E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Çdo orë e më shumë po konfirmohet fitorja e PD-së

Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës shprehu zhgënjimin për bllokimin e procesit në zonat që tradicionalisht favorizojnë PD-në

TIRANË Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, siguroi mbrëmë se çdo orë e më shumë po konfirmohet fitorja e PD-së në Tiranë. Për këtë arsye, ai ka shprehur zhgënjimin për bllokimin e procesit në zonat që tradicionalisht favorizojnë PD-në. “Dua të falenderoj të gjithë komisionerët e të gjithë partive politike, për punën e palodhur dhe plot përkushtim në këtë fazë shumë të rëndësishme të procesit zgjedhor, fazën e numërimit të çdo vote të qytetarëve të Tiranës. Në veçanti, dua të falenderoj komisionerët e Partisë Demokratike, numëruesit e Partisë Demokratike, vëzhguesit e Partisë Demokratike dhe të Aleancës për Qytetarin, për durimin e treguar në pjesën e parë të ditës së sotme, gjatë numërimit të qendrave të votimit, që tradicionalisht favorizojnë Partinë Socialiste. Por ndërsa numërimi vazhdon dhe rezultati është ngushtuar, është zhgënjyes bllokimi preferencial i numërimit nga pala tjetër, në qendrat e votimit që tradicionalisht favorizojnë Partinë Demokratike. Kanë mbetur për tu numëruar plot 180 mijë vota, këto vota duhet të numërohen me qetësi dhe transparencë. Zëri i këtyre qytetarëve duhet, dhe do të dëgjohet. Dua të përsëris vendosmërinë time për të respektuar procesin e numërimit të çdo vote të qytetarëve të Tiranës dhe rezultatin e dalë prej saj. Bazuar në të dhënat që po konsolidohen çdo orë, pas numërimit të çdo vote, kam besim në konfirmimin e fitores së shumë pritur në Tiranë”, - tha Basha. Ndërsa Kryetari i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, deklaroi dje gjatë ditës se, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, ka arritur të përmbysë rezultatin duke iu referuar rezultateve të zgjedhjeve lokale të vitit 2009. “Nga analiza e të dhënave të deritanishme në kutitë e numëruara, jemi optimistë nga prirja që shikojmë. Së pari, ¾ e kutive të numëruara deri tani kanë qenë zona të fituara nga Partia Socialiste në vitin 2009, pra askush nuk duhet të krijojë një ide të gabuar se ato përfaqësojnë trendin e votimit në të gjithë Tiranën. Së dyti, dëshiroj të vë në dukje se në një numër të konsiderueshëm të këtyre qendrave të fituara në vitin 2009 nga Partia Socialiste, sot kandidati i “Aleanca për Qytetarin”, Lulzim Basha ka arritur të përmbysë rezultatin duke i fituar ato. Së treti, në terren deri në masën 50% është fituar edhe në pjesën tjetër të këtyre qendrave”, tha dje Bumçi. Kryetari i PD-së së Tiranës, i cili po ndjek nga afër procesin e numërimit të votave në 11 minibashkitë e kryeqytetit, theksoi se të dhënat çojnë në pritshmëritë se kjo prirje pozitive për Bashën do të vijojë. ”Ne jemi optimistë për rezultatin përfundimtar. Megjithatë, nisur nga fakti se vetëm 15% e kutive janë numëruar, Partia Demokratike ripërsërit thirrjen drejtuar të gjithë numëruesve të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre me përkushtim dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar kështu numërimin e saktë të çdo vote të hedhur nga qytetarët e Tiranës”, tha Bumçi. Edhe kandidatja që kryeson Këshillin Bashkiak të PD-së, Jorida Tabaku, e cila dje ishte stacionuar në njësinë nr. 8 në Tiranë, deklaroi se, Basha ishte në epërsi ndërkohë që shihet një zvarritje nga ana e komisionerëve të PS-së. “Me këtë ritëm, do të na duhen gati 10 ditë që të mësojmë rezultatin”, - tha ajo në një intervistë televizive.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›