E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli, Krasniqit: 17 shkurti, pjesë e memories shqiptare



Kryetarja e Kuvendit i dërgoi dje një letër urimi kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë. Në emër të Parlamentit të Shqipërisë, Topalli shpreh urimet më të përzemërta popullit të Kosovës dhe homologut Krasniqi, për këtë ditë të shënuar për Kosovën. Topalli shkruan se 17 shkurti do të mbahet mend gjatë në memorien e qytetarëve shqiptarë në mbarë botën. “17 shkurti 2008 është tashmë pjesë e memories së shqiptarëve dhe e botës mbarë, jo vetëm si dita e lindjes së Kosovës martire, por faqebardhë në përpjekjet e saj titanike për liri dhe të drejta njerëzore, për përkatësinë dhe ëndrrën e saj evropiane, por edhe si dita që shënon ditëlindjen e dytë të shenjtë për kombin tonë. Prandaj edhe ne të gjithë bashkohemi me ju për të kujtuar, festuar dhe gëzuar së bashku ditëlindjen e shumëdëshiruar dhe te shumëpritur të Kosovës”, - thuhet në letrën e Topallit dërguar Krasniqit.

“New Born” shqiptar edhe në Tiranë

Tirana ndërtoi dje një “New Born” ku hodhën firmat të gjithë ata që s’kanë pasur mundësi ta festojnë pavarësinë në Kosovë shpallur një vit më parë.

Pikërisht me rastin e përvjetorit të Kosovës shtet, Njësia Bashkiake numër 10 zhvilloi një aktivitet me të rinjtë dhe banorët e kësaj njësie në urën pranë zonës së Shallvareve. Sipas organizatorëve, aktiviteti u organizua në shenjë solidariteti me popullin shqiptar të Kosovës, në këtë përvjetor të parë të shpalljes së pavarësisë. Kryetari i kësaj njësie bashkiake, Gerti Bogdani, bëri të ditur se “kjo është një nismë e të rinjve dhe banorëve të njësisë 10 për t’i uruar Kosovës gëzuar njëvjetorin e pavarësisë”. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ambasadori i Kosovës në Tiranë, z. Gazmend Pula. “Në emër të Ambasadës së Kosovës dua t’ju falënderoj për përkrahjen që i është dhënë Kosovës nga Shqipëria dhe shqiptarët për pavarësinë e saj”, - tha diplomati kosovar. Kurse Paul Polites, shef i Marrëdhënieve Politike, Ambasada e SHBA-së u shpreh se “Amerika dhe Shqipëria kanë punuar së bashku për të mbështetur pavarësinë e Kosovës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›