Arkivat kineze e sovjetike, si shiti Andropovi, Liri Belishovën tek Enveri
Prof. Dr. ANA LALAJ
Ajo që ngjau në mbledhjen e Bukureshtit, në qershor 1960, dha shenjën e parë publike se udhëheqja komuniste shqiptare nuk pranonte të drejtohej në mënyrë të pakushtëzuar nga Moska. Përfaqësuesi shqiptar Hysni Kapo, sekretar i KQ të PPSH u vendos i vetëm, përballë sekretarëve të parë të partive komuniste të vendeve të Traktatit të Varshavës, të cilët ishin në union të plotë me Hrushovin. Dokumentet shqiptare, kineze dhe sovjetike të deklasifikuara kohët e fundit hedhin dritë mbi kthesën dramatike të Shqipërisë që filloi në mbledhjen e Bukureshtit e që nxori në pah kontradiktat e bllokut komunist, por dhe ndikoi në përçarjen e tij të mëtejshme. Më 2 qershor 1960, Sekretari i Parë i PKBS, Nikita Hrushov, i dërgoi një letër KQ PPSh ku njoftonte për një mbledhje “të përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore motra të kampit socialist”, për “shkëmbim mendimesh në lidhje me gjendjen ndërkombëtare”. Ai propozonte që kjo mbledhje të bëhej në Bukuresht gjatë kohës që atje do të zhvillonte kongresin Partia Punëtore Rumune. Më 6 qershor 1960, Enver Hoxha iu përgjigj pozitivisht ftesës duke bërë me dije se PPSh do të përfaqësohej nga një delegacion i nivelit të lartë, i cili do të kryesohej nga ai vetë. Por megjithatë në mbledhjen e Bukureshtit nuk shkoi Enver Hoxha por Hysni Kapo.
Një pyetje mund të ngrihet: Përse E. Hoxha ndërroi mendim dhe nuk shkoi në Bukuresht? Më 5 qershor, E. Hoxha mori dhe një telegram, me radio nga Liri Belishova, sekretare e KQ PPSh, e cila ndodhej në Kinë. Tre ishin problemet që shtronte Liri Belishova:
1-Udhëheqësit kinezë u kishin folur me orë të tëra për mosmarrëveshjet e tyre me sovjetikët. Liria u ishte përgjigjur se “nuk ishte e autorizuar për këto bisedime”.
2-Udhëheqësit kinezë mendonin që mbledhja e përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore në Bukuresht “të bëhet më vonë”, pasi kjo mbledhje duhej të përgatitej mirë për tre-katër muaj “ashtu si mbledhja e Moskës e 1957”.
3-Udhëheqësit kinezë kërkonin të dinin mendimin e udhëheqësve shqiptarë për artikujt kinezë “Rroftë Leninizmi”, të botuar në prill 1960, pyetje së cilës Liria nuk i ishte përgjigjur drejtpërdrejt.
E. Hoxha e shtroi telegramin e Liri Belishovës për diskutim në Byronë Politike të PPSh. Ishte e njëjta ditë, 6 qershor dhe e njëjta mbledhje, ku u mor vendim edhe për vajtjen e Enver Hoxhës në takimin e Bukureshtit. Fryma e përgjithshme e diskutimeve ishte në mbështetje të BS. Vetë E. Hoxha u shpreh se i takonte PKBS ta shtynte ose jo mbledhjen e Bukureshtit dhe se delegacioni shqiptar në Bukuresht do të mbante qëndrimin që do të mbante edhe BS. Megjithatë E. Hoxha u ndje i vlerësuar nga mesazhet e kinezëve. Përfaqësuesit e një partie të madhe, siç ishte PK të Kinës, i hapnin zemrën, i kërkonin mendim dhe mbështetje. Por po aq, ai u ndje edhe i shqetësuar. Mosmarrëveshjet ishin ndërmjet dy partive më të mëdha të kampit socialist. Në telegramin që i dërgoi Lirisë për kinezët, ai u shpreh: “Ne i kuptojmë shumë mirë arsyet e kinezëve”; pjesëmarrja e tyre në konferencën e Bukureshtit është “e domosdoshme”; momenti kërkon që “të shtrëngojmë radhët rreth PKBS”; artikujt kinezë KQ i ka gjetur “shumë të mira”.
