Ambasada e SHBA-ve: Të gjendet konsensusi për Kodin Zgjedhor
Ambasada e SHBA-ve në Shqipëri ka reaguar dje për grevën e urisë së 10 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Zëdhënësi për shtyp, Biks Aliu, është shprehur se Ambasada Amerikane në Shqipëri po “e ndjek nga afër situatën e grevës së dhjetë deputetëve të partive të vogla parlamentare dhe nxit arritjen e një zgjidhje nëpërmjet konsensusit”. Ai gjithashtu theksoi se Kodi Zgjedhor ka nevojë që të diskutohet gjerësisht nga të gjitha palët. “Rregullat, rregulloret dhe aspektet teknike të zgjedhjeve dhe procesit zgjedhor kanë nevojë për një diskutim nëpërmjet mjeteve të hapura dhe bashkëpunuese”, - është shprehur zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Tiranë. Më tej Aliu është shprehur se zgjedhjet e ardhshme parlamentare përbëjnë një provë të demokracisë në Shqipëri. “Zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri do të jenë një provë e vërtetë e nivelit të demokracisë së saj, ndërkohë që Shqipëria vazhdon rrugën e saj për një integrim të plotë euroatlantik”, - është shprehur zëdhënësi i Ambasadës Amerikane në Shqipëri.
16 Nentor 2008