E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministria e Drejtësisë: Po rivlerësojmë pagat e Shkallës së Parë dhe të Apelit

Pagat e gjyqtarëve të Shkallës së Parë dhe të Apelit do të rriten, sipas një projekti të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Financave. Kryeministri Sali Berisha i ka dhënë porosi kreut të Ministrisë së Drejtësisë, Bujar Nishanit, për të hartuar legjislacionin e rritjes së pagave në dy shkallët e gjyqësorit, pasi prioritet i qeverisë është rritja e pagave në nivelet e ulëta të administratës. Në një prononcim për gazetën, Nishani tha se “jemi duke bashkëpunuar me Ministrinë e Financave dhe një gjë e tillë ka ardhur si domosdoshmëri nga kërkesat e vetë gjyqtarëve”.

Drafti

Ministria e Drejtësisë ka nisur punën për hartimin e një projektligji të ri që do të mundësojë rritjen e pagës për këtë kategori gjyqtarësh. “Në pozicionin e ministrit të Drejtësisë, kam marrë porosi të veçanta nga Kryeministri për t’u angazhuar në dy drejtime që kanë të bëjnë me pjesën e suportit administrativ dhe kushteve të punës së gjykatave. Së pari për të parë mundësinë për të paraqitur në qeveri një ligj të ri për rritjen e pagave të gjyqtarëve në gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit. Jemi duke bashkëpunuar me Ministrinë e Financës për hartimin e aktit ligjor që do të mundësojë rritjen e pagave të këtyre gjyqtarëve”, tha Nishani, duke shtuar se kjo nismë do të përmirësojë trajtimin financiar të kësaj kategorie. “Kjo ka lindur si domosdoshmëri për faktin se ligji për organizmin e pushtetit gjyqësor, e referon pagën e gjyqtarëve të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit me përqindje me pagën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, i cili e ka pagën e barabartë me atë të ministrit. Ndërkohë që, për shkak të politikës së kësaj qeverie, për të mos rritur pagat e larta, por ato të ulëtat dhe të mesmet, paga e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë nuk ka pësuar rritje dhe indirekt edhe ajo e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe Apelit, tha Nishani. Së shpejti projektligji do të kalojë për miratim në qeveri”, konfirmoi Nishani, duke shtuar se paga e gjyqtarit të Shkallës së Parë dhe të Apelit i referohet 60 deri 70 për qind të pagës së Gjykatës së Lartë. “Ne po punojmë për një ligj të veçantë, i cili përmes rritjes së koeficienteve do të ndikojë në rritjen e pagës së Shkallës së Parë dhe të Apelit”, vijoi Nishani. Më tej pohoi se “jemi në konsulta me Ministrinë e Financave për të përcaktuar përqindjet e koeficientet”.

Investimet

Një nga prioritetet e qeverisë në gjyqësor është planifikimi i investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave, të cilat kanë pasur kryesisht investime të huaja, si Gjykata e Krimeve të Rënda, apo sistemet dixhitale në to. Nishani tha se Ministria e Drejtësisë po përgatit një buxhet afatmesëm për investimet në gjyqësor, të cilat do të fillojnë nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe e Apelit Tiranë, të cilat kanë fluksin më të madh të punës. Më tej foli për hartimin e një strategjie për reformën në drejtësi, ku është ngritur një grup pune dhe janë adresuar kërkesat për të marrë opinione nga të gjithë aktorët e drejtësisë, si KLD, Prokuroria, gjykatat.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›