E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli KE-së: Na monitoroni zgjedhjet dhe dosjet



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, fton Këshillin e Evropës të monitorojë zgjedhjet në Shqipëri dhe zbatimin e ligjit të dosjeve. Znj. Topalli, takoi dje dy reporterët e Këshillit të Evropës, duke u bërë të qartë atyre se mazhoranca nuk do të tërhiqet nga zbatimi i ligjit të dosjeve. Topalli u shpreh se ligji në fjalë ka një rëndësi morale për vendin, por ajo siguroi se zbatimi i ligjit do të jetë korrekt dhe pa ngjyrime politike. Duke i qëndruar këtij premtimi, ajo ftoi reporterët e KE-së që të propozojnë monitorimin e zbatimit të këtij ligji. Kryeparlamentarja u shpreh e hapur që zbatimi i ligjit të ndiqet hap pas hapi nga ekspertët e Këshillit të Evropës. Ajo u shpreh e gatshme që në Shqipëri të vijë një ekip ekspertësh të cilët të ketë mundësi të monitorojnë çdo proces vendimmarrjeje që lind nga ligji i dosjeve. “Ky ligj, pavarësisht nga historia e egër e krimeve të komunizmit në Shqipëri, është një variant edhe më i butë se në vendet anëtare të BE-së. Ky është një ligj i domosdoshëm për t’u ndarë nga e kaluara dhe për të parë me besim nga e ardhmja”, - u deklaroi Topalli dy reporterëve të KE-së, David Uilshire dhe Jako Lakso. Ajo foli më tej për këtë ligj, duke bërë një ekspoze të miratimit të tij, të diskutimeve si dhe gjithë rrugën e gjatë që pati ky ligj deri në miratimin e tij. Topalli foli edhe për historinë e krimeve komuniste në Shqipëri, duke dashur t’u kujtojë deputetëve evropianë rëndësinë që ka ky ligj në dënimin e këtyre krimeve. Kryetarja e Kuvendit garantoi se zbatimi i ligjit do të jetë transparent dhe në përmbushje të standardeve, pasi sipas saj, ai është huazuar nga ligji çek.

Një tjetër pikë e rëndësishme e bisedimeve ka qenë edhe procesi zgjedhor i ardhshëm. Topalli bëri një përmbledhje në lidhje me këtë proces, duke e nisur nga miratimi i ligjit zgjedhor me konsensus. Ajo përmendi edhe reformat administrative si dhe infrastrukturën zgjedhore, si listat elektronike dhe letërnjoftimet e reja. Kryetarja e Kuvendit theksoi se këto zgjedhje do të jenë të lira dhe të ndershme, madje ajo, për këtë qëllim ftoi dy reporterët që të propozojnë në KE mundësinë e monitorimit të këtyre zgjedhjeve. Ajo vlerësoi frymën e konsensusit politik për miratimin e Kodit Elektoral dhe për zgjedhjen e organeve që do të administrojnë zgjedhjet. Biseda më pas u përqendrua në fusha të tjera, si në zhvillimin ekonomik dhe realizimin e reformave.

Reporterët: Sot qëndrimi ynë për dosjet

Reporterët e Këshillit të Evropës, David Uilshire dhe Jako Lakso, në të vetmin prononcim të shkurtër për mediat, thanë se ardhja e tyre në Shqipëri i dedikohet ligjit të dosjeve. “Ligji i lustracionit është çështja jonë kryesore. Do t’ju informojmë nesër (sot) në lidhje me punën tonë”, - tha për mediat deputeti Jako Lakso. Deklarata u bë fill pas përfundimit të takimit me të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Takimi në fjalë zgjati rreth 1 orë ku reporterët diskutuan me anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ankimimet e ardhura për këtë ligj. Ata kanë programuar që ditën e sotme të improvizojnë një konferencë për shtyp për mediat shqiptare ku do të japin hollësi në lidhje me takimet e tyre në Shqipëri. Gjatë ditës së djeshme ata kanë pasur një numër të konsiderueshëm takimesh. Dy reporterët e KE-së u takuan me deputetin demokrat, Aleksandër Biberaj, zëvendëskryeministrin Genc Pollo, ministrin e Punëve të Brendshme, Bujar Nishani, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli. Ata kanë programuar takime edhe me Kryeministrin Berisha, Gjykatën e Lartë, Prokurorinë e Përgjithshme dhe KQZ-në. Në përfundim të misionit, dy reporterët do të përgatisin një raport në lidhje me respektimin e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të Këshillit të Evropës, ku do të trajtohet ligji i dosjeve, përgatitja e zgjedhjeve të qershorit etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›