E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli: Nuk njoh asnjë nënë që përdor fëmijët për interesat e saj. Nënat do votojnë PD-në

Mijëra gra presin Kryetaren e Kuvendit në Elbasan. Jozefina Topalli: “Nuk njoh nënë në botë që të përdorë fëmijët për interesat e saj. Nënat do të votojnë për fëmijët e tyre, do votojnë Partinë Demokratike”. Si asnjëherë më parë mijra gra dhe vajza elbasanase kanë mbushur Pallatin e Sportit të qytetit, duke pritur Kryetaren e Kuvendit, nënkryetaren e PD-së Jozefina Topalli. Gratë, zonjat, vajzat elbasanase mbështetën Partinë Demokratike, mbështetën projektin e ndryshimit, të ardhmen e fëmijëve të tyre, mbështetën fitoren e 28 Qershorit.


Nga qyteti i traditës, i kulturës, i arsimit, Kryetarja e Kuvendit tha se “Nuk njoh nënë në botë që të përdorë fëmijët për interesat e saj. Nënat shohin përmes zemrës. Nënat do të votojnë për fëmijët e tyre, do votojnë Partinë Demokratike. Ne bashkë mund t’u themi atyre burrave, që kanë kurajo të ushtrojnë dhunë: ju jeni vetëm frikacakë. Ata burra që ushtrojnë dhunë mbi gratë janë vetëm frikacakë. Ata burra që nuk sillen mirë me fëmijët janë vetëm frikacakë”. Në jemi një komb energjik, në kemi familje të forta në do vijojmë ndryshimin e Shqipërisë, tha Kryetarja e Kuvendit duke theksuar se: “Nuk ka një qeveri tjetër që për një kohë kaq të shkurtër të ketë investuar kaq shumë. Nuk ka një rast tjetër që të jetë shkruar për të: qeveri kampione në luftën kundër korrupsionit. Një qeveri që ka marrë notën 10 në reformat ekonomike, një qeveri që ka marrë notën 10 një rritjen ekonomike në kohën e një grizë globale financiare, një qeveri e cial ka marrë notën 10 në procesin e integrimit. Shqipëria ka marrë dhjetë gjatë kësaj periudhe. Ashtu si më 28 qershor, ne do të votojmë numrin 10, Partinë Demokratike. Mbi të gjitha, janë nënat ato, të cilat përpara partive, votojnë për fëmijët e tyre.Ndaj më shumë se asnjëherë tjetër, në 28 qershor ato do të votojnë për Partinë Demokratike, tha Kryetarja e Kuvendit. Fjalimi i Kryetares së Kuvendit në Elbasan Mirdita Elbasani! Falemnderit ju grave! Falemnderit ju zonjave! Në fakt, pak më parë, ndërsa isha ulur me zonjat e tjera, po mendoja se ky pallat sporti as në ndeshjen e kupës së Republikës apo të finaleve të kampionateve, nuk ka qënë kaq plot sa sot. Sa sot vetëm me gra. Unë nuk e fsheh, nuk e fsheh që e gjithë kjo më jep një emocion të jashtëzakonshëm. Kam bërë takime dhe mitingje në gjithë Shqipërinë, në çdo vend, në çdo cep, në çdo qytet, në çdo komunë, por kjo pjesëmarrje, këto salla, ashtu si edhe sallat e tjera në qytete të Shqipërisë, vetëm me zonja, vetëm me nëna, vetëm me motra, me gra të bukura, me zonja të reja, me studente, pa dyshim, që janë më të bukurat, më të mrekullueshmet, më të jashtëzakonshmet. Unë besoj se si grua, si nënë kamë bërë shumë mirë që, prej dy vjetësh nuk kam rreshtur dhe nuk do të rresht asnjëherë së takuari gra, së biseduari me zonja, së inkurajuari çdo nënë, çdo vajzë. E para, sepse unë gjithmonë mendoj, dhe si unë secila prej jush, se jeta jonë është shumë ndryshe nga jeta e nënave tona, të cilat kanë sakrifikuar shumë, shumë gjatë gjithë jetës së tyre. Ajo që ne sot kërkojmë është që vajzat tona të kenë një jetë shumë më të bukur se ajo e nënave të tyre. Në të gjitha këto udhëtime, në mënyrë të veçantë në udhëtimin e jashtëzakonshëm që Shqipëria ka bërë gjatë këtyre 18 vjetëve, pa dyshim merita kryesore, i takon nënave. E them këtë, sepse të ndërtosh një komb, duhet të ndërtosh më parë një familje. Të ndërtosh një vend, duhet të kesh një familje të fortë. Të kesh një familje të fortë, duhet të kesh një shtyllë në shtëpi. Të kesh një shtyllë në