E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia e çamëve, surpriza e 8 majit, Idrizi: Po na vjedhin votat

Nga të dhënat paraprake rezulton se PDIU renditet partia e tretë në rang vendi, duke zhvendosur LSI-në e Ilir Metës. Idrizi: Kemi marrë 17 mijë vota, askush të mos guxojë të na i tjetërsojë

Tiranë Partia e çamëve mund të konsiderohet sërish surpriza e zgjedhjeve të 8 majit. E njohur si partia më e re në skenën shqiptare, PDIU duket se ka tejkaluar pritshmëritë e të gjithëve, duke arritur të konsolidojë pozitat e saj në shumë rrethe të vendit. Sipas të dhënave paraprake, ajo ka arritur të renditet forcë e tretë, e në disa rrethe të njohura për përqendrimin e komunitetit çam, edhe në vend të dytë. Po përtej rezultateve të mira, PDIU ka ngritur shqetësime serioze mbrëmë, për tjetërsimin e votës së saj. Kryetari i kësaj partie, Shpëtim Idrizi nuk ka kursyer mbrëmë aleatin e saj të madh, Partinë Demokratike, duke e akuzuar për vjedhjen e votave. “Çdo votë e partisë sonë është votë amaneti, votë djerse. Mos guxojë njeri të tjetërsojë votat e PDIU-së, pasi ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo votë e të ndjekim gjithë procesin ligjor”, - tha Idrizi për “Top Channel”. Ai shtoi se në rang vendi, PDIU ka marrë 17 mijë vota, në një kohë që janë numëruar vetëm 15 për qind e votave në të gjithë vendin. Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi e ka cilësuar procesin e numërimit të votave si “gangrenën” e zgjedhjeve në Shqipëri dhe mjaft çnjerëzor, sa i përket punës së komisionerëve. Sipas të dhënave paraprake, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet mund të klasifikohet e treta në vend, duke rrezikuar nga ky vend Lëvizjen Socialiste për Integrim të Ilir Metës. Sipas zëdhënësit të PDIU, kjo forcë është e dytë ose e tretë në Durrës, Vlorë, Sarandë, Lushnje, Fier, Peqin, Rrëshen dhe Bajram Curri. “Deri më tani, PDIU ka arritur rezultate pozitive në të gjithë vendin. Është konfirmuar fitorja e kandidatit të PDIU në Bashkinë Rrogozhinë, Ndriçim Dushku. Në Bashkinë Delvinë, PDIU është shpallur forcë e parë politike” – deklaroi zëdhënësi i kësaj partie, Ardit Bido. Ndërkohë, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet shpreh shqetësimin e saj në lidhje me cenimet e votës, që po i bëhet në disa qytete të vendit, duke u bërë thirrje forcave politike të administrojnë procesin e numërimit sipas standardeve. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, gjatë procesit të numërimit të votave ka vërejtur se po cenohet vota e saj në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Berat. PDIU do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të denoncuar këto parregullsi, ndërkohë që u bën thirrje forcave politike të administrojnë procesin e numërimit, sipas standardeve dhe frymës së votimit të qytetarëve shqiptarë”, – mbyll deklaratën e tij, zëdhënësi i PDIU, Ardit Bido.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›