E Diel, 1 Nëntor 2026

Top 10 sulmuesit më të rrezikshëm

Ueb faqja bleachreport.com ka bërë përzgjedhjen e sulmuesve më të rrezikshëm në botë për momentin. Top 10’shit i prinë ylli i Barcelonës, Lionel Messi, derisa çuditërisht jashtë kësaj liste janë Ibrahimoviç, Drogba e Eto’o. Nga Express më 16 korrik 2011 në ora 12:44

Uebfaqja bleachreport ka bërë një analizë të sulmuesve më të mirë në botë, duke votuar edhe për 10 më të mirët. Por, në këtë listë mungojnë sulmuesit që vitet e kaluara kishin qenë në top-formë si Ibrahimoviç, Didier Drogba, Francesco Totti, etj. Janë 10 sulmues më të rrezikshëm, për të cilët ueb faqja është bazuar në statistikat e tyre.

10. Carlos Tevez

Sulmuesi argjentinas kurrë nuk di të ndalet dhe gjithmonë di të shënojë gola, gjë që i ka sjellë edhe trofe Manchester Cityit me lojën e tij sivjet.

Pavarësisht se nuk e kishte mbështetjen e trajnerit të tij dhe disa shkrimeve negative për të në media, ai ka luajtur rol kritik për skuadrën e tij.
Ka shënuar 23 gola në 39 paraqitje dhe ka fituar këpucën e artë, që e ka ndarë me golashënuesin tjetër Dimitar Berbatov, të cilët shënuan 20 gola në Premierligë këtë sezon.

9. Antonio Di Natale

Disa sulmues thjesht janë si hije dhe asnjëherë nuk dinë të plaken, duke qëndruar në top-formë. I tillë është edhe sulmuesi dhe kapiteni i Udineses, 33 vjeçari Antonio Di Natale, që është edhe sulmuesi më i vjetër në moshë. Sezonin që lamë pas ai shënoi 28 gola në 36 paraqitje të tij në ligë dhe 30 në të gjitha paraqitjet. Një sezon më parë kishte shënuar 29 gola në 35 ndeshje kampionale. Plakushi që nuk di të pensionohet dhe është i shpejtë si rryma sivjet do të përpiqet të thyejë rekord edhe në Ligën e Kamionëve.

8. Wayne Rooney
Pavarësisht një sezoni jo të mirë për të për shkak të një skandali seksual, sulmuesi i Manchester United cilësohet si sulmuesi më i rrezikshëm në botë.

Se është i këtillë tregoi me një goditje të fortë, kur barazoi kundër Barcelonës në Wembley gjatë finales së Ligës së Kampionëve, duke treguar se anglezi u kthye i rrezikshëm ashtu sikurse ishte në vitin 2009.

Pavarësisht sulmuesit të ri Javier Hernandez, Rooney prapë duket se do të rikthehet dhe do të jetë në top formë këtë sezon.

7. David Villa

Sulmuesi spanjoll David Villa ka shënuar 23 gola në sezonin e parë të tij me Barcelonën. Jo edhe aq keq, sepse ai luan me kampionët e trefishtë të La Ligas. Pavarësisht se ka shënuar më shumë me Valencian, në Barcelonë ai e ka argjentinasin e vogël (Messi) ,kështu që nuk duhet të ankohet.

Por, Villa ka shënuar edhe 46 gola të tjerë me Kombëtaren spanjolle dhe në gara të ndryshme evropiane gjatë këtij viti. Sezoni i dytë me skuadrën e Pep Guardiolas mund të jetë edhe më i mirë, pasi që tani është akomoduar me sistemin dhe stilin e ekipi katalunas.

6. Sergio Aguero

Ylli i Atletico Madridit, Sergio Kun Aguero është po ashtu në listën e sulmuesve më të mirë në La Liga dhe më të mirët në këto katër vitet e fundit.

Në katër sezonet e kaluar sa ka luajtur për Atleticon, ai ka shënuar jo më pak se 20 gola në sezon. Këtë vit ka shënuar 27 në 41 ndeshje, duke e bërë njërin prej sulmuesve më të mirë në Atletico Madrid dhe njërin prej sulmuesve më të kërkuar në botë. 23 vjeçari ende ka kohë për ta treguar vetën, pasi që është i ri me moshë.

5. Radamel Falcao
Radamel Falcao ka shënuar 39 gola për Porton sezonin e kaluar, përderisa ka ndihmuar tashmë ekipin e tij, që drejtohej nga Andres Villas-Boas, për ta fituar titullin e Ligës portugeze dhe atë të UEFA Evropa Ligë.

Marrja e timonit të Chelsea nga Boas ka shkaktuar thashetheme se ai bashkë me shokun e tij të skuadrës, Hulk do të transferohen në Chelsea.

4. Mario Gomez

Mario Gomez shkoi në Bayern Munich gjatë sezonit 2009-1010, pas një sezoni të mirë që kishte pasur me Stuttgartin, ku në 44 paraqitje kishte shënuar 35 gola.

Megjithatë, edhe pse ishte pritur shumë prej tij, Gomez kishte dështuar në sezonin e parë me bavarezët duke shënuar 14 gola në 45 ndeshje. Por, klubi i besoi atij gjatë këtij sezoni dhe ai shënoi 39 gola në 45 ndeshje, 28 prej të cilëve në Bundesliga.

3. Robin van Persie

Nëse Robin van Persie do të luajë gjatë gjithë sezonit të ardhshëm dhe do të shënojë sikurse bëri në 33 ndeshje sa luajti sezonin e kaluar, atëherë ai do të bëhet një bishë e Arsenalit dhe ankth gjatë sezonit 2011 -2012.

Pa dyshim, ai ishte më i mirë sepse në 25 ndeshje të Premierligës shënoi 18 gola, bëri shtatë asistime dhe kontribuoi edhe me katër gola të tjerë në gara të tjera. Sulmi i tij ishte më i larti në Premierligë në sezonin e dytë të saj dhe kjo e ndihmon shumë Arsenalin që po vuan për sulmues të mirë.

2. Cristiano Ronaldo

Nëse nuk do të kishte ndonjë sensacion nga Amerika e Jugut, atëherë ai do të ishte i pari në krye të kësaj liste. Qëkurse është në La Liga, ish lojtari i Manchester United ka shënuar 33 gola në 35 ndeshje.

Por, nuk është vetëm kaq. Ai është bërë një ankth për shumicën e ekipeve me shpejtësinë e tij. Ndërkaq, bilanci në total për këtë vit është 53 gola në 54 ndeshje. Kjo shkallë e sulmit për momentin është më e larta në botë, por ka diçka që atij i mungon dhe atë e vërtetojmë më poshtë.

1. Messi

Nuk ka ndonjë sulmues tjetër në botë për momentin sikurse është Lionel Messi. Ylli i ri i Argjentinës është një sensacion për disa vite në Barcelonë dhe është më meritori pse katalunasit fitojnë tri herë radhazi La Ligan spanjolle.

Këtë sezon ai ka shënuar 53 gola në 55 paraqitje dhe ka 24 asistime. Të gjitha këto ia sollën sivjet Barcelonës titullin e Ligës së Kampionëve dhe atë të La Ligas. Nga viti 2004, ai ka pasur 269 paraqitje për ekipin katalunas, ka shënuar 180 gola dhe ka bërë 73 asistime. Kjo e bën atë sulmuesin më të rrezikshëm të Barcelonës dhe të gjithë botës për momentin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›