E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hekurudha, vagonë e lokomotiva stok për skrap

04/05/2010 Shitja për përfitim shtesë fondesh

DURRES- Së shpejti Hekurudha Shqiptare do të nisë të nxjerrë nga inventari i saj fizik vagonët e lokomotivat e papuna, të cilat kanë dalë nga përdorimi prej më shumë se 10-15 vite. Këto mjete të mbetura stok në stacionin e vjetër të trenit në Shkozet të Durrësit janë shndërruar në një shqetësim si për shoqërinë anonime të Hekurudhës Shqiptare, edhe për banorë të zonës. Hekurudha ka deklaruar se në gjendje stoku dhe pa asnjë lloj mundësi për t’i rivënë në punë janë dhjetëra vagonë e lokomotiva dhe se pasha e tyre e përgjithshme është më shumë se 10 mijë ton. Vit pas viti, për shkak të amortizimit të vagonëve kryesisht të udhëtarëve, por edhe të transportit të mallrave, si dhe të lokomotivave, shoqëria e hekurudhës nxjerr nga inventari i saj këto mjete. Këto mjete kanë zënë një sipërfaqe të konsideruar dhe ruajtja e tyre nga vjedhja e pjesëve të ndryshme e ka shtyrë shoqërinë të përpilojë edhe radhën e heqjes nga inventari. Drejtori i Hekurudhës Shqiptare sh.a., Zamir Ramadani, ka bërë të ditur se janë jashtë përdorimi si mall stok 32 lokomotiva dhe 310 vagonë. Hekurudha ka menduar t’i shesë për skrap me qëllim që të mbulojë një pjesë të shpenzimeve. Vagonët e lokomotivat, si ato në punë edhe të dala jashtë përdorimi, janë blerë në Çeki, Hungari, Rumani etj, dhe se kanë më shumë se 30 vite punë. Drejtoria e ka bërë të ditur gjendjen e këtyre mjeteve duke kërkuar t’i zëvendësojë me të tjera. Shoqëria anonime e Hekurudhës Shqiptare ka 60 vagonë për udhëtarë dhe 220 vagonë të tjerë për mallra, por përgjithësisht ato kanë nevojë për rinovim dhe pjesë këmbimi. Drejtori Ramadani ka thënë se baza e hekurudhës ka mundur t’i mbajë në gjendje pune vagonët, por kostoja e rinovimeve dhe e blerjes së pjesëve është e kushtueshme. “Një pjesë e lokomotivave nuk mund të ribëhen më, pasi ato i përkasin një teknologjie, e cila nuk prodhon më pjesë këmbimi”,-u shpreh drejtori Ramadani. Sot shoqëria anonime e Hekurudhës Shqiptare ka 24 lokomotiva që kanë nevojë për kapital. Ministria e linjës si dhe vet SHH kanë ndërmarrë një sërë projektesh për të mbajtur pozitiv bilancin e shoqërisë. Në dy-tre vitet e fundit janë shpenzuar fonde të konsideruara për të realizuar rikonstruksionin e stacioneve hekurudhore, rinovimin teknologjik të mjeteve, blerjen e traversave, agregate e ballastra. 6 milionë lekë i janë dashur hekurudhës të blejë ballastrat, 44 milionë lekë për traversa betoni dhe aksesor, si dhe 23.4 milionë lekë për pajisjet e këmbimit dhe agregatet për lokomotiva e vagonë. Hekurudha pritet të organizojë tender për një pjesë të vagonëve e lokomotivave, të cilat do të shiten për skrap. Brenda këtij viti thuhet se shoqëria do të pastrojë në mënyrë të ndjeshme inventarin nga malli i dalë jashtë përdorimi. Gjatë këtij viti pritet që të nisë edhe zbatimi i projekteve në saj të fondit prej 50 milionë eurosh që KE ka afruar për modernizimin e linjave hekurudhore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›