E Shtunë, 31 Tetor 2026

Top 10 gratis transferimet

Vlera e tyre është e lartë, kualitetet i kanë të pamohueshme ndërsa erdhën si përforcime të lira. Në futbollin modern ku bëhen investime të mëdha dhe shpenzohen shuma marramendëse të parave në angazhimin e futbollistëve, nuk ndodh shpesh që lojtarë si Pirlo, Mexes, Klose, Van Nistelrooy, Taiwo e të tjerë të blihen pa dhënë asnjë cent. Nga Express më 31 gusht 2011 në ora 08:36

Edhe pse bëhet fjalë për transferime të lira, pa kompensim, shumica e këtyre futbollistëve para vetëm disa sezoneve do të kushtonin jashtëzakonisht shtrenjtë.

Disa prej tyre kanë vendosur të ndërrojnë mjedisin për ta pasur të garantuar vendin në formacionin bazë ndërsa të tjerët nuk arritën marrëveshje për vazhdimin e kontratave me klubet e tyre dhe vendosën të shkojnë si përforcim në një skuadër të re pa asnjë formë të kompensimit.

Në cilindo rast, pavarësisht grupit të cilit i takojnë, nga secili prej tyre pritet që të shpërblejnë ekipet e reja me ndihmë kualitative dhe së paku dy ose tre sezone të paraqitjeve në kulm. A e kanë ata këtë fuqi në këmbët e tyre, vetëm koha do të tregojë.

10. Piotr Trochowski, nga Hamburgu në Sevillë
Dikur reprezentues i vazhdueshëm i Gjermanisë sot është kapluar nga depërtimi i të rinjve që kanë shpërthyer sezonin e kaluar në Bundesligë. Në Spanjë do të kërkon sfidë të re dhe rikthimin në formën e dikurshme në mënyrë që të ftohet sërish në ekipin Kombëtar. Në Hamburg kishte probleme të mëdha me lëndime andaj liga spanjolle mund ti përshtatet më tepër për shkak të lojës teknike para asaj fizike.

9. Demba Ba, nga West Hami në Newcastle
Sezonin e kaluar u dallua me paraqitje të mira në West Ham, edhe pse erdhi vonë për të shpëtuar skuadrën nga rënia në Championship. Në momentin kur ekipi i tij humbi statusin në Premierligë, Newcastle shfrytëzoi rastin duke arritur marrëveshje për transferimin e tij pa asnjë formë të kompensimit për shkak të dëmshpërblimit që e lejonte një gjë të tillë në rast të rënies nga liga. Nëse e vazhdon aty ku e la sezonin e kaluar, do të konsiderohet përforcim i rëndësishëm.

8. Tiago Mendes, nga Juventusi në Atletico Madrid
Juventus i pagoi Lyonit 15 milionë euro për futbollistin, i cili para katër viteve u desh të zinte rolin e organizatorit të lojës në skuadrën torineze. Tiago nuk luajti edhe aq keq në Itali por as nuk u dallua siç pritej, kryesisht për shkak të lëndimeve por edhe ndërrimit të trajnerit. Sezonin e kaluar ishte anëtar i Atleticos në formë huazimi ndërsa vendosi të mbetet atje pas skadimit të kontratës së tij me Juventusin.

7. Phillipe Mexes, nga Roma në Milan
Para vetëm dy sezoneve Roma refuzonte oferta prej mbi 15 milionë euro sa ofronin klube të ndryshme evropiane për të pasur Mexesin në skuadrat e tyre. Pas lëndimeve të shpeshta dhe formës jo të mirë në sezonin e kaluar në Romë, Mexes refuzoi të vazhdon kontratën me klubin ndërsa menjëherë reagoi Milani që e transferoi qendërmbrojtësin francez, me përvojë dhe të dëshmuar në Serie A.

6. Hamit Altintop, nga Bayern Munichu në Real Madrid
Me vite Altintop ishte futbollisti i dymbëdhjetë i Bayern Munichut, ai që mund të mbush hapësira të ndryshme në skuadër, varësisht nga lëndimet ose suspendimet e bashkëlojtarëve. Mirëpo, ai vendosi të provon një ligë tjetër përveç Gjermanisë dhe të rrallë janë futbollistët që refuzojnë kalimin në Real Madrid. As atje nuk mund të shpreson në një vend në formacionin bazë por përshtatshmëria e tij mund të jetë e dobishme për trajnerin Jose Mourinho i cili mund ta aktivizon nga pankina.

5. Miroslav Klose, nga Bayern Munich në Lazio
Ikona e futbollit gjerman, Klose është i dyti për nga numri i paraqitjeve me ekipin Kombëtar (pas Matthausit) dhe i dyti për nga numri i golave të shënuar (prapa Mullerit). Me Bayernin donte të nënshkruan kontratë dyvjeçare por klubi insistonte në ofertën njëvjeçare dhe rrugët u ndanë. Për të siguruar ftesën për Euro 2012 ai duhet të zë vend në Lazio në konkurrencën e fortë mes sulmuesve Zarate, Cisse, Floccari dhe Rocchi.

4. Ruud van Nistelrooy, nga Hamburg në Malaga
Golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e Ligës së Kampionëve iu bashkua klubit ambicioz spanjoll ku janë investuar para të shumta nga Katari me të cilat është formuar një skuadër krejtësisht e re. Nëse arrin të mos lëndohet, holandezi pa problem mund të shënon rreth 15 gola. Për shërbim nuk ka arsye të bëhet merak, për bashkëlojtarë do të ketë Cazorlan, Joaquinin dhe Baptistan.

3. Joan Capdevilla, nga Villarreal në Benfica
Kampioni i botës dhe i Evropës me Spanjën, futbollist me përvojë të madhe dhe ritëm të jashtëzakonshëm të lojës duke pasur parasysh moshën e tij. Vështirë mund të besohet se para vetes ka edhe dy-tri sezone në paraqitje kulmore por edhe një mund ta kalon sigurt. Me ardhjen e tij Benfica mbushi hapësirën e lënë bosh nga largimi i Fabio Coentraos, duke mos humbur shumë në kualitet të futbollistit.

2. Taye Taiwo, nga Marseille në Milan
Në Marseille edhe sot pyeten rreth mënyrës se si pa kompensim u largua njëri prej futbollistëve kryesor të ekipit dhe mbrojtësve të majtë prej më të mirëve në ligë. Taiwo përveç kualiteteve fizike, ka edhe teknik të përkryer ndërsa edhe depërtimit nga krahu nuk i ka të rralla. Gjendet në vitet më të mira të karrierës dhe mund të dëshmohet si përforcim i madh për Milanin jo vetëm gjatë këtij edicioni por edhe për shumë vite me radhë.

1. Andrea Pirlo, nga Milan në Juventus
Sezonin e kaluar më tepër qëndroi në rehabilitim se në fushën e lojës ndërsa në Juventus shpresojnë se problemet e tij me lëndime i takojnë të kaluarës. Pirlo ka 32 vjeq dhe nuk ka fuqi të dikurshme të vrapuesit të palodhshëm. Mirëpo, ai është ende njëri prej organizatorëve më të mirë në Evropë dhe vizioni i tij dhe gjakftohtësia në fushë e bëjnë të krahasohet me Xavin. Këta të dy nuk kanë rival në rolin e tyre.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›