Alternativa e Vatikanit: Kriza kapërcehet me një sistem ekonomik të bazuar mbi etikën e solidaritetin
Benedikti XVI priti në audiencë anëtarët e Fondacionit “Centesimus Annus Pro-Pontifice”, i cili është formuar në vitin 1993, me qëllim që të përhapë në botën ekonomike dhe afariste parimet e Doktrinës Shoqërore të Kishës. Bota, në krizë globale, ka nevojë për një “ekonomi moderne”, solidare, që respekton të drejtat e më të dobtëve e në përgjithësi, dinjitetin e njeriut. Fjala “moderne” në fjalorin e Atit të Shenjtë duhet kuptuar si ajo që lidh ngushtë tregun, ndërmarrjen, zhvillimin ekonomik me të mirën e përbashkët, këndvështrimin etik mbi punën, respektimin e njeriut: “Në fakt, kriza financiare dhe ekonomike që ka goditur vendet e industrializuara, ato që po dalin tani mbi ujë e ato në zhvillim e sipër, tregon qartë se si duhen rimenduar disa paradigma ekonomiko-financiare, dominuese gjatë viteve të fundit”.
E më pas, Benedikti XVI lavdëroi ata që e kanë parë botën e ekonomisë dhe të financës duke u nisur nga idealet e krishtera: “Mirë ka bërë pra, Fondacioni juaj, që ka përballuar me Kuvendin ndërkombëtar të djeshëm, temën e kërkimit dhe të gjetjes së vlerave e të rregullave, të cilave duhet t’u përmbahet bota ekonomike për të vënë në jetë një model të ri zhvillimi, më të kujdesshëm ndaj kërkesave të solidaritetit dhe të dinjitetit njerëzor”.
“Vlera e rregulla”. Benedikti XVI nguli këmëbë në këtë binom, duke kujtuar disa nga pasazhet e Enciklikës “Centesimus Annus”. Ekonomia e tregut, apo ai “sistem ekonomik që njeh rolin pozitiv të ndërmarrjes, të tregut, të pronës private e të përgjegjësisë për mjetet e prodhimit që pason, të krijimtarisë së lirë njerëzore në sektorin e ekonomisë” - theksoi Papa – do të jetë rrugë përparimi ekonomik e qytetar, vetëm nëse orientohet nga e mira e përbashkët. E më pas, nënvizoi: “Uroj që hetimet e bëra në punimet tuaja, të frymëzuara nga parimet e përjetshme të Ungjillit, të çojnë drejt një ekonomie moderne, që respekton nevojat e të drejtat e më të dobtëve. Siç e dini, do të publikohet së shpejti Enciklika ime kushtuar temës së gjerë të ekonomisë e të punës: në të do të vihen në dukje ato që janë për ne të krishterët objektivat për t’u ndjekur e vlerat për t’u nxitur e mbrojtur pa u lodhur, që të realizohet një bashkëjetesë njerëzore me të vërtetë e lirë dhe solidare”.
Papa falenderoi Fondacionin për ndihmën që i ka dhënë Institutit Papnor për Studimet Arabe dhe Islamistike, i cili kontribuon në dialogun ndërfetar me Islamin.
Rregulltaret në internet kundër tregtisë së njerëzve/ “Rregulltaret në rrjet kundër tregtisë dhe shfrytëzimit seksual të grave e të fëmijëve” u paraqit dje, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Kongresi 2009, organizuar nga Bashkimi Ndërkombëtar i Eproreve të Përgjithshme (UISG) dhe Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin (OIM), pikërisht për temën e skllavërive moderne e të shpërdorimit seksual. Kongresi, i dyti i kësaj natyre, do të mblidhet në Romë, më 15 deri më 18 qershor, pranë Institutit ‘Vëllezërit e Shkollave të Krishtera”. Vështirë të japësh statistika, por mund të thuhet se më se 2 milion e gjysëm njerëz janë çdo vit viktima të shfrytëzimit seksual: 500 mijë në Evropë e rreth 30 mijë në Itali. Janë të dhëna të Komisionit Evropian, që flet edhe për ndikimin ekonomik të këtij shfrytëzimi, nga i cili kriminelët fitojnë rreth 150 miliard euro në vit. Bandat kriminale janë të mirëorganizuara, prandaj edhe veprimtaria kundër tyre duhet organizuar me frymën e bashkëpunimit, duke krijuar një rrjet të fuqishëm ndërmjet vendeve prej nga vijnë, ku kalojnë e ku drejtohen. Për këto probleme, që do të thellohen e do të saktësohen në Kongres, u fol në paraqitjen e këtij takimi të rëndësishëm, pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, për problematikën e të cilit motra Bernardetë Sangma, shprehet kështu: “Niveli i zvetënimit njerëzor në këtë tregti, posaçërisht kur flitet për shfrytëzimin seksual, është tejet i rëndë, prandaj edhe rifitimi i dinjitetit të humbur nga ana e viktimave, po aq i vështirë. Kjo është arsyeja për të cilën shumë kongregata rregulltare femërore janë radhitur në luftën për parandalimin e fenomenit”.
Në vijim motra Bernardetë, bën edhe një padi tejet të trishtuar: “Logjika e tregut na thotë se nuk ka ofertë pa kërkesë. Për fat të keq, me hidhërim vërejmë se një pjesë e kërkesës vjen edhe nga bashkëshortë e etër familjesh të cilët, madje, e quajnë veten të krishterë praktikantë”. Prandaj rregulltaret kanë menduar t’i venë prita këtij fenomeni që në vitin 2001, kur nisën të punojnë jo vetëm për denoncimin e shfrytëzimit seksual të grave e të fëmijëve, por edhe e sidomos, për parandalimin e tij.
...