Më 7 qershor 1960, E. Hoxha mori letrën e dytë të Hrushovit, ku informohej se disa parti kishin kërkuar shtyrjen e mbledhjes. Hrushovi kërkonte për këtë mirëkuptimin e udhëheqjes shqiptare dhe njëkohësisht i ftonte përfaqësuesit e PPSh të vinin në Bukuresht, për “të vendosur definitivisht datën e organizimit të konferencës”. Po në atë letër shtohej se “nuk përjashtohej shkëmbimi i mendimeve... pa marrë asnjë farë vendimi”. Shtyrja e mbledhjes përforcoi te E. Hoxha dyshim se në marrëdhëniet ndërmjet PKK dhe PKBS kishte ndodhur një krisje e madhe. Ai e kishte kapur mesazhin e kinezëve se në mbledhjen e Bukureshtit jo thjesht do të shkëmbeheshin mendime për situatën ndërkombëtare, por mund të merreshin edhe vendime për mosmarrëveshjet kino-sovjetike. Pavarësisht se ç’shkruhej në letrën e dytë të Hrushovit, Enver Hoxha dyshoi se takimi i përfaqësuesve të partive në Bukuresht do të ishte i nxehtë dhe me përgjegjësi, pasi pjesëmarrja në mbledhje obligonte për prononcim çdo delegacion partie.
Enver Hoxha tërhiqet nga delegacioni
Pikërisht në këtë moment, E. Hoxha bëri një lëvizje taktike. U tërhoq nga delegacioni i Bukureshtit dhe zgjodhi të ndjekë me vigjilencë ngjarjet. Në këtë mënyrë E. Hoxha i linte vetes më shumë kohë dhe mundësi për të llogaritur lëvizjet e ardhshme. Ai i ktheu menjëherë përgjigje Hrushovit se KQ PPSh “është plotësisht dakord me shtyrjen e mbledhjes”, la në heshtje takimin e mundshëm midis përfaqësuesve të partive komuniste e punëtore që propozonte Hrushovi në Bukuresht dhe nuk kërkoi asnjë sqarim për objektin e “shkëmbimit të mendimeve”. Nga ana tjetër, njoftoi KQ PP Rumune se në kongres të PK Rumune do të merrte pjesë një delegacion i kryesuar nga Hysni Kapo, sekretar i PPSh.
Ndërkohë delegacioni shqiptar u porosit që të mos përzihej dhe të mos bëhej palë në mosmarrëveshjet kineze-sovjetike në Bukuresht. Ai u autorizua vetëm për të dhënë mendim për kohën dhe vendin e konferencës së ardhme midis partive komuniste dhe punëtore. Kështu, edhe nëse bëhej mbledhja e propozuar nga Hrushovi, H. Kapo nuk ishte personi që mund të vendoste. Me këtë qëndrim, më se të drejtë, udhëheqësit shqiptarë po tërhiqeshin nga orbita e tyre e përhershme e satelitit të PKBS. Ky përjashtim nga rregulli i përgjithshëm do të bëhej i dukshëm në ditët e mbledhjes së Bukureshtit. Mungesa e E. Hoxhës në krye të delegacionit shqiptar ra në sy të të gjithë pjesëmarrësve. Ai ishte i vetmi delegacion që nuk kryesohej nga sekretari i parë.
Që në takimin e parë të H. Kapos me Andropovin, shefin e Departamentit të marrëdhënieve të PKBS me Partitë Komuniste dhe Punëtore të vendeve socialiste, dhe Mogjoroshin, anëtarin e KQ PK Hungareze, biseda do të ishte e tendosur. Hysni Kapo bëri të paditurin për praninë e gjithë sekretarëve të parë në Bukuresht, si dhe për mbledhjen e përfaqësuesve të partive të ftuara që mund të organizohej pas kongresit të PP Rumune. “Po ta dinim mund ta kishim menduar dhe përbërjen e delegacionit tonë”, i tha ai Antropovit. Ndërsa Antropovi u përpoq të rreshtonte H. Kapon në anën sovjetike, duke i shpjeguar në këndvështrimin e tij për disa orë rresht çështjet e mosmarrëveshjeve me kinezët. Madje, në shenjë vlerësimi, Antropovi, solli dhe shembullin e Liri Belishovës dhe Gogo Nushit, të cilët gjatë vizitës në Kinë, i kishin përcjellë këshilltarit të ambasadës sovjetike në Pekin të gjitha bisedat zyrtare me kinezët. Ai e quajti qëndrimin e tyre “principial”, “bolshevik”, dhe u shpreh se Hrushovi kishte mbetur “shumë i kënaqur” etj. Zyrtarë të tjerë sovjetikë biseduan me Sul Bahollin dhe Thanas Nanon, anëtarët e tjerë të delegacionit shqiptar, të cilëve qysh në fillim iu bëhej deklarata: “Besojmë se partia juaj (PPSH) ju ka informuar për mosmarrëveshjet kino-sovjetike”.
