E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sequi: Të realizohet plani i veprimit, vullneti politik, çelësi i reformave

16-02-2012 / Gazeta 55

Integrimi në BE, kreu i delegacionit të Komisionit Evropian kërkon angazhim maksimal në procesin e plotësimit të 12 rekomandimeve të Brukselit

Ambasadori i BE-së në Tiranë, z. Ettore Sequi ka kërkuar ndërmarrjen e hapave konkretë, për të realizuar Planin e Veprimit për integrimin e vendit në BE. Sequi ishte i pranishëm dje në një seancë dëgjimore me Shoqërinë Civile, në komisionin parlamentar të Integrimit, mbi rishqyrtimin e Plan-Veprimit për 12 rekomandimet e Komisionit Europian. Në fjalën e tij ambasadori Sequi tha se, në rezultatet e procesit të integrimit, rëndësi të veçantë ka vullneti politik mes palëve. Ai vlerësoi bashkëpunimin për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar një “provë suksesi”. Në këtë kuadër, Sequi kërkoi që të hidhen hapa konkretë për të realizuar Plan-Veprimin për integrimin e vendit në BE. “Plan-veprimi është një dokument pune ku duhen parë qartë reformat që duhen zbatuar për integrimin”- tha Sequi. Ambasadori i BE-së theksoi se po ndiqet me vëmendje puna në komisionet e posaçme të reformës zgjedhore dhe ndryshimi i rregullores parlamentare. Gjatë fjalës së tij, Sequi e vlerësoi si shumë të rëndësishëm rolin e shoqërisë civile në reformat për plotësimin e 12 Rekomandimeve të KE dhe të integrimit evropian të vendit. “Shoqëria civile ka një rol kyç dhe të rëndësishëm në procesin e reformave, pasi ndikon në promovimin e parimeve thelbësore të BE-së që kanë të bëjnë me demokracinë dhe shtetin e së drejtës”, tha ambasadori. Ai shtoi se Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Stefano Sannino do ta vizitojë sërish Tiranën, duke dëshmuar rëndësinë që BE i jep procesit të integrimit të Shqipërisë. Drejtori Sannino gjatë vizitës së fundit në Tiranë (6 shkurt) kërkoi nga autoritetet shqiptare që vendi të ruajë ritmin e reformave të nevojshme për integrimin europian.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›