Topalli: “Aleanca për Qytetarin” ka fituar, Rama të pranojë rezultatin
TIRANË Nënkryetarja e Kuvendit dhe Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, u shfaq dje në selinë e Partisë Demokratike për të ftuar liderin e opozitës, Edi Rama, që të pranojë rezultatin për këtë proces zgjedhor. Ajo shprehu gjithashtu mbështetjen për të gjithë komisionerët dhe numëruesit e procesit zgjedhor.
“Jam sot këtu për të përgëzuar komisionerët dhe numëruesit për detyrën e tyre tejet të rëndësishme. I ftoj të vazhdojnë me përkushtim, numërimin e çdo vote dhe zbatimin e plotë të ligjit, si deri më tani. Ky proces ende nuk ka përfunduar, prandaj ne jemi të vendosur, ashtu siç ju kemi premtuar, të presim me qetësi rezultatet e shpallura nga Komisionet Zonale të Qeverisjes Vendore, si dhe certifikimin e tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, - tha ajo. Topalli deklaroi se në rrafsh kombëtar, koalicioni i mazhorancës “Aleanca për Qytetarin” është aleanca kryesore e vendit. “Në rrafsh kombëtar, koalicioni “Aleanca për Qytetarin” është aleanca kryesore e vendit. Numëruesit dhe komisionerët janë heronjtë e ditës. Gjithë Shqipëria i ka sytë tek ata. Shqiptarët dje kanë votuar për administratorët lokalë, në paqe, qetësi dhe rregull, si europianë, nga Tropoja deri në Delvine. Procesi ka të gjitha garancitë të përmbyllet, me sukses, ashtu siç nisi dhe vazhdoi gjatë gjithë këtij muaji”, - tha ajo. Për këtë arsye, nënkryetarja e Kuvendit kërkoi që kryetari i opozitës, Edi Rama, të deklarohet dhe të njohë rezultatin. “Ftoj z. Rama, të deklarohet se do të njohë rezultatin, në çdo bashki dhe komunë!!!!! Dhe kjo do të ishte një nga surprizat më të mëdha në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri. Administratorët lokalë duhet të kurorëzohen, ashtu siç u votuan dje nga votuesit e tyre në bashki dhe komuna: me dinjitet europian” - tha Topalli.