Gjana akuzon Daden: Bashkëpunëtore me bandën e Aldo Bares
PD-ja përmes deputetit Jemin Gjana akuzoi dje socialisten Arta Dade si bashkëpunëtore e bandës së rrezikshme të Aldo Bares. Sipas Gjanës, ajo ka bashkëpunuar me bandën e Aldo Bares dhe tani ka për detyrë t’u dërgojë të arrestuarve cigare në burg. Ish-ministri i PD-së, Jemin Gjana, publikoi faktin se Arta Dade ka në shtabin e saj elektoral dy anëtarë të “Bandës së Lushnjës” që drejtohej vite më parë nga Aldo Bare. Deputeti i Partisë Demokratike, Jemin Gjana, e quajti kreun e opozitës, Edi Rama, si një njeri vulgar, përdhunues dhe që tenton të djegë Shqipërinë. "Për shumë kohë, ai nxiu sa mundi PD-në dhe liderin e saj Sali Berisha, pastaj ua bleu votat socialistëve me para të pista, ua bleu partinë dhe lidershipin. Pastaj iu duk vetja se është i fortë, iu rritën kthetrat dhe mendoi se mund të zaptonte gjithë vendin siç ka zaptuar Tiranën dhe Partinë Socialiste”, - theksoi z. Gjana. Deputeti demokrat shpjegoi para mediave se nuk është PD-ja ajo që sulmoi e para, por është Edi Rama ai që baltosi pa asnjë fakt PD-në dhe kryetarin e saj Berisha. “Ne, - vuri në dukje, - Gjana s’jemi marrë me gratë e Ramës, por gjuha e tij na detyron të reagojmë. Ne s’e kemi ngacmuar Edi Ramën për numrin e divorceve të tij dhe numrin e grave me të cilat ai shkon në shtratin martesor, jo. Ne e kemi sulmuar Edi Ramën, sepse ai është një përdhunues arrogant", - theksoi Jemin Gjana, deputet i PD-së.