E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tola përfundon i 48-ti

Përfaqësuesi i vetëm shqiptar i Olimpiadës dimërore ‘Vancouver 2010’, Erjon Tola, e ka mbyllur të shtunën aventurën e tij në këtë kompeticion. Skitari shqiptar, që u nis i 91-ti, nuk shkëlqeu shumë në garën e sllallomit, por u vërejt një përparim tek paraqitja e tij, nëse kihet parasysh numri i garuesve, 101.

23 vjeçari, që banon në Itali, në ditën e parafundit të Olimpiadës, u ngrit në këmbë pas një gabimi të madh që bëri, për ta përfunduar garën e parë për 1 minutë e 33.94 sekonda, +46.15 nga fituesi i medaljes së artë, italiani Giuliano Razzoli, që garën e mbylli për 47.79 sekonda. Shqiptari ishte më i ngadalshëm se debutuesi ganez ‘Snow Leopard’ Kwame Nkrumah-Acheampong, që e mbylli garën për 1:09.08.

Tola, i cili i ushtronte turistët në stazën Breuil-Cervinia, e përfundoi garën e parë në pozitën e 54-t nga 101 skitarët që e nisën garën e parë. 43 garues nuk e përfunduan stazën, ndërsa katër të tjerë u diskualifikuan. Ndërsa, në rezultatin përfundimtar, pas garës së dytë, skitari shqiptar u rendit në pozitën e 48-të, me kohën e përgjithshme 2:43.88 minuta, +1:04.56 prapa fituesit Giuliano Razzoli.

“Terreni ishte i akullt, por ishte e shkëlqyeshme”, ka thënë Tola për Reuters, me një buzëqeshje në fytyrë pas përfundimit të garës. “Pjesa e parë ishte mjaft e shpejtë, por mjaft e lehtë për të bërë gabime. Kjo ishte ajo që e bëra. Unë bëra një gabim mjaft të madh dhe isha jashtë”, shtoi ai.

Mirëpo, skitari shqiptar e mori veten dhe ia doli mbanë. “Por, unë e shikova stazën dhe thash ‘jo, unë dua ta përfundoj këtë garë’. Kjo ishte arsyeja se pse unë u riktheva në garë dhe e përfundova, sepse kjo është një Olimpiadë”, vazhdoi Tola.

Edhe pse mbeti +1:04.56 prapa fituesit Giuliano Razzoli, ai këtë nuk e sheh si dramatike. “Koha nuk është shumë me rëndësi. Mjafton që të arrish ta prezantosh vendin tënd, kjo është fryma e Olimpiadës”, shtoi ai.

Tola kishte marrë pjesë në sllallomin gjigant të Torinos, në Olimpiadën 2006, duke përfunduar i 35-ti. Në të njëjtën disiplinë, në Vancouver ai kishte përfunduar i 63-ti. “Unë jam i vetmi garues nga Shqipëria, dhe në krahasim me Torinon, këtu është më bukur dhe gara është më e lehtë. Në Torino terreni ishte mjaft i akullt”, përfundoi Tola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›