E Shtunë, 31 Tetor 2026

Toni: Riberi zëvëndësuesi ideal i Nedvedit tek Juve

Mynih - Luka Toni mendon se Frank Riberi është zëvëndësuesi ideal i Pavel Nedvedit tek skuadra e Juventusit. Sulmuesi italian luan prej dy vjetësh së bashku me Riberinë tek Bajerni, dhe njeh mjaft mirë aftësitë e shokut të tij. Pavel Nedved pritet t’i japë fund karrierës në fund të sezonit, dhe “Zonja e Vjetër” është vënë në lëvizje për të gjetur pasardhësin e tij.

Në listën e drejtuesve të skuadrës italiane janë disa alternative. Mes tyre mund të përmendet ajo e David Silvës nga Valencia, Diegos nga Verder Bremeni, dhe Ivan Raketiçit nga Shalke 04. Ndërsa futbollisti i Bajernit të Mynihut, Luka Toni, sugjeron shokun e tij të ekipit, Frank Riberinë.

“Nedved është një futbollist i madh, por, për mendimin tim, Riberi është më i mirë, -deklaron Toni për Tuttosport. Riberi është duke luajtur në krahun e majtë tek Bajerni në modulin 4-4-2, dhe ky është pozicioni i tij i preferuar. Unë mendoj se ai do të jetë futbollisti më i mirë në botë brenda disa viteve. Riberi është një fenomen dhe është normale që shumë klube në Europë interesohen për shërbimet e tij. Nëse unë do të isha drejtuesi i Bajernit nuk do ta lejoja largimin e tij”.

Në lidhje me zërat e fundit për dëshirën e Riberisë për të luajtur në kampionatin italian, Toni shprehet: “Ai gjithmon më pyet mua për Serinë A. Ai është kurioz për të, dhe aktualisht është duke mësuar italisht”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›