PS: Standardet dështuan, OSBE/ODIHR të zgjasin misionin
Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, ka kërkuar mbrëmë që OSBE-ODHIR të zgjasë misionin e vëzhguesve afatshkurtër deri në përfundimin e procesit të numërimit për Bashkinë e Tiranës
TIRANË Partia Socialiste akuzoi mbrëmë KQZ-në se po nxjerr rezultate të deformuara, ndërsa i bëri thirrje vëzhguesve të huaj të zgjasin misionin e tyre, deri në përfundim të procesit të numërimit në Tiranë. “I kërkojmë OSBE-ODHIR që të zgjasë misionin e vëzhguesve afatshkurtër, deri në përfundimin e procesit të numërimit për Bashkinë e Tiranës, për të parandaluar kësisoj sabotimin final të një procesi zgjedhor, që tanimë pa frikë mund të quhet ndër më të dështuarit, përsa i përket standardeve demokratike dhe europiane të zgjedhjeve”, - tha mbrëmë deputetja e PS-së, Mimi Kodheli. Partia Socialiste denoncoi vonesat, sipas saj të qëllimshme, në procesin e numërimit që po ndodhin në KZAZ-të e Tiranës. “Në të 11 KZAZ-të e Bashkisë së Tiranës, procesi i numërimit është shoqëruar me probleme, ndërprerje të pajustifikuara, të cilat në gjykimin tonë janë pjesë e një strategjie të qëllimshme, por të kotë, të Koalicionit të Turpit për të deformuar rezultatet e votimit për Bashkinë e Tiranës”, - tha ajo. Kodheli u shpreh se duke u përdorur justifikime, komisionierët e djathtë në qendrat e numërimit janë duke sabotuar procesin në mënyrë të qëllimshme. “Tanimë kanë kaluar afatet ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor, për nxjerrjen e rezultateve, ndërkohë që vetëm një përqindje shumë e vogël e qendrave të votimit janë numëruar”. PS vlerëson se synimi i Berishës është i qartë: “Së pari, Koalicioni i Turpit synon të acarojë situatën dhe të rrisë artificialisht tensionet në KZAZ e Tiranës, pasi ka pësuar një disfatë historike në shkallë vendi; Së dyti, synon të dekurajojë mbështetësit e opozitës, siç provohet prej faktit që procesi i numërimit ndalohet gjithnjë përpara hapjes së kutive të votimit”. Në këtë histori zvarritjesh, PS-ja akuzoi KQZ-në se po luan një rol “kriminal” në këtë strategji, duke publikuar rezultate të deformuara. “Këto rezultate, jo vetëm që nuk kanë asnjë lloj transparence, dhe jo vetëm që janë selektive dhe të vjetëruara, por synojnë të favorizojnë kandidatin humbës për Bashkinë e Tiranës”. Po dje, Kodheli deklaroi se opozita është në epërsi në qarqet kryesore në vend, duke kryesuar me Tiranën. “Në Himarë mbaroi votimi me fitoren e Gjegji Gores, PS vulos fitoren në Rëshen, Ersekë, Përmet, Sarandë, Gramsh dhe Krumë të Hasit. Jemi në rrugën e fitores në Elbasan, Vlorë, Korçë, Fier, Lushnjë, Gjirokastër, si dhe në Durrës dhe Pogradec sa të numërohem votat. Zotëri, ke humbur zgjedhjet, ke humbur edhe standardet. Tani është koha të ndalësh zvarritjen e padenjë të procesit të numërimit në Tiranë, ku njerëzit tanë kanë pritur gjithë natën për të kryer detyrën ndaj qytetarëve e ligjit, duke numëruar pa humbur kohë çdo votë, kurse njerëzit e asaj që u quajt Aleanca për Qytetarin kanë braktisur rëndom detyrën e tyre. Zgjedhësit meritojnë ta dinë shpejt e saktë rezultatin e votës së tyre. Kjo zvarritje e qëllimshme është fyese për ta dhe e padenjë për vendin tonë, në sytë e komunitetit ndërkombëtar, të cilit i bëjmë gjithashtu thirrje të ndërhyjë, siç ka ndërhyrë vijimësisht për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve në Shqipëri dhe detyruar humbësin të pranojë humbjen”, - ka deklaruar Kodheli.