Interi, sfidë e madhe për Forlanin

Diego Forlan është përshëndetur nga Atletico Madridi, me të cilin kaloi 4 vjet të shkëlqyeshëm. Sulmuesi uruguaian iu bashkua të hënën mbrëma Interit, me të cilin nënshkroi kontratën, pasi i kaloi me sukses vizitat mjekësore.
“Do të jem gjithmonë tifoz i Atleticos. Për mua është një nder që kam luajtur për këtë ekip, ishin katër vjet të bukur, fantastikë. I uroj skuadrës suksese. Gjithashtu, kam kaluar tri vjet të tjerë të shkëlqyeshëm në Villarreal. Nuk është e lehtë ta lë Spanjën pas shtatë vjetësh”, deklaroi ish futbollisti i Manchester Unitedit në konferencë për shtyp.
“Kam biseduar tashmë me Cambiasson e Militon, që janë dy shokë të mi. Interin e shoh si një sfidë të madhe, është një klub i madh. Jam i lumtur që do ta provoj edhe Serinë A, pasi luajta në La Liga dhe Premierligë. Jo gjithmonë në moshën 32 vjeçare të ofrohet mundësia për të shkuar në një klub të madh dhe për këtë e falënderoj presidentin e Interi, Massimo Moratti, për mundësinë e dhënë”, përfundoi Forlan.