Trafikoi njerëz, në gjyq prifti i Karavastasë
TIRANE – Ish-prifti i fshatit Karavasta në Lushnjë, Mihal Shuli, së bashku me nëntë persona të tjerë dërgohen të pandehur në gjykatë me akuzën e “dhënies së ndihmës në kalim të paligjshëm të kufirit” për katër grupe me 20 klandestinë, që janë trafikuar nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave Njësia Task-Force Antikorrupsion përfundoi hetimet dhe vendosi të dërgojë në gjykatë dosjen penale në të cilën akuzohet ish-prifti i fshatit Karavasta, tre ish-efektiva policie si dhe gjashtë persona të tjerë të konsideruar bashkëpunëtorë në trafikimin e klandestinëve nga Shqipëria në drejtim të Greqisë. Sipas rrugës që ndiqej për kalimin në Greqi, nga Korça, Gjirokastra apo Saranda, trafikantët vendosnin edhe kuotën që duhej të paguanin klandestinët, nga 250 deri në 3000 euro për person. Prifti i Karavastasë akuzohet se ka grumbulluar në zonën e Lushnjës persona që ishin të interesuar për të kaluar si klandestinë në Greqi dhe më pas i ka transportuar ata në drejtim të Gjirokastrës dhe Sarandës, ku ndodheshin bashkëpunëtorë të tjerë të grupit që përcillnin klandestinët për në Greqi. Grupi ku bënte pjesë prifti i Karavastasë së bashku me tre punonjës të policisë, që akuzohen se kundrejt ryshfetit kanë lejuar kalimin e klandestinëve në drejtim të Greqisë, është zbuluar dhe hetuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme. Pas hetimeve disamujore, SHKB-ja ka dërguar dosjen në Prokurori, ku hetimet kanë vazhduar bashkë me Njësinë Task-Force, derisa më 17 korrik 2008 dhjetë anëtarët e grupit ranë në prangat e policisë. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, mësohet se gjatë hetimeve të përbashkëta me SHKB-në me anë të metodave speciale, përgjimeve dhe vëzhgimeve është arritur të provohet se të akuzuarit e dosjes penale në fjalë, në bashkëpunim mes tyre, kanë organizuar trafikimin e 20 klandestinëve të ndarë në katër grupe me nga pesë persona secili. Prokuroria tha se të pandehurit e dosjes janë Leonard Belortaja, Artur Likollari, Edmond Tollkuçi, G.Vllazëria, Altin Qatipi, I.Dalipaj, Mihal Shuli, Manol Xhamia, Rajmondi Duro dhe Ilir Çipi, të gjithë të arrestuar. tr.so