E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Dëmshpërblim për nacionalistët që u tradhtuan nga Kim Filbi



Seanca e djeshme parlamentare u kthye në leksione historie dhe shkak ishte ligji për një ndryshim në dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, i cili në thelb kërkon shtimin e përfituesve. Përfaqësuesit e së majtës, në veçanti deputeti Pandeli Majko, thanë se nisma ligjore në fjalë kërkon të dëmshpërblejë edhe ish-kolaboracionistët me nazizmin dhe fashizmin. Reagimi i parë erdhi nga deputeti demokrat, Bujar Leskaj, i cili tha se “Majko ka parë filmat e ish-Kinostudios”, por vetë Kryeministri Sali Berisha ndërhyri në këtë debat.

Ai tha se nisma ligjore nuk kërkon të dëmshpërblejë ish-kolaboracionistët, por nacionalistët dhe antikomunistë që u masakruan nga regjimi i Enver Hoxhës. Madje, Kryeministri i kërkoi Parlamentit një amendim për dëmshpërblimin e qindra nacionalistëve shqiptarë të cilët u vranë nga regjimi i Hoxhës, gjatë përpjekjeve të tyre në fund të viteve ‘40 dhe në fillim të viteve ‘50 për të rrëzuar regjimin e Hoxhës. “Krahas shpalljes së tyre “Martirë të Lirisë”, unë i propozoj Parlamentit që të ketë një amendament për dëmshpërblimin e tyre sepse ata ranë që ne të bëheshim të lirë. Nuk është normale që të kalojmë në luftën e gjyshërve, sepse kjo nuk i shërben të ardhmes. Këta që po them, po vinin nga NATO-ja dhe ishin financuar nga Presidenti Truman. Ata erdhën për të na çliruar ne”, - deklaroi Berisha. Bëhet fjalë për qindra nacionalistë, të njohur si diversantë, të cilët ishin pjesë e një aksioni te organizuar nga amerikanët dhe britanikët për rrëzimin e regjimit komunist. Por aksioni i tyre ishte një dështim për shkak se ata u tradhtuan nga i mbiashtuquajturi si kryespiuni i Luftës së Ftoftë, Kim Filbi. Agjenti britanik u dha të gjithë informacionin sovjetikëve të cilët informuan regjimin komunist në Shqipëri për çdo detaj.

Më vonë, në Parlamentin britanik, ish-Kryeministri Toni Bler do të deklaronte se shërbimi sekret britanik ka njohur dy dështime të mëdha në histori dhe njëri ishte dështimi i operacionit në Shqipëri.

Kreu i qeverisë shqiptare tha: “Mendoj se këtu duhet të jemi të bashkuar. Unë jam i vetëdijshëm, se fatura është jo e thjeshtë, por shumë e rëndë, është për këtë shoqëri që ata të mbikalohen. Po bëhet një akt i madh njerëzor”. Ai hodhi poshtë zërat se me anë të këtij ligji do të dëmshpërblehen ish-kolaboracionistët. “Është keqdashës trillimi se ne po shpërblejmë kriminelë luftë. Asnjë të vetëm, por përkundrazi, viktimat e krimit të komunizmit. Le të lexojmë aktet e krimeve kundër njerëzimit. Të gjitha krime që u kryen në emër të një regjimi dhe ideologjie të caktuar”, - tha Berisha.

Kompania 4000

Kreu i mazhorancës kërkoi një amendim ku të dëmshpërblehen edhe nacionalistët, të njohur si diversantë, që dhanë jetën për të rrëzuar regjimin e Hoxhës. Sipas Berishës, ata u vranë për të çliruar Shqipërinë nga një regjim i egër. Kompania 4000 ishte regjimenti i shqiptarëve, të cilët u stërvitën nga britanikët dhe amerikanët në Gjermani dhe në Qipro, për të kryer misione për çlirimin e vendin nga komunizmi. Pjesa më e madhe e tyre kapej nga forcat e Sigurimit të Shtetit për shkak se informacioni kishte kaluar nga Kim Filbi tek komunistët shqiptarë.

Berisha tha se sot po shkojmë në NATO, ndërkohë që ata vijnë nga NATO-ja për të na liruar ne. “Nga vitet ‘45, Presidenti i SHBA-së, Herri Truman, dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, krijuan komitetin e përbashkët. Ky komitet kishte qëllimin që t’u jepte shqiptarëve lirinë, kishte qëllim që t’i çlironte nga regjimi që sapo doli nga lufta dhe u dhunoi zgjedhjet. Ekzekutoi opozitën. Ky komitet mobilizoi resurse të mëdha, elitë intelektuale dhe politike shqiptare”, - tha Berisha në lidhje me iniciativën amerikano-britanike për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, por që u spiunua nga Kim Filbi. Duke folur më tej për Filbin, Berisha tha se ai u dënua nga drejtësia britanike me dënim kapital, ndaj dhe ne duhet të bëjmë tonën me nacionalistët e rënë. “Këta ishin nacionalistë të vërtetë, luftëtarë që luftuan katër vite kundër okupacionit dhe kur panë se Enver Hoxha po vendoste një pushtim të ri, u larguan dhe ranë në pritat e një tradhtari që u jepte rusëve të gjitha të dhënat”, - shtroi ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›