E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat pa sipërfaqe zbardhet procedura e rregjistrimit për pronarët



Tashmë të gjithë pronarët e tokave të klasifikuara si “tokë pa sipërfaqe” do të kenë mundësi të dinë procedurën standarde për regjistrimin e trojeve të tyre. Të gjitha pronat për të cilat nuk u dihet sipërfaqja e plotë, regjistrimi i tyre do të bëhet pranë zyrave të hipotekës, brenda 30 ditëve. Ajo që duhet në këtë rast është vetëm një deklaratë nga pronarët në kufi me pronën tuaj. Do të jenë zyrat vendore të regjistrimit të pasurive që brenda këtij muaji janë të detyruara të fillojnë këtë proçedurë për të gjitha ato prona që ndodhen brenda vijës urbane në qytetet e mëdha. Ky proçes, që për tre vjet me radhë ka qenë shkak për të lënë pezull shumë raste të paregjistruara, është çliruar nëpërmjet vendimit të qeverisë. Shumë toka do të jenë pjesë e një tregu formal tashmë, duke marrë edhe një vlerë financiare, pasi do të mund të vlerësohen dhe mbi to do të mund të investohet. Për sa i takon regjistrimit, pronari i tokës do të ketë mundësi në këtë mënyrë që të bëjë zyrtare me dokumente, të drejtën që ka mbi pronësinë. Ligji i mëparshëm linte vend për interpretime, ndërsa tashmë ata pronarë që mund ta dokumentojnë pronësinë e tyre, e kanë më të thjeshtë që të investojnë në të. Jo rrallë ky proçes është shoqëruar me abuzime nga ana e administratave në rrethe, me të cilat zyrat e regjistrimeve do të jenë pjesë e verifikimit, nga zyrat e hipotekave. Pronësinë dhe kufijtë e pasurisë së paluajtshme, që kërkon të regjistrojë, kërkuesi, duhet ta provojë me dokumentet e pronësisë në kuptim të nenit 193, të Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë.
Regjistrimi
Individët, familjet, personat juridikë, privatë ose shtetërorë, që zotërojnë dokumente, me të cilat provojnë pronësinë mbi një pasuri të paluajtshme dhe kufijtë e saj, por nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen e pasurisë, për regjistrimin e saj, ku për zonën kadastrale, në të cilën ndodhet pasuria, nuk ka përfunduar regjistrimi fillestar i pasurive, duhet t'i paraqesin regjistruesit, një kërkesë për regjistrim fillestar pronësie. Nga ana tjetër, vendimi i qeverisë miratuar vetëm pak kohë më parë, parashikon që pasuritë e paluajtshme, që nuk kanë të përcaktuar sipërfaqen, të cilat ndodhen në zona kadastrale, për të cilat, në çastin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, është duke u zhvilluar regjistrimi sistematik i pasurive, atëherë ato nuk mund të regjistrohen në një kartelë dhe hartë treguese regjistrimi, në emër të pronarit, pa u zhvilluar më parë proçedura e regjistrimit të tyre, e përcaktuar në këtë vendim. Ndërkohë, për pasuritë e paluajtshme, që nuk e kanë të përcaktuar sipërfaqen në dokumentet ligjore të pronësisë dhe as sipas proçedurës së përcaktuar në këtë vendim, të cilat ndodhen në zona kadastrale, për të cilat regjistrimi sistematik i pasurive do të përfundojë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, regjistrimi në një kartelë dhe hartë treguese regjistrimi, në emër të pronarit, do të bëhet vetëm pasi të zhvillohet procçdura e regjistrimit, e përcaktuar në këtë vendim.
Shtetërore
Kur në kufi të pronës, për të cilën është paraqitur kërkesë regjistrimi, janë prona shtetërore, si rrugë, rrugica, sheshe publike, lulishte, ndërtesa publike etj. Deklarata noteriale zëvendësohet nga konfirmimi zyrtar, i dhënë nga bashkia/njësia bashkiake apo komuna përkatëse, e cila është pronare apo administron pronën shtetërore, pavarësisht faktit nëse bashkia apo komuna është e regjistruar si pronare apo administratore e pasurisë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Kur në kufi të pronës janë prona të individëve, persona, fizikë apo juridikë, privatë a shtetërorë, të cilët nuk e kanë të regjistruar pasurinë në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, deklarata noteriale e pronarit kufitar do të zëvendësohet nga një deklaratë noteriale, e bërë nga këta persona, në cilësinë e poseduesit të pasurive kufitare. Në këtë rast, përveç deklaratës noteriale të poseduesit të pasurisë kufitare, zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme më poshtë (ZRPP) procedon edhe me shpalljen e genplanit apo të planvendosjes së pasurisë, sipas proçedurës së parashikuar në pikën 10, të këtij vendimi. Ndërkohë, në rastin kur pasuritë publike, kufitare me pasurinë për të cilën është paraqitur kërkesa për regjistrim, janë të regjistruara në zyrën e regjistrimit, në emër të një enti tjetër shtetëror, të ndryshëm nga bashkia apo komuna, konfirmimi duhet të bëhet nga titullari apo personi i autorizuar nga ky ent.