Të gjitha këto biseda në Bukuresht, H. Kapo ia përcolli me hollësi E. Hoxhës në Tiranë nëpërmjet radiogrameve të shumta, ndërsa ky i fundit i lexonte ato në Byronë e PPSh, duke bërë komentet e veta dhe duke shtuar dyshimet. Takimet e sovjetikëve me anëtarët e delegacionit shqiptar E. Hoxha i konsideroi si përpjekje për të bërë “fajtore udhëheqjen e PPSh se gjoja ajo nuk i kishte vënë në korrent” anëtarët e saj. Madje edhe lavdërimet e sovjetikëve për Liri Belishovën, sekretaren e PPSh, ai do t’i përjetonte si kundërvënie e sinjale për largimin e tij nga pushteti. Por pavarësisht se të gjitha rastet mbeten për t’u vlerësuar, dokumentet sugjerojnë se më e mundshme është që tek E. Hoxha, me kohë të jetë krijuar një “ferment” anti-Hrushov, që mezi priste të shpërthente diku. Kursi i destalinizimit i ndërmarrë nga Hrushovi, e kishte frikësuar e revoltuar Enver Hoxhën, por ai gjithnjë ishte zmbrapsur duke qëndruar vigjilent.
Shqipëria del nga “rreshti”
Në Bukuresht H. Kapo, i mësuar për çdo fjalë dhe qëndrim nga E. Hoxha, e konsideroi “të parakohshme” mbledhjen e përfaqësuesve të partive komuniste dhe punëtore. Ai kërkoi që të organizohet një mbledhje e ardhshme pas disa muajsh, “që të gjykojë se kush e ka drejt ose gabim”. Duke vepruar në këtë mënyrë, delegacioni shqiptar mbështeti kërkesën e kinezëve për ta shtyrë mbledhjen e partive komuniste dhe punëtore për probleme ndërkombëtare për të cilat PKBS dhe PKK kishin mosmarrëveshje. Në Bukuresht u arrit që mbledhja të shtyhej me argumentin “për përgatitje më të mirë”.
Në thelb, shtyrja do të thoshte se mbledhja e ardhshme do të ishte më e gjerë dhe diskutimi të hapej. Në të do të merrnin pjesë jo më 12 partitë e vendeve socialiste si në Bukuresht, por edhe parti të tjera komuniste dhe punëtore të Azisë e të gjithë botës. Ndërmjet tyre, PKK kishte përkrahësit e vet, gjë që presupozonte një rezistencë më të madhe ndaj Hrushovit e grupit të tij. Rreshtimi i ri i partive në Bukuresht do të merrte formë më të qartë e më të plotë në konferencën e Moskës, në nëntor 1960.
“Humbja” e Hrushovit në mbledhjen e Bukureshtit i kushtoi Shqipërisë ftohjen e marrëdhënieve me BS, refuzimin e kërkesës për 50 000 ton grurë në korrik 1960 (vetëm 10 000 ton u siguruan në tetor), ndërprerjen e ndihmave ushtarake nga Traktati i Varshavës etj. Jashtë shtetit, diplomatët sovjetikë filluan të silleshin ftohtë ndaj diplomatëve shqiptarë, madje të mos u jepnin as dorën.
