E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: Fjalimi i Ramës, i denjë për shpellat mafioze

Reagon PS: Të kursente gjuhën e urrejtjes

E ashpër. Kështu mund të përkufizohet Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në reagimin e djeshëm ndaj Kongresit të Partisë Socialiste. “Me hidhërim të thellë ndoqëm aktivitetin e sotëm të zotit Rama, në të cilin me vërtetësi e transparencë të trishtueshme, ai dhe fosilet e reja e të vjetra të PPSH-së, refuzuan realitetin ekonomik, politik, social e integrues të vendit, duke e bërë të krahasueshëm vetëm me Kongresin e radhës së Partisë së Punës së Shqipërisë”, u shpreh Topalli. Ata që ndoqën sot Kongresin e Partisë Socialiste, tha ajo, patën rastin të konstatojnë se ky ishte dëshpërimisht kongresi i etërve dhe bijve të Bllokut, që kërkojnë revanshin për të dënuar sërish shqiptarët për përbuzjen që u dëshmuan më 28 qershor me votë. Natyrisht, vijoi ajo, në Kongres nuk mungonin as anëtarët e Byrosë Politike të KQ-së së Partisë së Punës, të përfaqësuar denjësisht me patos qesharak nga Edvin Kristaq Rama, e me prezencën e Ilir Xhelil Gjonit, Ilir Hamit Beqjes, Enkeleda Hamit Shamkut, Ditmir Sulejman Bushatit, Dash Myslim Pezës. “Ky ishte kongresi i etërve dhe i bijve të Bllokut, sepse në këtë kongres ata faktuan se mbeten njësoj si 20 vjet më parë, kundërshtarë të shtetit ligjor, të lirisë së tregut, të vlerave të sistemit demokratik, betejë që shqiptarët e fituan zyrtarisht ditën kur çliruan Shqipërinë nga regjimi i baballarëve të tyre. Ky ishte kongresi i etërve dhe bijve të Bllokut që me platformat që shtruan sot, dëshmuan se janë të gatshëm për të bllokuar e për të larguar Shqipërinë nga Europa”, u shpreh Topalli. Numri dy i demokratëve insistoi se “fytyra e shprishur, tmerri në sy, fjalori i oratorit kryesor, ishte i denjë për plenumin e Beratit apo shpellat mafioze, por jo për një parti anëtare të Socialistëve Europianë. Pas Topallit ka ardhur menjëherë reagimi i PS-së, përmes deputetes Olta Xhaçka. “Të paktën këtë ditë të diel, zonja Topalli duhet t’ia kish kursyer shqiptarëve fytyrën e dasisë, gjuhën e urrejtjes, figurën e shpifjes që i ka të mëshiruara në qenien e saj të pangopur me pushtet dhe të sunduar nga tiparet e persekutorëve të së shkuarës”, tha ajo.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›