Topalli: PS i kërkoi KE-së heqjen e kredencialeve
Në një konferencë shtypi, Topalli u shpreh se e gjitha kjo bëhet për të prishur imazhin e Shqipërisë nga opozita. "Nuk ka mungesë balance në delegacionin shqiptar dhe Kuvendi i Shqipërisë nuk ka shkelur kërkesat e rregullores së Asamblesë Parlamentare, ndaj dhe për këtë arësye u vendos unanimisht për ratifikimin e kredencialeve të delegacionit të Shqipërisë", tha znj. Topalli. Për asnjë moment, vijoi ajo, "nuk kam dyshuar se Këshilli i Europës do t'a merrte këtë vendim për Shqipërinë dhe besueshmëria e vendit nuk rrezikohet. Kam pritur zyrtarisht këtë vendim, që zyrtarisht të përgjigjem me fjalët e Europës dhe jo me fjalët e mija". "Gjatë gjithë ditës së djeshme kam dëgjuar me durim shpifjet e autorëve të këtyre trakteve kundër Shqipërisë të përcjella në Strasburg me letër dhe me tefelon dhe që në media deklaronin me kënaqësi se kjo ishte hera e dytë që po i shkaktonin Shqipërisë një atentat të tillë në Strasburg", vijoi znj. Topalli deklaratën e saj. "Në fakt, kjo nuk është hera e dytë, por është hera e tretë. 15 vjet më parë zyrtarisht përfaqësuesi i PS-së, Namik Dokle deklaroi gjatë seancës ku do të vendosej anëtarësimi i Shqipërisë në Këshillin e Europës, se "molla nuk është pjekur ende". Më tej, Kryetarja e Kuvendit tha se nuk i garanton dot shqiptarët se të njëjtët shokë, apo shoqe në PS, apo jashtë saj, nuk do të bashkohen për t'i bërë Shqipërisë të njëjtin atentat. Kryeparlamentarja Topalli garantoi se "besueshmëria e vendit, kredencialet e tij në çdo organizëm ku ne marrim pjesë, do të ratifikohen po me votë unanime si sot". Në deklaratën e saj kryeparlamentarja tha se ky është një akt i denjë për kohën më të errët të Partisë së Punës, të cilën sot pas 20 vjetësh e rikthen Edvin Kristaq Rama. "Ata shqiptarë që votuan më 28 qershor PS-në nuk votuan që shoku Edvin Kristaq Rama të kërkonte përjashtimin e Shqipërisë nga Këshilli i Europës dhe as të pengonte liberalizimin e vizave. Përkundrazi, çdo shqiptar pavarësisht për kë ka votuar, ka aspiruar dhe aspiron ribashkimin e Shqipërisë me Europën", tha zj. Topalli. Duke përfunduar, Kryetarja e Kuvendit tha se "Europa është zgjedhja dhe fati ynë dhe gjithë shqiptarëve, përfshirë edhe ata që votojnë Partinë Socialiste, jo Partinë e Punës".