E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ymydin në sindikatë

Rreth 2600 kosovarët e punësuar në kompaninë Bechtel-Enka, në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdar, pritet të bëhen me sindikatë. Sipas sindikalistëve të ndërtimtarisë, kjo është e nevojshme pasi që kompania nuk po e respekton Ligjin e punës. Punëtorët në autostradë punojnë 12 orë në ditë dhe pagat e tyre janë të vogla. Nga Albulena Maloku më 28 maj 2011 në ora 10:43

Punëtorët e autostradës të gjitha shpresat e tyre i kanë hedhur në krijimin e një sindikate. Më se 2600 punëtorët vendorë që punojnë aktualisht në kompaninë Bechtel & Enka, për ndërtimin e autostradës Vërmicë –Merdar, presin që të drejtat e tyre t’i mbrojnë me formimin e sindikatës.

Kompania amerikano-turke, sipas sindikalistëve, është duke i shkelur punëtorët kosovarë dhe nuk është duke e zbatuar Ligjin e punës. Sipas tyre, aty është duke u punuar nga 12 orë në ditë, me një pagesë që nuk arrin pagën minimale prej 170 euro për 172 orë në muaj. Përveç kësaj, ata do të kërkojnë të kenë edhe mbrojte në punë dhe pagesë edhe pas orarit.

Gjatë javës së ardhshme, udhëheqësit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) do t’i vizitojnë punëtorët atje dhe do të takohen me menaxhmentin e kësaj kompanie, për të arritur pajtimin për formimin e një sindikate, që do t’i mbrojë punëtorët kosovarë atje.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi tha për “Express” se ankesa për shkeljen e të drejtave të këtyre punëtorëve ka pasur në BSPK. Ai thotë se në zyrat e tyre, punëtorët janë ankuar vetë për këtë çështje.

“Te ne në sindikatë kanë ardhur dy herë deri më tash punëtorët dhe ata kanë treguar se si kompania po ua shkel të drejtat në punë”, tregon Arifi. E këto ankesa, ai thotë se i kanë shtyrë që të ndërmarrin një hap për formimin e një sindikate, e cila do t’i mbrojë ata në çdo rast, derisa të jenë të punësuar në autostradë. Ai tregon se kanë pasur kontakte me vetë zëdhënësen e Bechtel & Enkës dhe javën që vjen presin të kenë një takim me të dhe me menaxhmentin e kompanisë.

”Me këtë rast, ne presim që të arrijmë gjuhë të përbashkët dhe besoj se as menaxhmenti nuk do të ndërhyjë në formimin e kësaj sindikate”, tha kryetari Arifi.

Me këtë rast, sindikata do t’i vizitojë edhe punëtorët në këtë pjesë ku po ndërtohet autostrada dhe nga këtu, Arifi thotë se do të shohin drejtpërsëdrejti se sa është duke u zbatuar Ligji i punës.

“E di se aty punohet nga 12 orë në ditë, e sa paguhen do ta mësojmë me rastin e vizitës që do të bëjmë”, thotë kryetari i BSPK’së, Haxhi Arifi. Por më shumë për gjendjen e rëndë të atyre që janë të punësuar në këtë kompani, flasin edhe ata të Sindikatës së Ndërtimtarëve. Kryetari i Degës së ndërtimtarëve në Sindikatën e Sektorit Privat, Avni Ajdini, formimin e një sindikate e sheh të arsyeshme dhe të domosdoshme, pasi që, sipas tij, aty janë duke u shkelur të drejtat e vendorëve.

“Aty shkelen të drejtat shumë, se jo pak. Mirëpo për fat ne jemi informuar për këto shkelje përmes kontakteve që i kemi pasur me punëtorët, edhe pse ata nuk janë pjesë e sindikatës”, thotë Ajdini. E për të pasur mbështetjen e tyre, ai thotë se ata duhet të jenë ligjërisht anëtarë të tyre në bazë të statusit, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre. Ai konfirmon se me takimin e javës që ardhshme, do të bëhet e mundshme edhe formimi i sindikatës.

“Unë konsideroj dhe jam i bindur se do të mbrohen me sindikatë më se 2600 punëtorët vendorë të autostradës. Dhe tani e shoh nevojë urgjente formimin e sindikatës së tyre”, thotë kryetari Ajdini. Ai tregon se nuk dinë as sa po i paguan kompania dhe pasi aty punohet edhe pas orarit të punës dhe pa mbrojtje në punë sipas standardeve dhe ligjit. “Një ankesë e tyre na ka ardhur nga Raiffeisen Banka dhe paga minimale është shumë e vogël, por nuk mund të them saktë sa është”, thotë Ajdini.

Të premten ka qenë e pamundur të merrej përgjigje nga zyrtarët e kompanisë Bechtel&Enka lidhur me këtë çështje.

E kryeinspektori në Ministrinë e Punës, Basri Ibrahimi, tha për gazetën se Ligji i punës vlen për të gjitha kompanitë e huaja që punojnë në Kosovë.

”Këto kompani së pari duhet të marrin lejen në Departamentin e Punësimit dhe me këtë rast ato obligohen të zbatojnë Ligjin e punës”, thotë Ibrahimi. Gjatë inspektimit të punëtorëve në pjesën ku po ndërtohet autostrada, ai thotë se kanë vërejtur se në princip ligji është duke u zbatuar. Por ajo çka është më problematike, sipas tij, është paga shumë e vogël që po e marrin kosovarët për punën e tyre.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›