E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli-Hasani Parlamenti i Shqiperise ka ndermarre reforma thelbesore

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli gjatë takimit me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës Enver Hasani, ka vlerësuar bashkëpunimin dhe nivelin e lartë të shkëmbimit të eksperiencave dhe dijeve në fushën e konstitucionalizmit dhe jurisprudencës mes dy gjykatave.

Kryeparlamentarja Topalli u shpreh se Parlamenti i Shqipërisë ka ndërmarrë reforma thelbësore për konsolidimin e integritetit, pavarësisë dhe profesionalizmit, të sistemit gjyqësor.

Në këtë pikë, ajo vuri theksin te mbajtja për herë të parë të seancave dëgjimore në Komisionin parlamentar të Ligjeve, me kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, si dhe votimi nominal, i hapur në seancën plenare, për miratimin e anëtarëve, që përbën një progres të rëndësishëm.

Nga ana e tij, kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, zoti Enver Hasani, e njohu Kryetaren e Kuvendit me sfidat dhe reformat që duhet të përballet Gjykata Kushtetuese në Kosovë, në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ndër të tjera theksoi se precedentët dhe vendimet e të dy gjykatave, janë një bazë e mirë eksperience, për zhvillimin e mëtejshëm të jurisprudencës në Shqipëri dhe Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›