Rregjistrimi kur prona kufitare ka më shumë se dy bashkëpronarë

Kur pronën kufitare e kanë në pronësi dy a më shumë bashkëpronarë, kërkuesi paraqet deklaratat noteriale të bashkëpronarëve, për të cilët është e mundur marrja e deklaratës noteriale. Për bashkëpronarët e tjerë, për të cilët nuk është e mundur objektivisht marrja e deklaratës noteriale, zbatohen proçedurat e përcaktuara në pikën 10, të këtij vendimi. Në rast se kërkuesi zotëron dokumente pronësie, të përcaktuara në nenin 193, të Kodit Civil, vetëm për objektin (ndërtesë), i cili nuk e ka të përcaktuar sipërfaqen, regjistruesi procedon me regjistrim vetëm të objektit, pavarësisht se kufijtë e përmendur në dokumentin e pronësisë së objektit mund t'i referohen sipërfaqes, mbi të cilën është ndërtuar ky objekt. Në këtë rast, kërkesës për regjistrim fillestar të objektit, kërkuesi duhet t'i bashkëlidhë: planvendosjen/genplanin e truallit, mbi të cilin ndodhet objekti, sipas kufizimeve, që tregon dokumenti i pronësisë së objektit; planvendosjen/genplanin, i cili tregon pozicionin gjeografik të pasurisë (objektin), për të cilën është paraqitur kërkesa; deklaratat noteriale të kufitarëve. Kur për arsye objektive, kërkuesi nuk ka mundur të sigurojë deklaratat e pronarëve kufitarë, ndiqet proçedura e parashikuar në pikën 10, të këtij vendimi. Regjistruesi, nëse e gjykon të nevojshme, në zbatim të nenit 5, të ligjit nr.7843, datë 13.07.1994, verifikon vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur nga kërkuesi. Për këtë qëllim, ai ka të drejtë të kërkojë dokumente nga të tretët, persona fizikë ose juridikë, zyrat e noterisë dhe organet e administratës.

Përmbajtja e kërkesës për regjistrim

Kërkuesi nënshkruan një deklaratë pranë ZRPP-së, me të cilën vërteton, në përgjegjësinë e vet, se nuk ka mundur, për arsye objektive, të sigurojë deklaratën noteriale të pronarit apo të pronarëve kufitarë me pasurinë që kërkon të regjistrojë, si dhe natyrën e pamundësisë objektive. Në rast se pronari kufitar, brenda afatit prej 45 ditësh, paraqet në ZRPP ankesë apo pretendim të argumentuar e të mbështetur në dokumente ligjore për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi refuzon regjistrimin. Në rast se nga pronari kufitar nuk paraqitet në ZRPP, brenda afatit prej 45 ditësh, ankesë apo pretendim për kufijtë e pasurisë, për të cilën kërkohet të bëhet regjistrimi, regjistruesi, brenda 5 ditëve pune nga data e përfundimit të afatit të mësipërm, harton, në dy kopje, një proçesverbal, i cili përmban një përshkrim të proçedurave të kryera. Një kopje e proçesverbalit depozitohet në arkivin e ZRPP-së, ndërsa kopja tjetër administrohet në dosjen e kërkuesit të regjistrimit të pronës.

Dokumentet për regjistrimin fillestar të pronësisë

-Dokumentin (aktin e fitimit të pronësisë), sipas nenit 193, të Kodit Civil, të regjistruar ose të paregjistruar në regjistrin hipotekor;

-Deklaratat noteriale të pronarëve të pasurive kufitare, që vërtetojnë përmbajtjen e kërkesës për pronësinë dhe kufijtë e pasurisë, që pretendohet nga kërkuesi;

-Planvendosjen/genplanin e pasurisë (i njëjtë me atë, që i bashkëlidhet deklaratave noteriale apo konfirmimeve të entit shtetëror);

-Dokumentacion nga arkivi teknik i ndërtimit, që pasqyron hartografisht gjendjen e pasurisë, që pretendohet;

-Mandatpagesën e shpenzimeve të regjistrimit (tarifa, taksa, shpenzime të tjera, nëse ka të tilla).

29 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›