E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësia, Ambasada e Kosovës, pritje në Tiranë



Ambasada e Kosovës në Shqipëri me rastin e festës së njëvjetorit të pavarësisë së Kosovës organizoi mbrëmë në Pallatin e Kongreseve në Tiranë një pritje për autoritetet e larta të Republikës së Shqipërisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik etj. Të ftuar ishin Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, ministra, Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John L. Withers, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë etj. Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Gazmend Pulaj, vuri në dukje arritjet e popullit të Kosovës, për të arritur në këtë ditë të shënuar. "Pavarësinë e Kosovës e kanë njohur shtete anembanë botës dhe shumë shpejt do të ketë njohje të reja", - theksoi ambasadori i Kosovës në Tiranë. Duke uruar popullin kosovar në këtë ditë, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, shprehu bindjen se Kosova do të bëhet shtet i barabartë mes të barabartëve. Kurse Kryeministri Sali Berisha vlerësoi progresin e Kosovës përgjatë një viti në rrugën e ndërtimit si shtet sovran dhe i lirë. Në përshëndetjen e tij, ambasadori i SHBA-së në Tiranë, John L. Withers, tha se "një vit më parë Kosova ishte një zog në kafaz, që vetëm mund të këndonte, tani ai zog është i lirë, Kosova është vendi i njerëzve të lirë". Ambasadori Withers konfirmoi se "populli amerikan do t'i qëndrojë përkrah popullit të Kosovës gjatë gjithë procesit për integrim në BE dhe NATO".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›