E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Nuk ka kushtetutë që të veshë krimet me imunitet



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi dje se miratimi ligjit për hapjen e dosjeve nuk mund të quhet kurrsesi antikushtetues, pasi sipas saj, asnjë kushtetutë nuk vesh me imunitet krimit. Këtë deklaratë Topalli e bëri në një takim me numrin dy të OSBE-së në Shqipëri, Aleksandër Finnen, të cilit i garantoi se ligji i miratuar nga Kuvend do të zbatohet korrektësisht. “Nuk ka kushtetutë në vende të lira që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. Ne kemi të gjithë vullnetin dhe garantojmë transparencë të plotë në zbatimin e këtij ligji në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburgu”, - i tha Topalli diplomatit të OSBE-së. Kryetarja e Kuvendit i tha më tej numrit dy të OSBE-së se ligji që kaloi Kuvendi, është një detyrim shoqëror. “Dje Parlamenti votoi ligjin mbi pastërtinë e figurës së zyrtareve të lartë. Personalisht, e konsideroj ketë një arritje dhe një borxh, ndonëse pak të vonuar, ndaj vuajtjeve dhe kalvarit çnjerëzor që populli shqiptar kaloi për gjysme shekulli”, - tha Topalli. Shqetësimit të OSBE-së në lidhje me standardet që paraqet ky ligj, Topall iu përgjigj duke përmendur përvojën në të gjithë ish-lindjen komuniste. Parlamenti votoi një ligj të standardeve, model i ligjit çek. Ligji çek është shqyrtuar dhe miratuar dy herë nga Gjykata Kushtetuese çeke dhe nuk është vënë kurrë në dyshim nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ne Strasburg. Ajo qe është kushtetuese për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe për Çekinë, vend anëtar i BE-së, nuk mund të jetë jokushtetuese për Shqipërinë që ka kaluar kalvarin më të egër diktatorial. Nuk ka kushtetutë në vende të lira që mandatet t’i mbajë mbi krimin apo të veshë krimet me imunitet. Ata dhjetëra e mijëra shqiptarë që u burgosën e u pushkatuan, u martirizuan për parimet e Kartës së Helsinkit, për principet që mbron edhe OSBE-ja”, - tha Topalli. Ajo më pas e garantoi zëvendësambasadorin e OSBE-së se do të ketë transparencë “të plotë në zbatimin e këtij ligji në përputhje me standardet e parashikuara nga Strasburgu”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›