E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Lista e deputetëve, pas zgjedhjeve në parti



Kryetarja e Kuvendit, njëherazi nënkryetarja e Partisë Demokratike, deklaroi dje se lista e deputetëve të PD-së për zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të bëhet pas zgjedhjeve në parti si dhe pas kongresit. E ftuar në “Ora Neës”, Topalli tha se PD-ja është ende në zgjedhje të brendshme, çka do të thotë se duhet të pritet rezultati i tyre për të përcaktuar më pas listën e deputetëve. “Besoj se do të ndodhë ashtu siç ka ndodhur dhe herët e tjera kur kemi hyrë në fushatën elektorale. Sapo të mbyllen konferencat, do të bëhet mbyllja e kongresit dhe aty do të shpallet programi, platforma dhe listat. Nuk besoj se listat do të dalin më përpara”, - tha Topalli. Kështu për herë të parë hapet një debat i tillë në radhët e PD-së, e cila është partia në pushtet. Aktualisht po bëhen zgjedhjet në degët e partisë, ku kanë mbetur disa nga qytetet kryesore përfshirë dhe Tiranën pa zgjedhur krerët e rinj. Kryetarja foli më tej për anëtarësimin në NATO. Sipas saj, reformat e qeverisë bënë të mundur anëtarësimin. Duke e cilësuar si një hap historik, Topalli tha se hapi i radhës është BE-ja. “Vetë anëtarësimi është një hap tjetër i madh, i jashtëzakonshëm drejt Bashkimit Evropian, sepse shkojnë vlera që janë paralele me njëra-tjetrën. Fakti që aleanca na pranon ne, një ish-vend rival të saj, që në hapësira gjeografike ishim krejt në anën tjetër, na bënë pjesë të vetën, na beson, kjo është vërtet një ngjarje më shumë se historike”, - tha Topalli. Ajo shtoi se opozita ka bërë detyrën e saj, duke votuar disa ligje me rëndësi. “Kjo ishte detyra e tyre, sepse janë përfaqësues të një pjese të kësaj popullsie që në tërësinë e saj, në masën 96%, kërkon anëtarësimin në NATO”, - tha Topalli. Por kryetarja e Kuvendit tha më tej se PS-ja dhe kryetari i saj kanë kryer një fushatë jokorrekte përpara anëtarësimit në NATO. Ajo tha se çështja e kartave të identitetit tregon se PS-ja ka frikë nga zgjedhjet. “Ndaj, çdo ditë flet për kartat e identitetit, që në fakt janë gjëja për të cilën ndihemi krenarë si asnjëherë tjetër, sepse atë që nuk u realizua në 18 vjet, arritëm ta bëjmë të mundur jo vetëm me kartën e identitetit, e cila po ecën shumë mirë, por me regjistrin elektronik dhe me infrastrukturën moderne”, - deklaroi Topalli.

Xhaferri: Zgjedhjet në PD mbyllen në prill

Zgjedhjet brenda Partisë Demokratike do të mbyllen brenda muajit prill. Sekretari i Marrëdhënieve me Publikun në parti, Ferdinand Xhaferri, tha dje se zgjedhjet në PD kanë përfunduar në masën 90 për qind. Sipas tij, janë zhvilluar zgjedhjet pothuaj në të gjitha degët e vendit, ndërsa kanë mbetur për t’u finalizuar në Fier, Elbasan dhe Tiranë. "Procesi pothuajse ka mbaruar në mbi 90 për qind të degëve dhe unë mendoj që deri nga mesi i muajit prill mund të përfundojë në të gjitha degët e Partisë Demokratike. Procesi ka përfunduar në shumë degë të rëndësishme, si dega e Partisë Demokratike në Durrës dhe Vlorë, Korçë”, - tha Xhaferri. Sipas tij, në Tiranë zgjedhjet do të bëhen të fundit për shkak se kjo është një traditë në PD. Dega e Tiranës, si më e madhja e vendit, do të jetë si qershia mbi tortë. “Tirana është një traditë në Partinë Demokratike, që gjithmonë lihet në fund konferenca e Tiranës", - shtoi Xhaferri. Ai bëri të ditur se zgjedhjet në PD-në e Tiranës janë ende në përgatitje, ndërsa theksoi se gara është e hapur mes shumë kandidatëve. Në PD, nga ana tjetër, ka pasur një proces për anëtarësime të reja. Në gjithë vendin janë afruar rreth 20 mijë anëtarë të rinj, kryesisht intelektualë dhe të rinj që kërkojnë të kontribuojnë në politikë. Vetëm pak ditë më parë u bënë zgjedhjet në PD-në e Durrësit ku fitoi Igli Cara, ndërsa në Vlorë deputeti Ardian Kollozi. Krahas Tiranës, zgjedhjet pritet të mbahen në Elbasan, Fier si dhe në disa qytete, në të cilat nuk janë zhvilluar ende.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›