shtëpi do të thotë të kesh nënën, gruan. Nuk njoh nënë në botë që të përdorë fëmijët për interesat e saj Nëna, gruaja është princesha, është dashuria, është mbretëresha për secilin prej fëmijëve tanë. Të gjitha ne kemi fëmijë. Nuk ka një nënë që nuk ka dëgjuar nga goja e fëmijës së saj: Ti je nëna më e bukur në botë. Unë e ndiej, unë e shoh, unë e prek, ndryshe nga burrat, gratë shohin përmes zemrës dhe kjo është njerëzore, kjo është humane, sepse ajo i bën ato që të kujtohen edhe për ata që kanë nevojë. I bën ato që të mendojnë edhe për ato gra që shpeshherë pësojnë dhunë në familje. I bën të mendojnë edhe për ato gra që janë të vetme që kanë bashkëshortët në emigracion. I bën të mendojnë edhe për ato që kanë pasur fatkeqësi dhe janë të divorcuara, të cilat janë të detyruara të rrisin vetëm fëmijët e tyre. Imagjinoni se çfarë do të thotë të jesh një grua e vetme, e cila rrit fëmijët e saj, e cila i ushqen, e cila mendon për shëndetin e tyre, për të ardhmen e tyre, për librin, për shkollën, e cila mendon që të mos gabojnë, e cila mendon që kur fëmijët gabojnë, t’i korrigjojë, t’i inkurajojë, çdo orë, çdo sekondë, në mënyrë që jeta e fëmijëve të saj, të jetë më e bukur, të ketë të ardhme, të ketë shpresë. Duke menduar kështu për fëmijën e saj, ajo mendon edhe për vendin e saj, ajo mendon edhe për kombin e saj. Unë gjithmonë kam besuar, se duke qenë të gjitha së bashku ne do të bëjmë të mundur që t’i japim zë atyre grave, të cilat nuk kanë mundësi të flasin, kur ushtrohet dhunë brenda mureve të shtëpisë dhe përtej këtyre mureve nuk ka zë. Ne bashkë mund t’u themi atyre burrave, që kanë kurajo të ushtrojnë dhunë: ju jeni vetëm frikacakë. Ata burrra që ushtrojnë dhunë mbi gratë janë vetëm frikacakë. Ata burra që nuk sillen mirë me fëmijët janë vetëm frikacakë. Në fakt, nuk ka gjë më të rëndë dhe këtë më mirë se ne nuk e di askush tjetër, se çfarë dhimbje është në shpirtin e fëmijës, se çfarë gjurme lë në jetën e fëmijës, kur e sheh se babai nuk sillet mirë, me atë që është drita e syrit të tij, me atë që është mbështesja, me atë që është engjëlli, që i rri gjithmonë pas, nënën e tij. Ndaj edhe ne kemi për detyrë: Së pari, të sensibilizojmë. Së dyti, të mbështesim. Unë ua them këtë kudo që shkoj, kudo ku jam, me cilëndo zonjë, çfarëdolloj arsimimi që të ketë, çfarëdolloj prejardhje që të ketë, çfarëdolloj pozioni. Natyrisht, unë dua, bashkë me ju, nuk e bëj kurrë vetëm, që t’ju mbështes sa herë që keni hall, sa herë keni nevojë, të bëhem avokatja juaj, sa herë që kjo t’ju duhet. Dhe besoj, besoj se duke pasur mundësi për të qenë në Parlament, hapa të tjera do të bëjmë. Për herë kam menduar, ne bëjmë bilancin e këtyre 4 viteve dhe me të drejtë themi, siç thonë të gjithë, në fakt edhe socialistët, se Shqipëria po ndryshon, sepse ka ndryshuar. Në fakt ka ndryshuar, atë e shohim kur ecim në rrugë, atë e shohim kur çojmë fëmijët në shkollë. Atë e shohim te pensionisti, te vjehrra, te vjehrri që keni në shtëpi. Atë e shohim në fshat, atë e shohim te bujqësia ose te turizmi, por kur mendojmë se cila do të ishte gjëja më e rëndësishme në 4 vitet e ardhshme, personalisht unë kam bindjen e thellë, se ne me këmbëngulje të madhe, duhet t’i japim rëndësi dimensionit social. Në qoftë se gjatë katër viteve të para nxorrëm nga varfëria gjysmën e atyre që jetonin me nën 2 dollarë, unë mendoj se detyrimi ynë është për të vazhduar këtë rrugë, për të rishpërndarë pasurinë e kombit tonë tek ata që kanë nevojë, tek ata që janë në hall, tek ata që nuk kanë, tek ata që janë të sëmurë, tek ata që janë invalidë, tek ata që janë jetimë, tek ata që janë pa mbrojtje. Po të lexosh në librat e shenjtë, ato thonë se drejtësia e