E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Paqja e harmonia të mëshirohen edhe në politikë

Politika apelon për paqe

Berisha, apel për konsensus dhe tolerancë në politikë

Krerët e lartë të shtetit apeluan dje për paqe, mirëkuptim dhe tolerancë edhe brenda vetë politikës. Madje Kryeministri Sali Berisha bëri thirrje për konsensus dhe bashkëpunim, duke lënë mënjanë të gjitha keqkuptimet politike. Drejtuesit e shtetit, Topi dhe Berisha, përcollën mesazhe dhe urime për të gjithë besimtarët shqiptarë, kudo ku ndodhen, me rastin e Krishtlindjeve. Pas takimit me Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha uruan besimtarët për këtë festë të madhe. Ata përcollën tek besimtarët shqiptarë mesazhin për paqe, harmoni e tolerancë, që sipas tyre, duhet të mëshirohen edhe në politikë. Në të dalë të Kishës Ortodokse, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, u shpreh se kjo është dita që inspiron nevojën për paqe e harmoni në vend. “Sot është një ditë shume e veçante dhe e gëzuar, në të cilën dëshiroj të jap mesazhin për të gjithë besimtarët e krishterë, se kjo është një festë për të gjithë shqiptarët, sikurse edhe festa e Bajramit festohet edhe nga të krishterët”. Sipas Presidentit, “kjo është një shenjë e qartë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme që të inspiron për të dhënë më shumë mesazhe paqeje, për më shumë tolerancë e harmoni”. Kreu i shtetit vlerësoi se “gjithmonë religjionet kanë qenë pikë referimi dhe protagoniste të qetësimit të ujërave edhe në situatat më të vështira që ka pasur vendi, si dhe misionarë të forcimit të demokracisë në Shqipëri”. Edhe Kryeministri i vendit, Sali Berisha, e konsideroi këtë ditë si më të favorshmen për të lënë mënjanë çdo keqkuptim, duke i bërë një ftesë të përgjithshme politikës për bashkëpunim e tolerancë. “Kemi 1000 arsye për të falënderuar Zotin për këto Krishtlindje”, - tha z. Berisha. Ai përmendi arritjet e qeverisë së tij gjatë vitit që lamë pas. “Ne, - tha Berisha, - i kremtojmë sot Krishtlindjet më të lirë se kurrë, i kremtojmë ato me dinjitet më të madh se kurrë. Kosova u bë e pavarur, pra kemi arsye të falënderojmë Zotin për këto Krishtlindje. Po ashtu, i festojmë ato më afër se kurrë me projektet tona të mëdha te integrimit në NATO dhe BE. I festojmë gjithashtu me një rritje ekonomike dyshifrore, e cila në vetvete përfaqëson levën e Arkimedit për zhvillimin e shpejtë të vendit, përfaqëson kushtin më të madh dhe rrethanat më pozitive që rinia shqiptare t’i përkushtojë energjitë e gjenitë e veta krijuese këtij vendi e të mos ketë nevojë të largohet në vende të tjera. Kjo është një ditë mirëkuptimi, ndaj dhe dua të apeloj për mirëkuptim. Sot është dita e mirëkuptimit, dhe unë bëj dhe një ftesë për mirëkuptim e tolerancë edhe për politikën”, - tha Berisha. Po dje, dy krerët më të lartë të shtetit, Bamir Topi e Sali Berisha, uruan besimtarët katolikë për ditën e lindjes së Krishtit, ndërsa vizituan mjediset e kishës së Shën Pjetrit në Tiranë. Në përshëndetjen e tij, kreu i shtetit, Bamir Topi, pohoi: “Nuk e teprojmë të japim të njëjtin mesazh se festa e Krishtlindjeve është festë për të gjithë shqiptarët, sikurse të gjithë ne festojmë Bajramin. Kjo është shenjë e harmonisë fetare tradicionale, por kjo është një ditë shumë e rëndësishme për të dhënë më shumë mesazhe paqeje". Kreu i qeverisë, Berisha, në urimin e tij u ndal te bashkëjetesa fetare në vend, duke nënvizuar: “Kombi ka qenë fatlum që ushqehet nga këto besime dhe ka dëshmuar para vetes dhe botës dimensionin madhështor të shpirtit të tij që shprehet me tolerancën e shkëlqyer fetare".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›