E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama i ofron pakt mazhorancës për integrimin, ja 10 pikat

SHKRUAN: Fejzi Braushi 24-09-2011 10:29

Njëzetë ditë nga publikimi i progres-raportit të Bashkimit Europian për ecurinë e reformave në vendin tonë, Partia Socialiste i propozon mazhorancës një marrëveshje të gjerë me emrin “Pakt për Shqipërinë si gjithë Europa”. Ka qenë vetë kryetari i kësaj force, Edi Rama, ai që nëpërmjet një komunikimi të posaçëm me mediat ka prezantuar 10 pikat e këtij pakti, të cilat synojnë konsensusin, duke filluar që nga reforma parlamentare dhe vazhdojnë me zgjedhjen e krerëve të institucioneve kushtetuese si dhe me ligjet me 3/5. Ai ka ftuar shumicën qeverisëse që, për t’i dhënë dhe një shans të fundit shqiptarëve dhe Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, të miratojë këtë pakt, duke u treguar i hapur që në të të përfshihen edhe pika të tjera propozime nëse shihet e nevojshme.

Rama

Opozita nuk humbet shpresat për një përgjigje pozitive nga BE për statusin e vendit kandidat, ndaj për t’i dhënë dhe një shans Shqipërisë ka ftuar dje mazhorancën që të miratojë një pakt reformash dhe veprimesh konkrete politike për të gjitha çështjet që adresohen nga vetë BE te 12 rekomandimet e saj për vendin tonë. “Që të mos ketë as keqkuptime dashamirësish të Shqipërisë, as spekulime të qëllimshme, dhe fryma europiane të karakterizojë të gjithë procesin politik për ta përshpejtuar rrugën e Europës e për t’i dhënë një shans të fundit para 12 tetorit mundësisë së marrjes së statusit të kandidatit për Shqipërinë”, - u shpreh Rama, duke iu referuar pikërisht këtij pakti. Por para se të prezatonte pikat e këtij pakti, Rama ka theksuar edhe një herë se çdo gjë duhet të fillojë nga reforma parlamentare, të cilën ai e ka konsideruar si “A” e të gjitha reformave. “I siguroj Saliun e spikeren se kthimi me votë të përbashkët në konsensusin e 6 viteve më parë për funksionimin e bashkëjetesës qeveri-opozitë në sallën e Parlamentit me standarde normale europiane është një sinjal shumë më kumbues për Bashkimin Europian në prag të përgjigjes që presim prej tij, sesa një arnë në Kodin Rrugor”, - tha lideri i opozitës, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë edhe të gjitha akuzave që mazhoranca drejtoi dy ditë më parë kundrejt socialistëve për mosvotimin e nismave ligjore që kërkojnë 3/5. Gjithashtu, ai ka hedhur poshtë edhe deklaratat e përfaqësuesve të shumicës, të cilët akuzuan PS-në për mungesën e një përgjigjeje për letrën që kryetari i grupit parlamentar demokrat i nisi homologut të tij socialist për reformën zgjedhore, duke deklaruar se tashmë negociatat për këtë çështje kanë nisur.

