E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Zgjedhjet, test për BE-në e NATO-n



Hyrja me të drejta të plota e vendit tonë në NATO nuk do të jetë vetëm një ditë feste, por dhe fillimi i angazhimeve të reja politike të vazhdueshme. Kështu e sheh Presidenti Bamir Topi anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Veriut. Si sfidën më të parë që do të tregojë seriozitetin e vendit tonë si anëtar i NATO-s, ai ka vlerësuar zgjedhjet e qershorit. Gjithashtu, Topi i ka cilësuar këto zgjedhje si gur prove për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. “Zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 28 qershorit janë jo vetëm testi i Shqipërisë për të ecur më tej në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, por edhe guri i provës më i afërt që anëtarësimin tonë në NATO e kthen në përgjegjësi të përmbushur me sukses dhe të përligjë besimin që aleatët tanë na kanë dhënë”, - tha kreu i shtetit. Ai i bëri komentet gjatë një konference për anëtarësimin në NATO, ku ishte në krah të deputetit të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj. Duke folur për zgjedhjet, Topi ka vënë theksin jo vetëm tek infrastruktura për të cilën po ankohet shpesh opozita, por dhe tek mënyra se si do të bëhet fushata elektorale. Sipas tij, “standardet e kërkuara të zgjedhjeve politike të qershorit nuk përmbushen vetëm duke ndërtuar infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, por edhe duke bërë një fushatë transparente, programore, vizionare dhe etike për të ndërgjegjësuar qytetarët se vetëm nëpërmjet votës së lirë, ata mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së problemeve dhe ndërtimit të së ardhmes së tyre”. Ai i ka veçuar këto zgjedhje si historike, duke u shprehur: “Përpos detyrimit ligjor ndaj shtetasve të saj, politika shqiptare nëpërmjet zgjedhjeve parlamentare të muajit qershor, ka përgjegjësinë e madhe ta shkëpusë përfundimisht këtë vend nga udhëkryqet historike dhe politike”. Ndërkaq, kreu i shtetit, i cili do të jetë në krye të delegacionit që do të marrë pjesë në samitin e Strasburg-Këlnit ku vendi ynë pret të anëtarësohet, ka folur për shumë detyrime që vijnë si pasojë e këtij anëtarësimi. Sipas tij: “Kjo nënkupton më shumë siguri kombëtare, më shumë garanci për shtet demokratik të së drejtës dhe institucione të pavarura kushtetuese, më shumë liri dhe drejtësi, më shumë investime të huaja në Shqipëri, vetëdije më të thellë për vlerat demokratike tradicionale që ushqejnë themelet e shteteve demokratike të vendeve euroatlantike, emancipim të mëtejshëm të elitës politike shqiptare dhe ritme më të shpejta të vendit drejt Bashkimit Evropian”.

Opozita, me fjalor të vjetër

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi, ka zgjedhur një fjalor të vjetruar, konfliktual dhe të ashpër në daljen e tij publike, ku ka folur për shqetësimin e kësaj partie për kartat e identitetit. Megjithëse kryetari i ri i partisë flet për një politikë të re, larg konflikteve, duke atakuar politikën e mëparshme si konfliktuale, të vjetrit e PS-së duket se nuk kanë hequr dorë nga termat e ashpër, duke deklaruar se zgjedhjet janë në rrezik, edhe pse deri më tani nuk ka ndonjë arsye për të menduar kësisoj. “Sali Berisha të mos luajë me zjarrin!”, - është drejtuar dje Ruçi duke kujtuar një mënyrë funksionimi të hershme të kësaj partie. Ish-numri dy i kësaj partie, i cili prej kohësh ka qenë në heshtje, dje ka dalë në konferencë për shtyp për të deklaruar shqetësimin e përditshëm tashmë të selisë rozë për kartat e identitetit. Edhe pse sekretarët e rinj të PS-së, të cilët kanë dalë në konferenca ditët e tjera, e kanë ngritur këtë shqetësim duke u përqendruar te propozimi i dhënies së kartave falas, Ruçi ka zgjedhur tjetër mënyrë komunikimi për këtë çështje. Ai nuk e ka cilësuar si zgjidhje vendimin e qeverisë për uljen e çmimit të kartave për disa kategori, por ka ndezur dritën e alarmit për zgjedhjet e ardhshme, duke na kujtuar sjelljen e opozitës para zgjedhjeve lokale të vitit 2007. “Sali Berisha të mos luajë me zgjedhjet, të garantojë të drejtën e votës për të gjithë. Partia Socialiste e Shqipërisë konstaton se zgjedhjet e 28 qershorit rrezikohen seriozisht. Ato rrezikohen seriozisht si rezultat i mungesës së vullnetit politik të mazhorancës aktuale dhe lidershipit Sali Berisha, me synimin e vetëm, manipulimin e rezultatit të 28 qershorit”, - tha dje Ruçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›