Topalli: Krishtlindjet më të gëzuara për shqiptarët
Urimet për besimtarët e krishterë, kryetarja e Kuvendit i përcolli në selinë e Arqipeshkvisë, ku u prit nga Arqipeshkvi Anxhelo Masafra dhe Monsinjor Zef Simoni, një nga priftërinjtë më të njohur të klerit katolik, simbol i qëndresës dhe i një kalvari të gjatë persekutimesh të diktaturës. Gjatë bisedës me ta, kryetarja e Kuvendit falënderoi dhe vlerësoi misionin e tyre human në përcjelljen e vlerave më të mira të civilizimit dhe kulturës kombëtare për të gjithë shqiptarët, veçanërisht brezat e rinj. Në takimin me arqipeshkvët e Shkodrës, ku ishin të pranishëm dhe klerikë të komunitetit mysliman e ortodoks, kryetarja e Kuvendit çmoi lart paraardhësit e Kishës Katolike si përçuesit e dijes dhe mençurisë që u persekutuan mizorisht për aspiratat e tyre për një Shqipëri të lirë dhe evropiane. Nga ana e tyre klerikët e Arqipeshkvisë shprehën ndër të tjera kënaqësinë që Shkodra, por dhe qytetet e tjera të vendit, po i kalojnë Krishtlindjet në një atmosferë ndryshimi që reflekton mirëqenie e shpresë për të ardhmen. Pas kësaj vizite, kryetarja e Kuvendit përcolli për opinionin urimin për Krishtlindjet. “Gëzuar Krishtlindjet të gjithë juve që jeni sot këtu, besimtarëve katolikë, myslimanë, gjithë qytetarëve të Shkodrës e mbarë Shqipërisë! Qoftë kjo një ditë e një shprese më të madhe, një ditë e ndryshimeve edhe më pozitive! Këto Krishtlindje e kanë gjetur Shkodrën, Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, në vitin e tyre më të bukur. “Është viti kur Kosova feston Krishtlindjet e pavarur, Shqipëria mori ftesën për në NATO. Shqipëria po ecën përpara me ratifikimin e MSA-së dhe të Protokollit në NATO, Shqipëria që ecën përpara me një rritje ekonomike prej 10%. Ky vend feston sot Krishtlindjet me më shumë shpresë se një vit më parë apo aq më tepër se disa vite më parë. Uroj që të gjithë qytetarët ta kalojnë bukur këtë ditë në familjet e tyre, të jenë të lumtur në jetën e tyre! I uroj çdo gruaje, fëmije, burri e të moshuari, qofshin të lumtur dhe ditë më të mira për ta dhe familjet e tyre”, - uroi kryetarja e Kuvendit.