Ashton: Konsensusi të arrihet para zgjedhjeve
BRUKSEL- Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Catherine Ashton, përshëndeti dje mbledhjen e parë të komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore në Shqipëri, që u zhvillua dy ditë më parë. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e Ashton bëri të ditur se "Përfaqësuesja e Lartë Catherine Ashton mirëpret takimin e parë të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Përfaqësuesja e Lartë Ashton inkurajon të gjitha forcat politike të vazhdojnë punën e tyre në një mënyrë konstruktive në komision, për të gjetur konsensus mbi reformën zgjedhore në kohën e duhur përpara zgjedhjeve të ardhshme”. Ndërkohë, shefja e diplomacisë europiane nënvizoi se “reformimi i kuadrit legjislativ për zgjedhjet në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, është një nga prioritetet kyçe, të cilat duhen plotësuar që Shqipëria të shkojë përpara drejt objektivit të saj kombëtar për integrim në Bashkimin Europian".