Topalli: Leka Zogu mishëroi vlerat më të mira të shqiptarëve
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka ngushëlluar familjen e pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogu, pas ndarjes së tij nga jeta në moshën 72-vjeçare. Në mesazhin e saj, Topalli shprehet se në kujtesën e shqiptarëve, Leka Zogu do të mbetet shqiptari foshnje dyditëshe, që la Shqipërinë dhe u rrit në dhe të huaj, por që u mëkua dhe u edukua me dashurinë dhe krenarinë për popullin, gjuhën dhe vendin e vet dhe mishëroi vlerat e virtytet më të mira të shqiptarëve. “Në këtë ditë të rëndë, unë dëshiroj të ndaj me familjen e Madhërisë së tij, Leka Zog, dhimbjen për humbjen e pazëvendësueshme të njeriut të dashur dhe me gjithë bashkëkombësit e mi hidhërimin e thellë për humbjen e një personaliteti. Duke shprehur ngushëllimet e mia të ndjera, unë dëshiroj të ndaj me Princin Leka dhe të gjithë anëtarët e Familjes Mbretërore, si dhe me gjithë shqiptarët lutjen, që shpirti i Leka Zogut të prehet në paqe në tokën ku u lind”, - përfundon mesazhin e saj ngushëllues kryeparlamentarja.