Pakti

Pas një shfajësimi për të gjitha sa ndodhi në seancën e fundit parlamentare, ku të gjitha nismat ligjore që kërkonin 3/5 e votave nuk u votuan, Rama ka prezantuar atë që ai e konsideroi si “Pakti për Shqipërinë si gjithë Europa”. Pakti përbëhet nga 10 pika, të cilat trajtojnë në mënyrë të detajuar nevojën e konsensusit për çështjet më të mprehta që janë shtruar për zgjidhje gjatë këtyre kohëve, dhe që në pjesën dërmuese janë çështje të ngritura dhe nga BE në rekomandimet e saj. Pakti nis me votimin me konsensus të rregullave të bashkëjetesës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, pra me ndryshimin e Rregullores, e cila të realizohet nga komision i posaçëm brenda muajit dhjetor. Gjithashtu pakti propozon që palët të bien dakord që reforma zgjedhore të mbarojë brenda muajit mars dhe për të të merren parasysh dhe të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE-ODIHR-it si dhe ato që pritet të vijnë nga Komisioni i Venecias. PS kërkon në këtë pakt, gjithashtu, të drejtën të ketë tre anëtarë në Këshillin e mbikëqyrjes së BSH-së, si dhe zgjedhjen me konsensusin e të dyja palëve të drejtuesit të këtij institucioni, i cili nuk duhet të jetë as anëtar dhe as ish-anëtar apo funksionarë të lartë të dy partive kryesore. Me konsensus dhe pa përkatësi partiake PS kërkon që të zgjidhen edhe krerët e KLSH dhe Avokatit të Popullit. Ndërkohë që për ligjet me 3/5 PS propozon që për to të ngarkohet komisioni i Ligjeve, i cili të bashkëpunojë dhe me ekspertë vendas dhe të huaj për të parë në themel të gjitha çështjet një për një. Për këtë çështje ai ka ftuar grupin e tij parlamentar që të dorëzojnë me shkrim mënyrën sesi e mendon PS zgjidhjen e debatit për ligjet me 3/5. Një pikë pakti ia kushton edhe marrëdhënieve me prokurorinë dhe ngjarjeve të 21 janarit, ku i kërkon kundërshtarëve politikë që të bien dakord që të vihen në dispozicion të kryeprokurores për çdo pyetje që mund të ketë lidhur me këtë ngjarje. Për këtë në pakt kërkohet që kryeprokurorja të mos goditet më politikisht deri në fund të mandatit të saj. “Ne jemi gati ta nënshkruajmë këtë pakt që nesër, t’i qëndrojmë në çdo germë, ta kthejmë krizën e thellë politike në një shans për Shqipërinë e për çdo qytetar shqiptar, duke bërë gjithçka kemi në dorë që refuzimi të mos përsëritet”, - tha Rama në fund të prezantimit të paktit.

Pakt i Ramës “Për Shqipërinë si gjithë Europa”:

1. Të votojmë konsensualisht rregullat e bashkëjetesës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë.

2. Të ngremë menjëherë një komision të përbashkët parlamentar ad hoc për të miratuar brenda muajit dhjetor reformën institucionale të Parlamentit bazuar në të gjitha defektet e evidentuara nga Komisioni Europian dhe me asistencën teknike të OSBE-së.

3. Të vendosim me marrëveshje dypalëshe përfundimin e Reformës Zgjedhore brenda marsit të vitit 2012, bazuar në të gjitha rekomandimet e dy raporteve të fundit të OSBE/ODHIR-it, duke rënë dakord se çdo propozim i Partisë Socialiste për Kodin e ri Zgjedhor që merr dritën jeshile të ODHIR-it dhe/ose Komisionit të Venecias, pasi gjendet në përputhje me standardet ndërkombëtare, miratohet me konsensus, si edhe të përfshijmë në procesin e kësaj reforme një ekspert me përvojë të sugjeruar nga ODIHR-i.

4. Të adresojmë me një proces konsensualisht të dakordësuar zgjedhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ku opozita s’ka asnjë pretendim tjetër përveç njohjes të së drejtës së saj për të propozuar 3 nga 9 anëtarët e rinj të këtij këshilli dhe të votojmë konsensualisht kandidatin e përzgjedhur në bazë të Kushtetutës nga Presidenti i Republikës për detyrën e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë.

5. Të zgjedhim konsensualisht Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit në bazë të propozimit të Presidentit të Republikës dhe t’i ofrojmë paraprakisht Presidentit një profil të parapëlqyer jo si emër po si staturë publike, duke përjashtuar çdo kandidaturë që vjen nga dy partitë e mëdha apo ka qenë ndonjëherë anëtar i njërës prej tyre.

6. Të zgjedhim konsensualisht Avokatin e Popullit, duke votuar bashkarisht për një figurë publike që nuk ka milituar në radhët e dy partive të mëdha.

