E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-ja miraton ligjin për avokatët pa votat e PS-së

25/12/2008  Mazhoranca qeverisëse u shkon në fund nismave të saj ligjore

Avokatët u nënshtrohen procedurave të reja për marrjen e masës disiplinore

Mazhoranca qeverisëse u dha fund diskutimeve mbi ligjin e Avokatisë duke e miratuar atë në Kuvend. Kështu, shumica në Kuvend miratoi me 75 vota pro një ligj të tillë, duke mos pritur që këtij votimi t’i bashkohej dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste, që, siç pati deklaruar, ky grup bojkotoi seancën parlamentare. Ndërkohë kundër ligjit u ngrit vetëm një votë dhe dy të tjera ishin abstenim. Ligji saktëson se avokatët do t’i nënshtrohen një procedure të re të marrjes së masës disiplinore, në rast se mbi ta rëndon ndonjë pretendim ndaj çdo sjelljeje ose veprimi jokorrekt. Ndër të tjera parashikon se avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor kur ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e avokatit dhe me legjislacionin tatimor; në kundërshtim me rregullat e parashikuara në Kodin e Etikës së Avokatit dhe me rregullat e tjera të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë dhe dhomat e avokatisë. Nënkomisioni i verifikimit të ankimit ndaj një avokati, pasi bën verifikimet e nevojshme, dëgjon pretendimet e palëve dhe sipas rastit vendos fillimin e procedimit disiplinor kundër avokatit, ose refuzimin e fillimit të procedimit. Masat disiplinore jepen brenda 3 muajve nga data e konstatimit të shkeljes, por jo më vonë se 5 vjet nga çasti i kryerjes së saj. Kur çështja kalon për gjykim, kryetari i Komisionit të Verifikimit të Ankimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë e përfaqëson çështjen përpara Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në cilësinë e palës. Vetë palët në procedimin disiplinor kanë të drejtë të paraqiten dhe të japin shpjegime në seancë vetë ose nëpërmjet mbrojtjes e përfaqësimit me avokat. Nëse njëra ose të dyja palët nuk paraqiten në seancë pa motive të arsyeshme, Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë shqyrton çështjen dhe merr vendim në mungesë të tyre. Kur Komiteti Disiplinor i Dhomës Kombëtare të Avokatisë në përfundim të shqyrtimit të ankesës e deklaron avokatin fajtor, përveç masave të parashikuara në nenin 43 të këtij ligji mund t’i kërkojë që të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zgjidhjen e problemit në fjalë; t’i kompensojë dëmin e shkaktuar kërkuesit/ankuesit apo palëve të tjera të dëmtuara nga veprimet e tij në masën që çmohet e drejtë nga rrethanat, që rezultojnë nga shqyrtimi i ankesës; të urdhërojë avokatin e deklaruar fajtor për të paguar shpenzimet e palëve të tjera dhe të Dhomës Kombëtare të Avokatisë për përballimin e çështjes disiplinore në fjalë. Për veprimtaritë e saj Dhoma Kombëtare e Avokatisë miraton tarifat e shpërblimit. Rregulla të hollësishme për shpenzimet përkatëse përcaktohen në rregulloren e Komitetit Disiplinor të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.

Ankesat/kërkesat kundër avokatit mund të paraqiten nga: a) çdo person që mbrohet, përfaqësohet ose ndihmohet juridikisht prej tij; b) çdo person i tretë që pretendon se është dëmtuar nga sjellja apo veprimet e avokatit; c) organet drejtuese të dhomave të avokatisë; ç) gjyqtarët dhe prokurorët; d) ministri i Drejtësisë; dh) çdo organ tjetër shtetëror i parashikuar me ligj.

Avokati i nënshtrohet procedimit disiplinor kur: a) ka vepruar në kundërshtim me parashikimet e dispozitave ligjore që rregullojnë veprimtarinë e avokatit dhe me legjislacionin tatimor; b) ka vepruar në kundërshtim me rregullat e parashikuara në Kodin e Etikës së Avokatit dhe me rregullat e tjera të përcaktuara nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.

Për shqyrtimin e kërkesave/ankesave për procedim disiplinor ndaj avokatëve krijohet Komisioni i Verifikimit të Ankimit i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, me avokatë të zgjedhur me short nga lista e përfaqësuesve me këtë përbërje: 3 (tre) përfaqësues nga dhoma e avokatisë Tiranë, 1 (një) përfaqësues nga secila prej dhomave të tjera të avokatisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›