesë, një herë kur ia kanë blerë ndërtuesit dhe një herë tani shtetit.


"Poseduesit e këtyre banesave kanë paguar një çmim jo të vogël për blerjen e tyre me leje nga sipërmarrësi para disa vitesh, ndërsa tani do të duhet të paguajnë sërish, por përsëri nuk do të jenë pronarë me të drejta të plota të banesës, sepse trualli poshtë pallatit do t'i kalojë në bashkëpronësi të gjithë fshatit", - theksoi Halimi, i cili ngriti pikëpyetje se çdo të ndodh pas disa viteve kur ndërtesa do të rrënohet ose kur ajo mund të shkatërrohet për shkaqe naturale.


Sipas tij, në një rast të tillë pronari që do dalë nga ky ligj nuk do të ketë mundësi ta ndërtojë më atë, pasi për të bërë një gjë të tillë do të duhet të marrë lejen e gjithë fshatit. Gjithashtu ai ka evidentuar se ky ligj nuk i trajton shqiptarët si të barabartë.


Për zgjidhjen e këtyre dy problemeve Halimi ka propozuar që trualli ashtu si oborret të jepet në pronësi individuale të kushtëzuar, ku pronari të mos ndryshojë destinacionin e objektit apo të shtojë objekte të tjera.


Ndërsa lidhur me sanksionin që parashikon ligji në rast se subjektet e interesuara nuk bëjnë pagesën brenda gjashtë muajve, Halimi ka propozuar që ndërtesa apo objekti të mos prishet, por t'i jepet ish-pronarëve. Por, pavarësisht insistimit të tij, të dyja këto sugjerime nuk u morën parasysh gjatë votimit të ligjit nen për nen dhe më pas në tërësi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›