Topalli: Angazhim maksimal për t’u paraprirë rreziqeve të motit

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli ishte dje në Shkodër, në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave Civile, ku u njoh me detaje mbi situatën e krijuar në zonat e bllokuara prej rreshjeve të shumta të dëborës. “Kjo situatë nuk ka ndodhur prej dekadash. Po bëhet një punë heroike! Beteja me motin është betejë komplekse, e paparashikueshme, e pazakonshme, por ne do të jemi të gjithë bashkë për të ndihmuar këdo që ka nevojë”, tha Kryetarja e Kuvendit. Në mënyrë të veçantë, Kryetarja Jozefina Topalli theksoi se po bëhet një punë heroike e njësive vendore, komunave, komisioneve të emergjencave për t’u dhënë zgjidhje problemeve të krijuara nga sasia e madhe e dëborës që ka bllokuar këto zona. “Kjo është një betejë me motin, një betejë me temperaturën e ulëta. Dua të theksoj se në çdo dy orë ka komunikimin me Komitetin Ndërministror për situatën”- u shpreh Kryetarja e Kuvendit. Kryetarja e Kuvendit theksoi se Tirana, Komiteti Ndërministror, Komisioni i Emergjencave Rajonale, njësitë vendore, kryetarët e bashkive, drejtorët e drejtorive të ndryshme rajonale janë në gatishmëri të plotë, për ta përballuar këtë situatë të vështirë, të pazakontë.