7. Të ngarkojmë Komisionin e Ligjeve që brenda këtij sesioni të legjislaturës të trajtojë në bashkëpunim me një grup ad hoc konstitucionalistësh si edhe me grupe ekspertësh vendas e të ftuar nga Bashkimi Europian, rast pas rasti sipas fushave, ku duhet të përfshihen në një proces të hapur e plotësisht transparent për publikun edhe të gjitha grupet përkatëse të interesit, çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit, qoftë ato që janë adresuar aktualisht e qoftë ato që opozita do të kërkojë të adresohen për rrugën europiane të Shqipërisë. Mbi këtë bazë të japim dakordësinë se do të votojmë çdo produkt të këtij procesi, i cili duhet të administrohet me të njëjtat parime të vlefshme për procesin e reformës zgjedhore: Bashkëdrejtim, konsensus për çdo çështje e nen, mbështetur mbi kriterin themelor të përputhjes së legjislacionit tonë me standardet europiane dhe me moto pune rekomandimin e Bashkimit Europian se “Qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, të gjejnë zgjidhjet e nevojshme në rrugën e vendit drejt integrimit në BE”.

8. Të biem dakord se kufizimi i imunitetit parlamentar nuk mund të jetë vazhdë e praktikës së gabuar pa konsultime publike dhe as asistencë ndërkombëtare të mirëfilltë, që u ndoq nga të dy partitë e mëdha në momentin e ndryshimeve kushtetuese dhe të hapim një tryezë për rishikimin e Kushtetutës, ku të përfshijmë Komisionin e Venecias, qoftë për kufizimin e imunitetit parlamentar, qoftë për ndërhyrjet në Kushtetutë që lidhen me disa nga draftet e sotme të paraqitura nga qeveria në kërkim të 3/5-tave dhe qoftë ato çështje me interes kombëtar e publik që meritojnë të rishikohen edhe një herë në transparencë të plotë me publikun.

9. T’i drejtohemi Prokurores së Përgjithshme të Republikës me një letër të firmosur nga kryetarët e të gjitha partive parlamentare dhe nga të gjithë deputetët për dy çështje me interes kombëtar e publik. Së pari, për zbardhjen e plotë të tragjedisë së 21 janarit, duke ofruar mbështetje të plotë politike dhe një pakt mossulmimi verbal as ndaj institucionit as ndaj personit të kryeprokurores deri në ditën e fundit të mandatit të saj, duke dhënë disponibilitetin e plotë për t’u marrë në pyetje nga organi akuzës të cilitdo prej nënshkruesve të letrës, duke garantuar mosmarrjen nën mbrojtje politike të askujt që përfshihet në hetim. Së dyti, të thërrasë të gjithë personat me imunitet parlamentar ose me detyra të tjera shtetërore që kanë rezultuar të përzier, me ose pa të drejtë, me botën e krimit apo të korrupsionit nën dritën e publikimit të kabllogrameve të diplomacisë më të fuqishme të botës dhe të kërkojë heqjen e imunitetit nga Parlamenti të çdokujt që organi i akuzës vlerëson se duhet t’i nënshtrohet hetimeve të plota.

10. Të balancojmë me konsensus Bordin e Televizionit Publik Shqiptar dhe të zgjedhim një drejtues që garanton paanshmërinë e informimit të publikut në atë ekran që paguhet nga qytetarët socialistë e demokratë. Të balancojmë po njësoj Këshillin Kombëtar të Radiove e Televizioneve dhe të votojmë me konsensus ligjin e medieve, duke adoptuar të gjitha rekomandimet e bëra nga partnerët ndërkombëtarë e posaçërisht OSBE-ja, për t’i dhënë fund gjithashtu të gjitha presioneve mbi median private elektronike e të shkruar, duke filluar nga televizioni kombëtar Top Channel si edhe praktikës së reklamave qeveritare paraelektorale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›