një kombi ndihet, shihet dhe peshohet në varësi se sa ky komb i drejtohet dhe fokuson vëmendjen tek ai që ka më nevojë, tek ai që është më i varfër. Unë mendoj se ne shqiptarët dy gjëra kemi të shtrenjtë, përveç harmonisë fetare që është gjëja më e jashtëzakonshme, është një model të cilin duhet t’ia tregojmë edhe të tjerëve, se si funksionon këtu në Shqipëri. Por unë mendoj se ajo çfarë kemi ndryshe nga vendet e tjera. E para, është arsimimi. Në familje të ndryshme mund të ketë probleme. Mund të ketë nevojë për më shumë të ardhura. Por çdo prind pavarësisht nga mundësitë që ka, ai investon vetëm te shkolla, tek arsimimi i fëmijëve të tij dhe kjo është një mrekulli, kjo është një mrekulli. E dyta, ne familjen e kemi gjënë më të shenjtë, ndaj dhe ne nuk i kërkojmë asgjë tjetër burrave, vetëm që të duan nënat e fëmijëve të tyre, vetëm të respektojnë nënat e fëmijëve të tyre. Ne jemi një komb që kemi një familje të fortë. Ne kemi kemi 20 vjet që vëllezërit tanë, motrat tona njërëzit tanë të dashur i kemi në emigracion. Ata kanë halle, ata kanë vështirësi. Kudo ku janë, në Greqi, në Itali, në Gjermani, pavarësisht nga hallet që kanë, paratë ata duan t’i kthejnë këtu në Shqipëri, te nëna, te babai, te motra dhe nuk thonë kurrë se ata janë në vështirësi, por paratë i sjellin këtu. Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme e kombit tonë. Ky komb, është e vërtetë se nuk ka pasur një histori zhvillimi si vendet e tjera europiane, jo për fajin tonë, por për fatin tonë të keq. Historia jonë nuk ka qenë një histori zhvillimi si ajo e Çekisë, Sllovakisë, Sllovenisë, Polonisë, Hungarisë, Bullgarisë, etj. Historia jonë ka qenë vetëm një histori mbijetese. Dhe unë kujtoj kur erdhi në Shqipëri për vizitë zyrtare nënkryetarja e Parlamentit britanik, po i flisja për Shqipërinë, sepse ajo nuk e njihte vendin tonë. Dhe në një moment ajo më tha: “Shiko Jozefinë! Ne kemi një mijë vjet që kemi parlamentarizëm në Britani. Ju keni vetëm 18 vjet. Ju duhet të jeni krenarë për këtë progres kaq të jashtëzakonshëm që keni mundur të bëni, për këtë ndryshim kaq të madh, që keni mundur të bëni në vendin tuaj”. Në fakt, po ta mendosh nuk ka një vend tjetër që në një kohë kaq të shkurtër të ketë bërë një rrugë kaq të gjatë. Nuk ka një qeveri tjetër që për një kohë kaq të shkurtër të ketë investuar kaq shumë. Nuk ka një rast tjetër që të jetë shkruar për të, qeveri kampione në luftën kundër korrupsionit. Një qeveri që ka marrë notën 10 në reformat ekonomike, një qeveri që ka marrë notën 10 një rritjen ekonomike në kohën e një grizë globale financiare, një qeveri e cial ka marrë notën 10 në procesin e integrimit. Cili vend tjetër përreth nesh? As Hungaria, as Çekia, as Bullgari, as Maqedonia nuk kanë mundur që të realizojnë ratifikimin e marrëveshjes së MSA-së, në një kohë rekord kaq të shkurtër siç e ka bërë Shqipëria. Nuk ka një vend tjetër, as në grupin e dhjetëshes së Çekisë dhe Hungarisë që vite më parë hynë në NATO, që vetëm në gjashtë muaj të bëjë të mundur ratifikimin e protokollit të NATO-s në 26 parlamente, në 26 senate të vendeve të botës. Kjo ishte Shqipëria. Shqipëria dhe Kroacia e bënë. Thyen një rekord. Kapën një rekord tjetër. Dhe, në fakt, gjatë kësaj periudhe ne kemi fituar shumë gara. Ne kemi fituar me të vërtetë shumë gara. Garën ekonomike, garën e turizmit, garën e Shqipërisë dixhitale, garën e infrastrukturës moderne rrugore, garën e energjisë elektrike, garën e integrimit. Ndaj edhe u them këtyre vajzave të reja: Ju duhet të merrni dhjeta në shkollë, ashtu siç Shqipëria ka marrë dhjetë gjatë kësaj periudhe. Ashtu si më 28 qershor, ne do të votojmë numrin 10. Ne do të votojmë Partinë Demokratike. Dhe