E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondet e BB, vetëm për gjysmën e Korçës

04/05/2010 Masterplani i qendrës së qytetit nuk përfshin pazarin e Korçës

KORÇE- Edhe këtë vit pazari i Korçës do t’u ngjasojë tregjeve më të prapambetura globit, ndërsa nuk dihet se, edhe për sa vite të tjera ky pazar dhe qendra historike e Korçës do të qëndrojë në të njëjtën gjendje. Për pazarin e Korçës nuk ekziston asnjë projekt i mirëfilltë. Ai gjithnjë lihet jashtë projekteve të rëndësishme. Fondet e Bankës Botërore kërkohen vetëm për një pjesë të qytetit, ndërsa për pjesën historike të tij, investimet ose kanë qenë të pakta ose kanë munguar krejtësisht. U deshën vetëm 30 minuta shi i rrëmbyer që tregtarët e pazarit të Korçës të braktisnin vendet e tyre të punës, të menaxhonin mallrat e tyre dhe të shpëtonin atë çfarë ishte e mundur të shpëtonte. Përse ndodh kështu? Edhe pse tregtarët e këtij qyteti kanë vite që kërkojnë që vendet e tyre të punës të jenë të mbuluara me çati mbi bazën e një projekti bashkëkohor, nga ana e Bashkisë Korçë ka pasur vetëm heshtje. Për rrjedhojë, vendet e punës së tregtarëve janë të mbuluara me copëra plastamsi, me kartonë, me pjesë arkash dhe gjithçka tjetër rrethanore që të kujton vitet e pasluftës së Parë Botërore. Bashkia e Korçës që prej një viti trumbeton si projekt madhështor dhe si risi të saj masterplanin e qendrës së Korçës, që sipas saj, do të thotë transformim bashkëkohor dhe ruajtje të elementëve tradicionale dhe që ky masterplan do të vihet shumë shpejt në zbatim, por harron të shpjegojë përse në këtë masterplan është lënë jashtë qendra historike e Korçës. Të gjitha fondet do të shkojnë vetëm për një pjesë të qytetit. E vërteta është se masterplani në fjalë, parashikon ndërhyrje vetëm te sheshi përballë Katedrales dhe ndërtimin e një zone këmbësore që shtrihet duke filluar sërish që nga Katedralja, për të vijuar përgjatë bulevardit “Shën Gjergji”, ku veç sa më sipër është parashikuar dhe restaurimin e fasadave të godinave, por vetëm në këtë pjesë të qytetit, ngritja e një qendre tregtare te sheshi i teatrit “Andon z. Çajupi”, si dhe ngritja e godinave deri në 8 kate në bllokun e ndërtesave pranë lulishtes “Vangjush Mio” dhe në afërsi të Albtelekomit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›