Shaqiri nuk largohet nga Baseli

Një ditë pa përfunduar afati kalimtar i verës, Xherdan Shaqiri u ka dhënë fund spekulimeve rreth të ardhmes. Mesfushori kosovar ka vendosur që t’i mbetet besnik skaudrës ku bëri emër si futbollist-Baselit, edhe pse kishte disa oferta nga klube të ndryshme evropiane.
19 vjeçari, i cili në vitin 2009 ka debutuar me ekipin e parë të Baselit, dëshiron ta respektojë kontratën që ka me kampionin zviceran, e cila është e vlefshme deri në verën e vitit 2004.
“E ndiej vetën mirë dhe kamë kontratë. Dëshiroj që me Baselin ta nis një seri të re”, ka thënë shkurtë reprezentuesi i Zvicrës për të përditshmen zvicerane Blick.
Sipas kësaj gazete, klubi gjerman Hamburg dhe ai rus Zenit St. Petersburg nuk kanë bindur drejtuesit e klubit zviceran me ofertat e tyre për talentin e lindur në Gjilan. Përveç këtyre ekipeve, për 19 vjeçarin interesim kishin shprehur edhe disa klube të mëdha si Juventus, Napoli, Lazio, Arsenal, Liverpool, Manchester United e Bayern Munchen.
Në anën tjetër, Shaqiri insiston se Baseli edhe këtë sezon është skuadra më e fortë në Zvicër. Kampioni helvetik i dy viteve të fundit e mposhti të dielën kryesuesin e deritashëm, Thun me rezultat 2:1. 19 vjeçari shpreson që kjo të jetë një nismë e serisë pozitive, ngase Baseli vinte nga një seri prej katër ndeshjesh pa fitore (2 barazime e 2 humbje).
“Mendoj se nuk ishim përballur kurrë me një krizë aq të madhe. Jemi ekipi më i mirë në Zvicër dhe do ta kërkojmë gjithmonë pozitën e parë. Shpresoj që tash ta nisim një seri fitoresh”, deklaroi Shaqiri për Blick.
Pas shtatë xhirosh të zhvilluara, Baseli ka 9 pikë, 6 më pak se kryesuesi i ri i AXPO Super League, Luzern.