E Shtunë, 31 Tetor 2026

Agjencitë speciale, aleancë për hetimin e pasurive



Fshehja e pasurisë nga një zyrtar i lartë apo politikan përbën shkelje ligjore të rëndë, por zbulimi i një krimi të tillë është më i vështirë sesa duket. Këtë gjë e ka kuptuar shpejt kreu i ri i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla, i cili ka kërkuar ndihmën e institucioneve të tjera të specializuara për të bërë të mundur rezultate konkrete në hetimin e pasurive. Në funksion të këtij qëllimi është nënshkruar dje një Memorandum Bashkëpunimi nga ILKPD, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Avokatura e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Qëllimi i kësaj aleance do të jetë mbledhja, zhvillimi dhe analizimi i informacionit që do të shkëmbejnë në lidhje me fshehjen e interesave private dhe pasurore, korrupsionin, krimin ekonomik, evazionin fiskal apo të aktiviteteve të jashtëligjshme që lidhen me to. Me Avokaturën e Shtetit, ILDKP nënshkruan për herë të parë një marrëveshje të tillë, ndërsa me tre institucionet e tjera, inspektorati i rinovon memorandumet e mëparshme, si rrjedhojë e ndryshimeve që janë kryer në ligjet organike të këtyre institucioneve. Palët kanë sigurisht dhe detyrime ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që të arrihet bashkëpunimi në raste specifike. Në këtë kontekst, Inspektorati i Lartë angazhohet t’u ofrojë institucioneve informacionin dhe praktikat në rast të zbulimit të shkeljeve ligjore nga subjekte deklaruese apo të dyshuara për evazion fiskal, ose për pasuri të fituara si rrjedhojë e krimit ekonomiko-financiar.

Zyra për Pastrimin e Parave angazhohet në marrjen e masave për sigurimin e provave, kur kërkohet nga ILDKP gjatë zhvillimit të një procedure hetimore, për rastet kur nuk mund ta bëjë vetë një gjë të tillë, duke shfrytëzuar hapësirat e saj ligjore për investigim brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë. Zyra e Tatimeve mbulon procedurat ligjore në rastet e verifikimit të pasurive të fituara nga fshehja e detyrimeve fiskale. Policia do të mbështesë në terren grupet e investigimit të Inspektoratit të Lartë, duke i bashkëshoqëruar me punonjës të strukturave të saj, të cilët do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit të mbledhjes së informacioneve. Ndërsa Avokatura e Shtetit, e cila firmos për herë të parë këtë bashkëpunim, merr përsipër që, në bashkëpunim me ILDKP, të ndjekë rastet e pavlefshmërisë së akteve dhe kontratave administrative, nxjerrë në kushtet e konfliktit të interesave, si dhe zbatimin e procedurave ligjore për rregullimin e pasojave juridike të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›