E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Greqia jo vendi i fundit i ratifikimit të MSA

Shqipëria shpreson që Greqia të mos jetë shteti i fundit i ratifikimit të MSA-së me BE-në. 

BLEDAR HOTI

Kështu ka deklaruar kryeparlamentarja Topalli pas mbylljes së takimit të parlamenteve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur në Bruksel. "Do të doja të falënderoja të 22 vendet e BE-së që kanë ratifikuar MSA-në Shqipëri-BE, si rezultat i reformave të mëdha dhe të guximshme që Shqipëria ka ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Uroj që Greqia të mos mbesë e fundit për ta ratifikuar edhe ajo këtë kontratë kaq të rëndësishme për ne. Unë mendoj se shumë shpejt ne do t'i bëjmë kërkesë Brukselit për të marrë statusin e vendit kandidat. Bazuar në reformat e mëdha dhe ndryshimet e jashtëzakonshme që janë bërë në Shqipëri, uroj që të marrim një përgjigje pozitive", deklaroi Topalli. Vetëm pesë vende kanë mbetur pa ratifikuar MSA-në, Portugalia, Greqia, Gjermania dhe Franca. Kryeparlamentarja nëpërmjet kësaj deklarate kërkoi që vendi fqinj, Greqia, të mos jetë e fundit të nënshkruajnë MSA-në mes Shqipërisë dhe BE-së. Topalli ndërkohë ka pasur takime me presidentin e BE-së, Hose Manuel Barroso, me kreun e PE-së, Hans Gert Potering dhe me zëvendëskryetarin e parë të Parlamentit të Francës, Mark Lafiner. Sipas një njoftimi për shtyp, Presidenti Barroso në takimin me Topallin ka deklaruar se, "Shqipëria ka bërë shumë progres dhe së bashku me autoritetet e këtij vendi po punojmë në perspektivën evropiane të saj". Ndryshe nga Topalli që thekson se shpreson se në fund të vitit Shqipëria të marrë statusin e kandidatit, Presidenti Barroso nuk ka fiksuar datë, duke e cilësuar si të shpejtë një gjë të tillë. Kryetarja e Kuvendit falënderoi Barroson për mbështetjen e dhënë Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor gjatë procesit të anëtarësimit në BE. "Perspektiva evropiane është shumë e rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit tonë dhe angazhimi ynë mbetet realizimi dhe vijimi i  reformave që do të përshpejtojnë anëtarësimin", tha Topalli. Një falënderim të veçantë Kryetarja e Kuvendit i bëri Presidentit të Parlamentit Evropian, Hans Gert Poettering në takimin që ai i rezervoi. Mes tyre u bisedua rreth progresit të bërë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të ardhmen e tyre evropiane dhe sfidat në këtë proces. Ndërsa drejtuesi i radhës së BE-së, ministri i Jashtëm slloven, Dimitri Rupel, në takimin me kryeparlamentaren ka deklaruar se, "Shqipëria është një vend shumë serioz në përpjekjet për integrim. Shqipëria ka nënshkruar MSA-në dhe bazuar në këtë duke zhvilluar të gjitha potencialet, shpresoj që të bëhet vend kandidat së shpejti". Kryetarja e Kuvendit konfirmoi vullnetin e autoriteteve shqiptare për vijim të reformave, të cilat e bëjnë të sigurt ecjen drejt anëtarësimit në BE. Një takim i veçantë iu rezervua Topallit nga France Cukjati, Kryetar i Parlamentit të Sllovenisë, një nga iniciatorët kryesorë të takimit parlamentar në Bruksel.

Shefer: NATO, firma më 9 korrik

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap De Hoop Scheffer, deklaroi dje nga Berlini se bisedimet për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO kanë shënuar progres. Shefer deklaroi gjatë seancës parlamentare të NATO-s në Gjermani se bisedimet për anëtarësimin e plotë të dy vendeve të ftuara në muajin prill, siç është Shqipëria dhe Kroacia, kanë shënuar progres dhe qëllimi i aleancës është që këto dy vende të përfundojnë zyrtarisht raundet e bisedimeve deri më 9 korrik, ku pritet të firmoset anëtarësimi në NATO. Ai shpresonte që edhe Maqedonia të zgjidhte çështjen e emrit me
Greqinë përpara 9 korrikut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›