Ndërsa në Shqipëri, Byroja Politike dhe KQ i PPSh ende pa mbaruar mbledhja e Bukureshtit njoftuan sekretarët e parë për mosmarrëveshjet kineze-sovjetike. Më pas vazhduan analizat për mbledhjen e Bukureshtit, për të gjetur autorin dhe fajtorin e saj, për të vlerësuar qëndrimin “parimor” të delegacionit shqiptar dhe për të dënuar takimet e Liri Belishovës me sovjetikët, gabimet e qëna dhe të paqëna të së cilës i bënë ortek nga mbledhja në mbledhje. Fillimisht ajo u akuzua për “nxjerrjen e sekretit”, më pas se “kishte thyer unitetin e udhëheqjes”, deri sa u arrit te “qëndrimi armiqësor dhe në opozicion me vijën e Partisë”, gjë që i kushtoi L. Belishovës përjashtim nga Partia dhe internim. Në këtë kohë, Enver Hoxha manipuloi me rastin Belishova dhe Tashko, për të spastruar rrugën nga ata që udhëheqësit sovjetikë i konsideronin besnikë të tyre në Shqipëri. Në plenumet e partisë filloi të bëhej historiku i marrëdhënieve sovjetike-shqiptare që pas vdekjes së Stalinit dhe, të zbuloheshin të gjitha momentet kur PPSh ishte mbajtur në distancë apo ishte vepruar në dëm të interesave të saj. Qëndrimi i Hrushovit ndaj Kominformit, jugosllavëve, ngjarjeve në Hungari e Poloni, Venizellosit etj., u bënë çështje diskutimi në çdo plenum. U ndez një histeri akuzash ndaj Hrushovit e udhëheqësve të tjerë të PKBS, që tërthorazi nxirrte në pah dhe qëndrimin e dyfishtë të deriatëhershëm E. Hoxhës dhe të udhëheqësve shqiptarë ndaj “mikut të madh”. Në këto plenume vazhdohej të deklarohej se “nuk kemi konflikt ideologjik e politik me BS”, por në praktikë çdo shoqërim i zyrtarëve të lartë deri te qytetarët e thjeshtë me sovjetikët, filloi të konsiderohej “herezi” dhe të gjurmohej nga organet e Sigurimit.
PKK dhe PPSh në të njëjtën anë të barrikadës antisovjetike
Ndërkohë një tablo tjetër paraqitej në marrëdhëniet e PPSh me PKK. Udhëheqësit shqiptarë ndjeheshin të vlerësuar nga miqtë e rinj kinezë. Ministri i Jashtëm çen do t’i shprehej ambasadorit shqiptar në Pekin se: “Ne jemi të prekur nga qëndrimi i partisë suaj. Qëndrimi i partisë suaj na inspiron dhe inkurajon në punët tona”. Më 1 tetor 1960, me rastin e 11 vjetorit të formimit të RP Kinës, E. Hoxha mori pjesë në pritjen e ambasadës kineze në Tiranë, kurse më 29 nëntor 1960, me rastin e përvjetorit të çlirimit të Shqipërisë, Mao Ce Duni mori pjesë në pritjen që dha ambasada shqiptare në Pekin. Qeveria kineze iu përgjigj menjëherë kërkesës së qeverisë shqiptare për të blerë 50 000 ton grurë. Ndërsa në tetor 1960, qeveria kineze plotësoi një kërkesë tjetër të shqiptarëve për drithëra, ushqime dhe për një hua 1 500 000 dollarë pa përqindje. U shkëmbyen disa delegacione të ndërsjella ekonomike, kulturore, shëndetësore etj.
Kjo atmosferë miqësore në marrëdhëniet shqiptare-kineze, u bë preludi i qëndrimit të E. Hoxhës në mbledhjen e Moskës. E. Hoxha, dhe në union me të e gjithë udhëheqja shqiptare, e konsideruan PKK një alternativë të re në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Thyerja kino-sovjetike bëri të mundur shpërthimin e pakënaqësisë ndaj Hrushovit të akumuluar në vite te E. Hoxha dhe udhëheqësit shqiptarë. Mbështetja e gjithanshme ekonomike që Kina i dha Shqipërisë menjëherë pas Bukureshtit, si dhe qëndrimi i ngjashëm i PPSh dhe PKK ndaj Jugosllavisë, kultit të individit, çarmatimit etj., i vendosi të dy partitë në të njëjtën anë të barrikadës antisovjetike. Udhëheqësit shqiptarë e konsideruan PKK siguri për mbijetesë dhe në këmbim morën përsipër të ofronin shumë më tepër se ç’u mbanin shpatullat. Rrëmbimi dhe gjaknxehtësia me të cilin ata u përplasën me PKBS dhe roli që luajtën më vonë në lëvizjen komuniste ndërkombëtare duke mbështetur “splitting parties” (partitë maoiste) e dëshmon këtë.
