Rama: Fitorja jonë spektakolare, Saliu të mos pengojë numërimin
Kërkesa e Ramës: “U bëj apel atyre që po i shkojnë pas rrethimit të pamundur të Saliut, që ta ndihmojnë të ftillohet. Më 8 maj mësoi se nuk mund ta tërheq prej hunde qytetarin”
TIRANË Mbrëmë pas orës 22:00, kryesocialisti Edi Rama, e cilësoi spektakolare fitoren e PS-së nëpër bashkitë kryesore. “Fitoret e sotme spektakolare. Gjerdani i fitoreve është zgjatur dhe vazhdon të zgjatet. Falenderoj sot publikisht të gjithë fituesit. Fushë Kruja, fitorja më e fundit, me rezultat spektakolar, fitore e vështirë në Divjakë, Këlcyrën e Memaliajn, që i marrim në dorëzim nga rivalët e dështuar të PD-së. Më tej me Gramshin, një bashki që deri në momentin që flasim është mbajtur pa sukses nga PD-ja. Me Urën Vajgurore dhe Poliçanin. Rimarrim Ballshin, rikthehemi me entuziazëm dhe besim të madh se do bëjmë shumë për Tepelenën e marrë peng nga Saliu. Rikonfirmohemi në Ersekë, një mandat pas shumë vitesh në Krumë. Do mundohemi të nxjerrim nga agonia Sarandën. Rikthehemi në Përmet, me një djalë të ri, që do të shërbejë. Sigurisht i gëzohemi fitores së bujshme në Himarë. Pritet fitorja edhe në Kavajë. E vetmja rrugë po na bashkon edhe me ta. Mund ta quajmë të sigurt dhe fitoren në Orikum, rikonfirmojmë besimin edhe për Pogradecin, një fitore të shkëlqyer edhe në Lushnjë do marrim. Nuk diskutojmë Korçën, pavarësisht disa korçarëve të paudhë në krah të Saliut. Pas 20 vitesh ndastie, na bashkuan edhe me Laçin arritëm të shtrinim ndikimin tonë”, - tha mbrëmë Rama. Por kryetari i PS-së ishte i shoqëruar mbrëmë edhe nga një kandidate femër, Adelina Farrici, e cila fitoi bindshëm Bashkinë e Burrelit, që drejtohej prej katër vitesh nga PD-ja. Rama tha se fitorja e saj është një shembull i shkëlqyer për të gjitha gratë, që ia ka dalë të mposhtë një kundërshtar burrë dhe të marrë mbështetjen befasuese. Më tej, Kryetari PS-së, Rama shprehu shqetësimin e numërimit me hapa të ngadaltë të votave në Tiranë e Durrës. Sipas Ramës, kjo është një tjetër përpjekje e kryeministrit për të ndalur ritmin e lokomotivës së fitoreve. “Rrethimi i Tiranës dhe Durrësit nga njerëz të dëshpëruar, që synojnë të godasin në zemër të vendit, as më shumë e as më pak lokomotivën e fitores, që është e do të mbetet Tirana. U bëj apel atyre që po i shkojnë pas rrethimit të pamundur të Saliut, që ta ndihmojnë të ftillohet. Më 8 Maj, mësoi se nuk mund ta tërheq prej hunde qytetarin”, - u shpreh lideri i opozitës.