E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga në Belgjikë "killerit" të Shkodrës

Behar Bajri është dënuar për vrasjen e një polici dhe gjobëvënie, por lista e krimeve në emër të tij është e gjatë
Policia belge arrestoi në Gent Bajrin. Akuzohet edhe për vrasjen e të shoqes 16-vjeçare
TIRANË- Vrasja e një punonjësi policie, përdhunimi i dy vajzave të mitura, dyshimet për disa vrasje të tjera të përgjakshme, mes të cilave edhe ajo e së shoqes, kanë tashmë një autor në pranga.Behar Bajri, "tmerri" 27-vjeçar i policisë së Shkodrës, prej ditës së djeshme ndodhet në duart e policisë belge. Jo se arrestimi i tij ishte mision i pamundur për policinë shqiptare, por se drejtësia jonë i ka dhënë kaherë dënime qesharake për krime të rënda. "Shtetasi Behar Bajri është i njohur si kontigjent kriminal për shkak të kryerjes së disa krimeve të rënda në qytetin e Shkodrës ndër të cilat: vrasje me armë zjarri të punonjësit të policisë Petrit Demiri, krim për të cilin pas arrestimit është dënuar vetëm me dy vjet burgim. Është dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 milionë lekë gjobë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda Tiranë për kryerjen e veprës penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë",-bëri dje me dije zëdhënësja e Policisë së Shtetit, Laura Totraku.
Nëpërmjet njoftimit për shtyp, policia e shtetit shtoi se Behar Bajri është autori i dyshuar për disa vrasje të rënda, tëkryera në qytetin e Shkodrës. Ndërsa është arrestuar edhe herë të tjera, pasi është kapur me armë, duket se nuk e ka pasur të vështirë të rikthehet në liri. Sipas njoftimit të policisë, arrestimi i shtetasit Behar Bajri është bërë në lokalitetin Gent/Belgjikë. Për t'i shpëtuar policisë, ai përdorte gjeneralitete false me emrin Mitko Kamenov, i datëlindjes 25.5.1978.Megjithëse ka mohuar të ketë lidhje me drejtësinë shqiptare, krahasimi i shenjave të gishtave nuk ka lënë më vend për dyshime. Autoritetet belge kanë lajmëruar kolegët shqiptarë për këtë arrestim, duke i ftuar njëherazi ata të përgatisin dokumentet për ekstradimin dhe përballjen e tij me drejtësinë shqiptare. K.Kotorri
Akuzat ndaj Behar Bajrit
Me datë 28.01.2000 në fshatin Dobraç ka vrarë me armë zjarri Petrit Demiri, punonjës i Policisë Rrugore në Komisariatin e Policisë Shkodër. Për këtë vepër venale Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër e ka dënuar vetëm me dy vjet burgim
Apeli për Krime të Rënda, me vendim të datës 27 shkurt 2007 e ka dënuar me 9 vjet heqje lirie dhe 2 milion lekë gjobë për kryerjen e veprës penale të "shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë". Përmes gjobvënies, ka kërkuar që të përfitojë pa të drejtë shumën prej 5 milionë lekësh të reja nga një banor i qytetit të Shkodrës.
Me datë 18.08.2006, Behar Bajri është akuzuar për përdhunimin e dy vajzave të mitura, krim të cilin e ka kryer në bashkëpunim me një tjetër shtetas.
Me datë 14.01.1999, në lagjen Dobraç të qytetit të Shkdrës, Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen se kanë kryer veprën penale të vjedhjes me armë ndaj dy shtetasve nga Berati, të cilët kanë qenë duke udhëtuar me një automjet tip kamion me targë të Vlorës.
Me datë 14.01.1999 në lagjen "Vojo Kushi" janë vrarë me armë zjarri vëllezërit Osman e Artur Alibali. Autorë të dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri, Ilir Bajri dhe Frederik Totaj.
Me datë 15.02.2001 në lagjen Vasil Shanto të qytetit të Shkodrës është vrarë me armë zjarri shtetasi Arben Tuzi, vjeç 39 nga Shkodra. Autorët e dyshuar të kësaj ngjarje kanë rezultuar të jenë shtetasit Behar Bajri dhe Ilir Bajri
Me datë 26.06.2002, në banesën e Behar Bajrit është gjetur e vrarë bashkëshortja e tij Fabiola Bajri, 16 vjeçe. Nga veprimet hetimore të kryera rezultoi se në këtë rast ishte vrasje dhe jo vetëvrasje siç deklaruan familjarët. Autor i dyshuar i kësaj vrasje është shtetasi Behar Bajri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›