Moskë 1960: Kinezët shkuan për t’u marrë vesh me sovjetikët, ndërsa shqiptarët për t’u ndarë
Fjalimi që E. Hoxha mbajti në mbledhjen e Moskës, nëntor 1960, tanimë është i njohur për ashpërsinë e tij. Me ndërgjegje ai doli jashtë kufijve që parashihte Komunikata për thirrjen e mbledhjes, duke sfiduar hapur udhëheqësin e partisë më me autoritet të bllokut komunist. Në mbledhjen e Moskës, roli dhe pushteti i pa sfidueshëm i PKBS u trondit. Udhëheqësit kinezë, pavarësisht se në minoritet, e ndjenë veten të fituar se i rrëshqitën izolimit në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Madje Moska dëshmoi se PKK po merrte një rol të ri në lëvizjen komuniste ndërkombëtare. Delegacioni kinez qëndroi deri në fund të mbledhjes dhe hyri në kompromis me sovjetikët për konkluzionet e Deklaratës përfundimtare. Ndërsa E. Hoxha u largua gjaknxehtë nga mbledhja e Moskës ende pa mbaruar ajo. Akuzave të Hoxhës, Hrushovi nuk i ktheu përgjigje. Sigurisht kjo nuk erdhi për shkak të mungesës së “argumenteve” në anën e tij. Arsyet duhet të jenë më të thella, që qëndrojnë ndofta edhe në vetë dokumentet e miratuara në konferencën e Moskës për “unitetin” e “për të mos parë pas”. Megjithatë në Kongresin e XXII të PKBS, në tetor 1961, Hrushovi e “mori hakun”.
Përsa i takon konferencës së Moskës, ajo që është pothuajse e papublikuar deri më sot, janë takimet sekrete, që delegacioni shqiptar i kryesuar nga H. Kapo ka bërë me delegacionin kinez, të kryesuar nga sekretari i PK Kinës, Ten Siao Pin, në Moskë, në tetor - nëntor 1960. Atë kohë, të dy delegacionet ishin pjesë e komisionit të krijuar për të përgatitur dhe për të redaktuar dokumente kryesore të konferencës së Moskës. Më 2 dhe 23 tetor 1960, me porosi të E. Hoxhës, do të organizohej takimi i parë sekret i Hysni Kapos me Ten Siao Pinin në ambasadën kineze. Ata biseduan me hollësi mbi diskutimet që do të bënin, taktikën që do të ndiqnin dhe objektivat që duhej të arrinin gjatë punës së tyre. Ten Siao Pini sugjeroi se duhej të shfrytëzohej çdo mundësi që të provokohej diskutimi për të folur me “letra të hapura”, por duhej diskutuar “me maturi” “për pikëpamjet” dhe “pa emra”. Diskutimet duhej të kufizoheshin rreth Projekt –deklaratës. Një mënyrë e tillë veprimi nuk i pëlqeu kreut të PPSh, E. Hoxhës, që e kërkonte deklaratën “me barut” dhe “jo me pambuk”. Ai i pakënaqur do t’i shkruante H. Kapos se “Shokët kinezë i preokupon përshtypja dhe atmosfera që mund të krijohet nga sulmi i tyre te delegatët e Komisionit ose më vonë të konferencës. Kjo nuk është e mirë... Unë mendoj se fjalimet e Ten Siao Pinit tregojnë kërkesën e një kompromisi me sovjetikët”. E. Hoxha kishte goditur në shenjë. Pavarësisht se delegacioni shqiptar arriti të sinkronizonte veprimet me delegacionin kinez, qëllimi ishte i ndryshëm: Njëri kishte shkuar për t’u ndarë me Moskën, ndërsa tjetri për t’u marrë vesh. Gjithsesi, në sajë të lëshimeve të ndërsjella kino-sovjetike, u arrit që nga konferenca e Moskës të dilej me një Deklaratë “unike e parimore”, që edhe vetë E. Hoxha do ta shfrytëzonte më pas për të mbrojtur statusin dhe qëndrimet e tij ortodokse.
