Ndoka: Klane brenda PD po godasin PDK-në
Pas sulmeve të ditëve të fundit dhe kërkesës së një grupi anëtarësh brenda PDK-së për dorëheqje, kreu i demokristianëve Nard Ndoka ka reaguar duke i cilësuar ato si jo legjitime. Ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, i sapo kthyer nga një vizitë disaditore jashtë vendit, ka deklaruar se nuk ka ndërmend që të jap dorëheqjen nga asnjëri post, pasi këto kërkesa bëhen nga individë që zyrtarisht nuk janë pjesë e Partisë Demokristiane. “Nuk është kërkuar asnjë dorëheqje për kryetarin e PDK-së. Deklarime të tilla, të bëra në kafene dhe në salla të mbushura me simpatizantë të partive të ndryshme, nuk mund të kenë asnjë lloj rëndësie për mua. Këtë gjë mund ta bëjë dhe Gjinushi, këtë gjë mund ta bëjë dhe dikush tjetër përfaqësues i një formacioni tjetër politik, duke kërkuar dorëheqjen e një kryetari legjitim të një force tjetër politike. Ata nuk janë pjesë e PDK-së”,- ka deklaruar dje Ndoka. Duke iu referuar takimit të një dite më parë, ku një grup individësh të vetëdeklaruar si demokristianë kërkuan dorëheqjen dhe largimin e Ndokës nga PDK, ky i fundit është shprehur se ata ishin një grup njerëzisht që po përdoren nga ish-kryetari Nikollë Lesi për të përçarë partinë. “Unë kam vendosur t’i lë ata në mjerimin e tyre, në fundin e tyre politik, pasi një fund të tillë kanë merituar. PDK do të jetë një formacion që do të ecë përpara, pavarësisht nëse duan apo nuk duan personat të cilët vetëpërdoren dhe e shikojnë me xhelozi PDK-në”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, njëkohësisht kryetar i PDK-së, Nard Ndoka. Ai nuk ka ngurruar që t’i cilësojë këto sulme me mbështetje politike nga grupe të caktuara brenda Partisë Demokratike, të cilat, sipas tij, kanë si qëllim shkatërrimin e PDK-së. “Dihen tashmë ato aktorë me emra se cilët janë. I njoh shumë mirë planet e tyre djallëzore, por një mazhorancë nuk besoj se duhet të funksionojë në mënyra të tilla tinëzare, të pabesa dhe xhelozie. Mendoj se është në të mirën e një mazhorance dhe të PD-së, që të ketë një alternativë demokristiane. Ne shpeshherë jemi përballur me kritika dhe paragjykime se Shqipëria është një vend islamik, që Shqipëria është një vend fundamentalist. Dhe tendenca të tilla për të sulmuar dhe përjashtuar një alternativë demokristiane, do t’i bënte dëm në radhë të parë kësaj mazhorance, por do t’i bënte keq gjithashtu edhe vendit”, - theksoi Ndoka. Sipas tij, deklarimet e zëvendësministrit të Kulturës, Zef Bushati dhe Pashk Ujkës, nuk kanë asnjë vlerë për PDK-në pasi nuk janë pjesë e saj, pasi janë regjistruar në një forcë tjetër politike. Gjithashtu, ai ka paralajmëruar Bushatin dhe Gurakuqin se do t’i kërkojë Kryeministrit që të rishikojë pozicionet e tyre zëvendësministrore. “Kur u jep një mandat politik njerëzve që nuk e meritojnë edhe ky është faj, por besoj se tashmë koha është për korrigjime dhe vetëpastrime. Prandaj ne do të përpiqemi që këto gabime t’i riparojmë”, - u shpreh Ndoka.