Dhjetor, paketë e re fiskale në Kuvend
Fill pas miratimit të projektbuxhetit të vitit 2012, Ministria e Financave do të sjellë në Kuvend paketën e re fiskale. Këto përmirësime përfshijnë ligjin e akcizave, të kasave fiskale. Ndërsa një pjesë e ndryshimeve vjen si rezultat i detyrimeve që vendi ynë ka për anëtarësimin në Bashkimin Europian
Ministria e Financave është në përfundim të një pakete të re fiskale, e cila do të kalojë për miratim në Kuvend gjatë muajit dhjetor. Lajmin e ka dhënë dje për mediat, zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj, i cili tha se paketa e re që pritet të vijë shumë shpejt në Kuvend nuk parashikon rritje taksash, por vetëm disa përmirësime në procedurat tatimore, nëpërmjet të cilave, sipas tij synohet të rritet efikasiteti i mbledhjes së taksave. Këto përmirësime përfshijnë ligjin e akcizave, të kasave fiskale. Ndërsa një pjesë e ndryshimeve vjen si rezultat i detyrimeve që vendi ynë ka për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Mirëpo, sipas projektit të Ministrisë së Financave, “ndryshimet e ligjeve tatimore do të vijojnë drejt përafrimit me kuadrin ligjor të harmonizuar të BE-së për taksimin indirekt, TVSH dhe akcizë. Në fushën e tatimeve direkte, ndryshimet ligjore do të respektojnë parimet e vendosura në Kodin e Etikes Europiane për taksimin e kompanive, si dhe të Small Business Act”. Sipas ministrisë, efekte mbi të ardhurat priten edhe nga përmirësimi në administrimin dhe mbledhjen e të ardhurave. Këtu elementi më i rëndësishëm është përfundimi i procesit të pajisjes me kasa regjistruese të bizneseve dhe përdorimi i rregullt i tyre për regjistrimin e transaksioneve që kryhen me para në dorë. Sistemi fiskal dhe taksat kryesore që mbushin arkën e shtetit, edhe vitin që vjen do të jenë në proces reformimi. Ministria e Financave ka bërë planin ku spikasin synimet kryesore në sistemin e taksave. Më e rëndësishmja lidhet me faktin se këtë vit nisin procedurat për përafrimin e kuadrit ligjor për TVSH-në, akcizën dhe tatimin mbi të ardhurat me legjislacionin e Bashkimit Europian, në fushat e taksimit direkt dhe indirekt, çka nënkupton ndërhyrje cilësore dhe sasiore në TVSH dhe akcizë, për t’i sjellë ato në nivelet europiane si një kusht që lind nga përmbushja e detyrimeve të anëtarësimit. Ministria e Financave në Programin Fiskal për dy vitet në vazhdim do të hartojë një ligj të ri integral të TVSH-së, në përputhje të plotë me direktivën 6 të KE-së. Përgatitja e këtij ligji të ri do të bëhet me asistencën teknike të Komisionit Europian dhe do të nisë këtë vit, për të përfunduar në qershor 2012. Ministria e Financave gjatë publikimit të objektivave të punës për vitin 2011 ka njoftuar se ndërhyrja për përshtatjen e skemës së TVSH-së me atë të BE-së ka nisur këtë vit. Në fakt, hapat janë ndërmarrë edhe në dy vitet e shkuara, kur arsimi dhe shëndetësia janë përjashtuar nga TVSH-ja. Mirëpo paketa e re fiskale nuk do të tentojë të ulë barrën fiskale, pasi në këto kohë ku kriza në Europë po përforcohet gjithnjë e më shumë, ula e taksave është përjashtuar si version, për shkak se kjo politikë e së djathtës në pushtet është ezauruar tashmë. Sipas deklarimeve paraprake të ekspertëve të financave, paketa e re fiskale nuk parashikon as ulje dhe as rritje të taksave. Që nga viti 2012 shqiptarëve do t’u duhet të deklarojnë të ardhurat dhe shpenzimet vjetore nëpërmjet një formulari të posaçëm, duke përmbushur kështu një nga detyrimet që rrjedhin nga ligji që u miratua këtë vit për deklarimin e të ardhurave personale të individëve. Viti i parë i deklarimit do të jetë viti 2012 për të ardhurat e realizuara në vitin 2011. Ky vit ishte periudha e përgatitjeve për fillimin e zbatimit të kësaj forme deklarimi dhe pagimi të tatimit mbi të ardhurat personale. Nga politikëbërësit është konsideruar si mjet për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe nuk pritet të ketë impakt të rëndësishëm mbi të ardhurat, të paktën për vitet e para të zbatimit.