E Shtunë, 31 Tetor 2026

Urbanistika, caktohen afatet e lejeve të ndërtimit



Në rast të mosrespektimit të ligjit të urbanistikës nga bashkitë dhe komunat, hyn në fuqi parimi i heshtjes, gjë që sipas ndërtuesve nuk zgjidh problemin e lejeve të ndërtimit. Përfaqësuesit e qeverisë deklaruan dje në mbledhjen e Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese se afati ligjor prej 45 ditësh funksionon vetëm për zyrën teknike pranë pushtetit vendor dhe jo për Këshillat e Rregullimit të Territorit. Ky komision diskutoi projektligjin e ri për urbanistikën ku u ra dakord që procedura për pranimin e një lejeje ndërtimi nuk do të jetë më e gjatë se 55 ditë. Ligji në fjalë përcakton se brenda 45 ditësh, administrata do të pranojë ose jo dokumentacionin për leje ndërtimi. Pra brenda këtij afati do të jepet përgjigja pozitive ose negative, njëkohësisht edhe miratim i heshtur në rast se nuk ka një përgjigje. Pas këtij afati, administrata lokale ka 5 ditë afat për dërgimin e dokumentacionit në KRRT. Pas këtij afati, mbetet në dorën e KRRT-së për të dhënë përgjigje. Ekspertët dje në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese thanë se zbatimi i këtij ligji është i lidhur edhe me hartimin e planeve urbanistike nga ana e bashkive. Në rast se planet mungojnë, atëherë mund të ketë përsëri zvarritje në dhënien e lejeve të ndërtimit. Të dyja palët, si PD ashtu edhe PS, kanë pranuar këtë ligj, madje ai u mbështet si nga ana e ekspertëve të qeverisë edhe nga ata të Bashkisë së Tiranës. Edhe shoqata e ndërtuesve ra dakord në parim me projektligjin. Projektligji përcakton se pas miratimit nga KKRT-ja, kërkuesi i lejes është i detyruar të depozitojë brenda një afati kohor prej 30 ditësh projektin e zbatimit për objektin. Kur njësia e urbanistikës në njësinë vendore, brenda afatit 5-ditor, nuk dërgon në adresë të kërkuesit njoftimin se do të fillojë shqyrtimi i konformitetit arkitektonik, quhet i pranuar. Sipas nismës ligjore, njësia e urbanistikës, brenda 10 ditëve njofton kërkuesin se projekti arkitektonik i zbatimit të objektit është në përputhje ose jo me normat urbanistike dhe vendimin e KRRT-së, si dhe detyrimin për pagesën e taksës. Njësia e urbanistikës, nëse brenda një afati 10-ditor nuk njofton kërkuesin, për të meta në dokumentacion ose të meta në pagimin e taksës, konsiderohet i pranuar në heshtje dhe nga njësia e urbanistikës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›