E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Në maj, fondi i dytë prej 20 milionë dollarësh për të përndjekurit



Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dje në Parlament se fondet e ish-të përndjekurve nuk do të ndërpriten. Sipas tij, fondi për vitin 2008 do të shpërndahet së shpejti, por njëkohësisht premtoi se në muajin maj do të çelet edhe fondi për vitin 2009, i cili është 20 milionë dollarë. Sipas ndryshimit në ligj, përfitojnë dëmshpërblim pasardhësit, si vëllezër dhe nipërit të të gjithë atyre që janë pushkatuar apo që kanë vuajtur në kampet me gjemba. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me shtyrjen e afatit të kërkesave për të kërkuar dëmshpërblim. Ish-të përndjekurit kanë kohë deri në datën 1 korrik të këtij viti të bëjnë kërkesat. Ndërkohë, të gjithë ata që aktualisht kanë bërë dokumentet gati, do të duhet të bëjnë një kërkesë të re. Ligji rregullon dy situata problematike të nxjerra në pah nga zbatimi i ligjit bazë, si dëmshpërblimi financiar i të ekzekutuarve pa gjyq dhe dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Pra, mjaft të eliminuar gjatë regjimit që s’kanë pasur pasardhës direkt, si kleri, pasardhësit e tyre si vëllezër, motra dhe nipër do të përfitojnë këtë dëmshpërblim.

Investimet e huaja në Lezhë, 2 miliardë euro

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në përurimin e fillimit të punimeve për fabrikën e re të çimentos, në Balldren të Lezhës, një investim prej qindra milionë eurosh. Duke përfituar nga ky përurim, Berisha tha se vendi ka hapur dyer për investitorët e huaj. Ai mori shembullin e investimeve në fabrikat e çimentos, energjitikës etj., pasi në vitet e fundit, investimet për fabrikat e çimentos kapin shifrën e rreth 2 miliardë eurove. Njëkohësisht, Berisha bëri thirrje për më shumë investitorë, pasi vendi ka ende nevojë për investime. “Në këtë vend është një rrjet rrugor i tëri për t’u rindërtuar, janë mbi 400 diga, hidrocentrale të reja për t’u ndërtuar, janë pothuajse qindra kilometra, tunele, tashmë jo të kuptimit të vjetër, por tunele për të çarë malet dhe shkurtuar distancat, tunele për të rritur fuqinë energjitike të ujërave tona. Janë me mijëra e mijëra platforma të turbinave të erës, për t’u ndërtuar në kodrat e Balldrenit dhe mbarë vendit”, - tha Kryeministri.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›