Mao Ce Duni: Neve nuk mund të sillemi si shqiptarët..
Pavarësisht nga uniteti i arritur në konferencën e Moskës, qëndrimi i tejskajshëm atje i E. Hoxhës u bë shqetësim jo vetëm për sovjetikët, por edhe për kinezët. Madje vetë Mao Ce Duni do të shprehej pas konferencës se “neve nuk mund të sillemi si shqiptarët”. është kjo arsyeja, që delegacioni kinez do të merrte iniciativën përpara Hrushovit në Moskë “për t’u dhënë këshilla shqiptarëve”. Në vijim, Ten Siao Pini do të këshillonte H. Kapon dhe R. Alinë që shqiptarët në fjalimet e tyre “të mos ndërmarrin hapa ekstremë, në formë kategorike, të mos ngrinin tensionin, por të mbanin rezerva për manovrime”. Madje ai arriti sa të propozojë që “ndoshta shoku Enver të marri iniciativën për t’u takuar me Hrushovin... pastaj mund të vijë edhe shoku Mehmet”. Ten Siao Pini shpjegoi se pas Bukureshtit udhëheqësit kinezë kishin ardhur katër herë në Moskë. Interesante janë edhe bisedimet e udhëheqësve kinezë me Gomulkën për Shqipërinë, të cilin e paralajmëruan se “do t’ju dënojmë në qoftë se do të ndërmerrni gjëkafshë kundër Shqipërisë nëpërmjet Traktatit të Varshavës”. Udhëheqësit kinezë, me përgjegjësinë e një partie të madhe, nuk do të hiqnin dorë nga ky qëndrim edhe atëherë kur kriza kino-sovjetike do të thellohej.
Kompleksi i autoritetit të partisë së madhe e pengoi Hrushovin dhe udhëheqësit sovjetikë të manifestonin qetësi dhe maturi ndaj shqiptarëve pas mbledhjes së Moskës. Në hierarkinë e atëhershme të bllokut, një ofertë e vendosur sovjetike për pajtim do të thoshte që “shkopi rregullues” të humbiste forcë. Nga ana tjetër, kompleksi i dobësisë së partisë së vogël dhe të shtetit të vogël e detyronte E. Hoxhën dhe udhëheqësit shqiptarë ta ndjenin veten vazhdimisht të lënduar, të pasigurt dhe të reagonin me nervozizëm ndaj çdo padrejtësie të PKBS. çdo iniciativë pajtuese nga ana e tyre konsiderohej si rrezik i shtuar për nënshtrim. Për këtë një rol të konsiderueshëm luante dhe afrimi i Hrushovit me Titon dhe udhëheqjen e PKJ, të cilët nuk e fshihnin synimin e tyre, dhe madje punonin, për ta larguar E. Hoxhën dhe për të vendosur në skenën politike shqiptare një udhëheqje politike komuniste miqësore me Jugosllavinë.
Nëse Shqipëria do të kapej fort pas PKK, që me kohë u kthye në një pol të dytë në lëvizjen ndërkombëtare komuniste, kjo duhet konsideruar si një përpjekje për mbijetese. Kurse për Kinën, Shqipëria si një vend evropian, anëtare e OKB, me një parti komuniste në pushtet, e cila kishte një qëndrim të vendosur antihrushovian, madje më të vendosur edhe se çdo parti tjetër komuniste aziatike, përfaqësonte një shans të mirëseardhur në shumë drejtime.
Në vitet pas konferencës së Moskës, Hrushovi penalizoi Shqipërinë ekonomikisht, ushtarakisht dhe politikisht. Marrëveshjet ekonomike BS-Shqipëri u anuluan, nëndetëset e Traktatit të Varshavës u tërhoqën nga Baza e Vlorës. Marrëdhëniet diplomatike me Shqipërinë u ndërprenë. Megjithatë, Hrushovi nuk e përjashtoi Shqipërinë nga Traktati i Varshavës. Nëse sovjetikët u larguan paqësisht nga baza e Vlorës dhe Perëndimi zbatoi politikën “Hands off” (e mospërzierjes) nga Shqipëria, kjo kryesisht ishte falë pozitës së saj strategjike, e cila rrezikonte shpërthimin e një konflikti me përmasa ballkanike dhe evropiane, i cili mund të dilte jashtë kontrollit të dy Superfuqive.