kemi njëmijë arye, përveç atyre që sapo thashë. Arsye për të cilat nuk kanë heshtur liderët më të mëdhenj globalë. Nuk është gjë e thjeshtë të dëgjosh Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të thotë se Shqipëria ka bërë reforma të jashtëzakonshme. Nuk ndodh shpesh. Më besoni mua që i njoh mirë ndërkombëtarët, që Angela Merkel t’i thotë Kryeministrit të Shqipërisë: “Unë të admiroj, sepse ti po merr shpërblimin e reformave të guximshme që ke guxuar të ndërmarrësh kundër korrupsionit dhe në fushën fiskale dhe ekonomike.” Nuk ndodh shpesh, që Sarkozy të të thotë se do të të mbështesë në procesin e dorëzimit të kërkesës për statusin e vendit kandidat. Fakti që vetëm katër ditë më parë shumica e europianëve votuan për qendrën e djathtë, votuan për Sarkozy, votuan për Angela Merkel, votuan për Berlusconin, votuan për shumë kryeministra të tjerë të cilët kanë qenë këtu në Shqipëri dhe të cilët na mbështesin ne, të cilët e njohin dhe janë miq personalë të Sali Berishës, të Partisë Demokratike, të të gjithë neve. Ky është një fat i madh për ne shqiptarët. Për të vazhduar edhe në katërvjeçarin e ardhshëm edhe procesin e integrimit dhe në vitin e ardhshëm edhe heqjen e vizave. Dhe në fund të mandatit të ardhsëm, siç thotë Kryeministri, do ta lëmë Shqipërinë nuse për t’u bërë anëtare e Bashkimit Europian. Ne sot si nëna ndihemi krenare që fëmijët tanë i kemi qytetarë të NATO-s. Pas pak vitesh fëmijët tanë do të jenë anëtarë të Bashkimit Europian. Unë përpara njëzet vitesh, ashtu si secila prej jush, nuk kisha ëndërr më të madhe, më të guximshme, më të paarrirë, më të paimagjinueshme, sesa të shihja fëmijën tim, të shihja qytetin tim, të shihja vendin tim, të bëhej anëtar i këtij komuniteti të jashtëzakonshëm vlerash. Tani, dua t’ju them diçka nga eksperienca ime politike, kam pesëmbëdhjetë vjet që jam në politikë, kam pesëmbëdhjetë vjet që i bie kryq e tërthor Shqipërisë, e njoh vendin tim në çdo pëllëmbë, e njoh vendin tim në çdo cep, e njoh vendin tim në çdo hap, në çdo problem, në çdo nevojë që ai ka, por gjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve unë nuk kam parë një klimë më mbështetëse, një klimë më të jashtëzakonshme sesa kësaj radhe, në këtë fushatë elektorale. E kam parë në Korçë, e kam parë në Fier, e kam parë në Lushnje, e kam parë në Kukës, e shoh në Elbasan, e kam parë në Shkodër. Fitorja e 28 qershorit do të jetë më e madhe sesa ajo e katër viteve më parë. Fitorja e 28 qershorit do të jetë më e madhe sesa ajo e vitit 1992. Sepse shqiptarët e kuptojnë mirë se kur punon fort, dhe ne kemi punuar fort, kemi punuar me zemër, natyrisht e besojnë, natyrisht e votojnë. Sepse, mbi të gjitha, janë nënat ato, të cilat përpara partive, votojnë për fëmijët e tyre. Nënat, më 28 qershor do të votojnë për fëmijët e tyre. Ndaj edhe ato më shumë se asnjëherë tjetër, dhe ato që nuk kanë votuar në zgjedhjet e mëparshme, kësaj radhe do të votojnë për Partinë Demokratike, sepse do të votojnë për djalin e tyre, për vajzën e tyre, do të votojnë për të ardhmen e tyre. Rrofshin nënat! Rrofshin motrat! Rrofshin studentet! Unë ju falënderoj të gjithave! 28 qershori do të jetë një ditë e jashtëzakonshme. 28 qershori do të jetë një përsëritje e vitit 1992. Dhe në katër vitet e ardhshme të tjera projekte të mëdha do të ketë. Shqipëria do të jetë me të vërtetë moderne. Rrogat do të jenë më të larta. Do të jenë të krahasueshme dhe të barabarta me rrogat që qytetarët e vendeve si Çekia, Bullgaria, Hungaria, Estonia, Lituania marrin si anëtarë të Bashkimit Europian. Rrofshi ju! Falemnderit! Suksese të gjithave! Qofshi nëna të lumtura!



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›